Në kulmin e protestave në Tiranë, kryeministri Rama shkon të hënën në Vjenë

17 October 2026, 16:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në kulmin e protestave në Tiranë, kryeministri Rama shkon të

Gazeta austriake “Kurier” i ka kushtuar një artikull të veçantë situatës politike në Shqipëri dhe vizitës së kryeministrit Edi Rama në Vjenë, duke e cilësuar udhëtimin si një “pushim të mirëpritur” nga protestat masive që prej muajsh po zhvillohen kundër qeverisë shqiptare.

Ndërsa në Shqipëri vijojnë protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit, Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në kryeqytetin austriak, ku do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker. Kontrasti mes pritjes ceremoniale në Vjenë dhe situatës së tensionuar politike në Tiranë është një nga elementet kryesore të artikullit të medias austriake.

Sipas “Kurier”, për kryeministrin shqiptar kjo vizitë përbën një shkëputje nga klima e protestave që prej muajsh po shoqërojnë qeverisjen e tij. Gazeta thekson se pakënaqësia qytetare është zgjeruar, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, i cili, qeveris vendin prej 13 vitesh.

“Për kryeministrin shqiptar, vizita në Vjenë të hënën do të jetë një pushim nga protestat që prej muajsh ziejnë në vendin e tij”, shkruan gazeta austriake, duke e lidhur vizitën edhe me rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Artikulli ndalet veçanërisht te të ashtuquajturat “Protestat Flamingo”, të cilat fillimisht u organizuan kundër një projekti turistik luksoz të planifikuar në një zonë të rëndësishme, ku jetojë dhe flamingot.

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti me ndikim të mundshëm në mjedis, sipas “Kurier”, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë shqiptare. Gazeta e përshkruan këtë zhvillim si një revoltë që ka kaluar përtej çështjes fillestare.

“Ndërsa Edi Rama do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker, protestuesit në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit që qeveris prej 13 vitesh”, thuhet në artikullin e medias austriake.

Media në fjalë nënvizon se Austria është ndër investitorët e rëndësishëm të huaj në vend, ndërsa shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar rritje. Media austriake shkruan se vizitat zyrtare në Austri kanë një rëndësi të veçantë për Tiranën, duke pasur parasysh lidhjet e konsoliduara ekonomike dhe interesat e përbashkëta.


Video