SHKENCËRISHT E PAMUNDUR/ Ish-mbështetësit shokohen rregullisht sesi Lul Basha i mashtron sërish

26 Gusht 2024, 15:48Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një moment serioziteti i Holandezit Fluturues

TIRANË – Ishte një vendim i vështirë ai i disa ditëve më parë, kur ata që i kishin ndenjur pranë, prapa dhe anash Luljan Bashës, deklaruan se më në fund e kuptuan që Luli i kishte mashtruar edhe kësaj rradhe, dhe mblodhën mendjen të formojnë një parti të re, pa praninë rrëzëllitëse të liderit flokë-patëllxhan.

“Nuk na a merrte mendja kurrë se do na e punonte kështu. Nuk kishte dhënë asnjë shenjë se do bënte këtë sjellje,” thanë teveqelët që janë gënjyer, mashtruar dhe tallur nga Basha, të paktën nga dhjetë herë secili në harkun e këtyre viteve.

*** 

Zëra të mirinformuar thonë se që kur doktor Penxherja e piketoi për ta vënë në krye të PD-së këtu e njëzet vjet të shkuara, e kuptoi se Luljani ishte një pehlivan i lindur.

“Është një skuth i kalibrit të lartë ky holandezi fluturues,” i tha të bijës i entuziazmuar, kur mori vesh se Luli vinte me një diplomë holandeze që nuk e tregoi asnjëherë, “shkenca e ka studiuar tipin e tij. Lloji quhet Absentia colonnus vertebrae vulgaris. Domethënë është një lëtyrë që i mungon shtylla kurrizore, e ka të pamundur të mbajë fjalën. Bën fiks për ta vënë kandidat për pasardhës nëse unë do bëj sikur iki ndonjë ditë. E ka mashtrimin në gjak, kështu edhe po mendoi dikur se do ma fusë, atij nuk i rrihet pa mashtruar edhe ata me të cilët do bëjë grup për të më dalë kundër.”

Në fakt, kështu ndodhi. Kur Lilo Çepani iu ankua doktorit se Luli e mashtronte edhe për orën, e kishte në kuptimin e parë të fjalës.

“Ore doktor,” i tha, “të më bënte ndonjë puç për lekë, do ja falja se për atë punë kemi dalë të gjithë. Po më gënjeu për orën mo. E pyeta njëherë, meqë ishte duke parë orën, dhe më tha gjithë seriozitet, 5 pa çerek. Në realitet ishte 3 e njëzet. Është i paparë fare!”

***

Me kalimin e viteve, nga njëra ministri në tjetrën, nga njëra aferë e kunatit në tjetrën, nga njëri skuthllëk në tjetrin, me buzëqeshjen e pandashme në fytyrë, Luljani e rafinoi artin e mashtrimit për qejf të mashtrimit. Dhe dita që i solli buzëqeshjen më të madhe, megjithëse në pamje të parë dukej i trishtuar, ishte kur doktori humbi zgjedhjet e 2013-s dhe dha dorëheqjen duke i shkelur Syrin Lulit. Qau Erla me kokrrën e lotit kaq, u ngashërye Jozefina sa mbaroi të gjitha facoletat, u qurravitën të gjithë.

“Urime qerrata, do bëhesh kryetar partie,” i tha doktori Lulit, “po kujdes, me mënt në kokë”.

“Pa merak shef, do veproj siç kemi biseduar,” ja ktheu Luli, që ndërkohë mendonte skemat e rradhës.

Si shef gjigand i opozitës, mendoi se për t’u dukur kërcënues dhe serioz, duhet të përdorte shprehjen dramatike: “Vetëm po kaluat mbi trupin tim…”, sa herë shpallte ndonjë vendim të palëkundur. Vendimet dhe premtimet shkeleshin aq rregullisht, sa sikur të kishin kaluar vërtet kaq shumë njerëz mbi trupin e tij, Luljani tani do kishte marrë trajtën e një letre cigareje.

Po ai nuk e kishte problem. I fuste një të qeshur dhe sqaronte, “nuk e thashë tamam ashtu, ju harroni kontekstin…”.

***    

Ashtu siç e kishte parashikuar doktori, Luljani po punonte ethshëm për skemën e rradhës. Bashkë me të Gjatin, bindën amerikanët se doktori duhej mënjanuar nga skena politike sepse po pengonte brezin e ri dhe fatet e atdheut ishin në rrezik. Dhe kur kjo ndodhi dhe doktori u non-gratos majë penxheres, mbështetësit e Bashës në Parlament u bënë më të shumtë se kurrë.

“Tani do shihni Lulin e vërtetë,” i thoshin ata bazës demokrate, “se deri tani ne të gjithë ishim nën thundrën e atij tirani, doktorit”.

Po baza, ashtu si Lilua, e kishte ngrënë kushedi sa herë mashtrimin e Lulit. U lodh Alibeu i shkretë, bashkë me Bejkon e Lazaratit, të bindnin njerëzit se koha e doktorit kishte perënduar sepse Amerika i kishte vënë vulën e zezë. Të paktë ishin ata që e besonin. Me ta u bashkua edhe Gaz Bardhi, por më pas Gazit i thanë të rrijë në shtabin qëndror, në Tiranë, se sesi e shikonin kur zbriste nëpër bazë, sikur donin ta rrihnin me thupër thane.

***

Kur kundërshtarët e doktorit humbën vulën dhe logon e partisë, Basha u tha se do formonin parti të re, por në fillim duhej ankimuar vendimi i gjykatës. “Ju filloni organizimin,” u tha, “se erdha unë”.

Kjo ishte shprehja standard e Lulit kur mashtronte.

“Nisuni se erdha,” “përgatituni se nga pas kini”, “Filloni se ju gjej aty,” ishin frazat klasike të tij, me të cilat gënjente edhe kur e linin të takoheshin për një kafe.

Aty e kuptuan nuk kishin shpresë. Te doktori nuk ktheheshin dot, por as nuk donin, sepse ishin deklaruar pro-amerikanë. Por nuk rrinin dot pa shprehur zhgënjimin nga Luljani.

“Nuk e dinim kaq mashtrues,” thanë për të njëqindtën herë Alibeu, Bejko e të tjerët, “na ka zhgënjyer komplet!”

P.S. Burime për Patronazhistin bëjnë me dije se pas oferte të parefuzueshme që ka marrë nga Trusti i Boronicës së Zenit, Luljani do bëjë edhe ca kohë si udhëheqës i një grupi që ka shpikur vetë, ai i Demokratëve Euroatllantikë, dhe pastaj do tërhiqet me një buzëqeshje të fundit nga skena.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike paksa më serioze se Holandezi Fluturues 

Video