MJEDISI/ Bashkë me pyjet digjen dhe parcelat e hashashit, zjarrfikësit nuk duan të zbresin nga malet

15 Gusht 2024, 16:03Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Karvane me kafshe i ngjiten faqes se shkrumbuar drejt grupit te zjarrfikesve

TIRANË/PUSTEC/VERMOSH – Një krizë e rëndë mjedisore po shpaloset para syve të shqiptarëve, me dhjetëra vatra zjarri që pasojnë njëra-tjetrën nga veriu në jug.

Megjithë ndihmën e Mekanizmit të Emergjencave Civile të BE-së, flakët vijojnë të gllabërojnë pyje në Bulqizë, Pogradec, Finiq, Prespë, Tomor e gjetkë. Por problemi më i madh, që media me cektësinë e saj nuk e raporton, është se bashkë me pyjet dhe kullotat po digjen edhe parcela të tëra me hashash pothuajse të gatshëm për t’u korrur.

Madje Patronazhisti ka mësuar se edhe mijëra rrënjët e raportuara ditët e fundit në Malësinë e Madhe si të zbuluara nga policia, në fakt kanë dalë në pah vetëm pasi ka mbaruar djegia e pemëve. Nga burime të besueshme mësohet se policia e shtetit bëri të pamundurën për të shpëtuar ato parcela, në mënyrë që t’i raportonte si zbulim me metoda operative.

*** 

Por jo të gjitha bimët e pafajshme të hashashit kanë pasur fatin të zbulohen nga policia. Për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, mjaft parcela të çmuara në Malin e Thatë, Tomor, Mali i Shëngjinit, etj, janë djegur bashkë me pemët ordinere nga ato që digjen përvit.

Siç tha për Patronazhistin një nga kultivuesit e prekur nga zjarret, “në kuptimin e plotë të fjalës, është djegur i njomi bashkë me të thatin”.

“Unë e kuptoj të marrë flakë kullota me bar të thatë se çobenjtë duan të mbijë bar i mirë në vjeshtë; e kuptoj edhe pishën që merr flakë menjëherë, si pemë idiote që është; po hashashi ç’kusur ka në këtë histori? Si nuk erdhi një helikopter të hedhë një kovë ujë mbi parcelën time? Apo se jam fshatar unë, nuk kam miq. Po të ishte parcela e ndonjë deputeti do vraponin të gjithë. A ka shtet në këtë vend apo jo?”, tha kultivuesi, që kërkoi të mbetej anonim se ishte dhe kryeplak fshati dhe nuk kish lezet ta akuzonin për dypunësim.

*** 

Por djegia e pamëshirshme e parcelave të hashashit ka nxjerrë në pah edhe një aspekt tjetër. Mësohet se një grup i madh zjarrfikësish, ushtarësh dhe policësh kanë mbetur në një nga majat më të larta të Parkut Kombëtar të Prespës. Ata prej tre ditësh po përpiqen që një parcelë hashashi mes pyjesh, të digjet avash avash që të mos shkojë dëm gjithë ai tym.

Thirrjes së Drejtorisë Qendrore të Zjarrfikësve dhe të Emergjencave Civile për të zbritur poshtë në mënyrë që të zëvendësohen nga kolegë të freskët, ata i janë përgjigjur me refuzim të prerë: Do rrimë këtu lart deri sa të mos mbetet më zjarr për t’u shuar!

Mësohet se heronjtë kanë raportuar se tymi i parcelës është vënë nën kontroll dhe po menaxhohet me profesionalizëm.

“Vetëm na dërgoni ca bukë dhe ujë, për të tjerat kujdesemi vetë,” deklaruan ata.

Dhe siç është raportuar në media ditët e fundit, solidariteti nga ana e banorëve të Prespës nuk ka munguar. Ata, me mushka, kuaj e gomerë, kanë çuar lart në mal ngarkesa me ushqime dhe ujë në ndihmë të zjarrfikësve. Burime të pakonfirmuara thanë se mes karvanit është parë dhe një orkestër vullnetare me tre anëtarë: Klarineta, fizarmonika dhe defi.

Vini Re: Pavarësisht humorit, Patronazhisti është rubrikë satirike pro-zjarrfikësve, anti hashashit    

Video