HIMARË / VUNO – Ishte një deklaratë shumë emocionale ajo e kryeministrit gjysmë vunjot, çerek durrsak, një e pesta beratas dhe tre të tetat shkodran, Edi Rama, menjëherë pas fitores surprizë të kandidatit socialist Vangjeli pa Vetulla në zgjedhjet për bashkinë e Himarës.
“Ditë më të mira po vijnë. I ftoj të gjithë himariotët që kanë ikur në Greqi, e pastaj në SHBA, të kthehen e të punojnë me rroga të mira në vendlindje. Kemi shumë nevojë për krahë pune në turizëm. Hotelet dhe rezortet po vuajnë për staf. Interesohuni pranë zyrave të SASTEB-it. Së shpejti do inaugurojmë edhe sallën e Dopolavoros për të rinjtë himariotë nga 55 vjeç e lart,” deklaroi Rama për mediat, duke uruar fituesin Vangjel – atë të mirin, jo Dulen që i ka patur vetullat e bashkuara që 10 vjeç.
Kryeministri shtoi se himariotët e mërguar, në mos për rrogat e mira, duhet të vijnë për ajrin e vendlindjes.
“Nuk e dini ç’humbisni. Është një ajër i paparë. Hap dritaren e shtëpisë dhe të mbushen mushkëritë,” u bëri thirrje Rama vendalinjve të dikurshëm, që këtu e 30 vite më parë hapën dritaret, kërcyen jashtë dhe ikën nga sytë-këmbët pasi nuk po merrnin as tapitë e shtëpive të gjyshërve, as tokat e tyre.
***
Rama tha i përlotur se është i ndërgjegjshëm që këto dhjetë vitet e fundit himariotët dhe gjithë Bregu ka vuajtur shumë, për shkak të qeverive të papërgjegjshme që kanë qenë në pushtet nga 2013-ta e këtej.
Ai theksoi se do të bëjë të pamundurën, bashkë me Vangjelin e Mirë, që vendalinjtë të marrin tapitë që u takojnë.
“Se ja, kemi pasardhësit e fisit Koleka, që prej 30 vitesh po bredhin nëpër zyrat e shtetit për të marrë pronën e tyre sipas ligjit, për ta zhvilluar atë turistikisht me hotele, rezorte, pishina, agroturizëm, agro-pishina etj, në mënyrë që të punësojnë himariotët që do kthehen, por mafia e kadastrës nuk ua ka kthyer akoma,” tha Rama.
Kryeministri nënvizoi faktin që drejtorët e kadastrës së Vlorës ndërrohen çdo gjashtë muaj, dhe ngriti zërin: “A ka shtet në këtë vend, apo jo?”
***
Duke iu rikthyer toneve optimiste, Rama deklaroi para kamerave se edhe nëse ua kanë zaptuar shtëpitë dhe pronat, himariotët do bëjnë mirë të vijnë dhe të punojnë për pronarët e rinj.
“Po të silleni mirë dhe të fitoni besimin e tyre, kushedi, kapni dhe ndonjë rritje rroge,” sugjeroi ai.
Kryeministri shtoi se deri sa të mbarojnë komplekset turistike të Kolekajve që po i mban peng mafia e kadastrës e lidhur me ata lart në Tiranë, himariotët e rikthyer mund të punojnë – dhe të ngopen me ajrin e vendlindjes gjatë orëve të pushimit – në hotelet që kanë ndërtuar ndërkohë, ata vendalinj që refuzuan të largohen, por zgjodhën të derdhin djersën e të tjerëve në atdheun e tyre, si investitorët e shquar himariotë Xhaçkajt, Morinat, Berishët, Bushkolajt, Markagjonajt, Markafrangajt, Markamanet, Markapapulët, Markadulakët etj.
Një opsion rezervë është edhe puna si ndihmës shtëpiakë në vilat e ministrave si Bella Ballukja, apo të disa gazetarëve të shquar që gjithashtu zgjodhën të ushtrojnë zananë në atdhe, dhe të mos largohen për të punuar si argatë në BBC, CNN, ABC, CNBC, RAI etj etj.
“Kështu, pra, kthehuni se keni vend të bukur, qerratenj. Gjynah ta djegë gjermani,” e mbylli thirrjen e tij kryeministri i emocionuar.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-turistike, anti-sharlatanike