TIRANË – Përfundimisht, nuk më ecën fare me këta amerikanët, psherëtiu Edi duke i dhënë një penelatë të fundit zhgarravinës që po pikturonte, në studion e tij artistike në vilën qeveritare të Dhërmiut.
E mbante mend si tani, kur e bëri leckë Donald Trampin para zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës, duke thënë se fitorja e tij do ishte katastrofë për Amerikën dhe botën. Ai e di se ç’hoqi për t’i rregulluar gjërat pas fitores. Po shyqyr Zotit, Donaldi ishte tregtar dhe parimi i tij i thjeshtë ishte, nëm të të jap.
Edhe me Barakun që supozohej ta kishte miq për kokë, nuk i eci mbarë. I çoi mu brenda në Shtëpinë e Bardhë, Sajmen si ministri më i suksesshëm në historinë e Ballkanit, dhe pas pas kohësh Sajmia ra në burg. Obama në fakt nuk i tha gjë. Thjesht nuk ja vari më.
Prandaj këtë rradhë mendoi t’i peshojë mirë gjërat, që mos t’i flasë goja para çervelos. Pasi e pa që Trampi ishte padiskutueshëm para në sondazhe kundër Xho Bajdenit, thirri dhëndrrin e tij bashkë me të bijën, dhe u tha: Qe baba, Sazani dhe Zvërneci, merrini dhe na bëni ca turizëm elitar se ngelëm me këta pocaqitë që hanë sufllaqe. Ju keni parë botë më sy, ndërsa tek ne lulet i hanë gomerët.
Edhe pse Kushneri dhe Ivanka nuk e kishin parë ‘Koncert në Vitin 36’ dhe as e kishin dëgjuar këngën e famshme ‘Triste Domenica’, buzëqeshën.
***
Por ja që nuk ishte e thënë. Bajdeni u tërhoq nga kandidatura presidenciale, ose më saktë e tërhoqën. Iu rrënqeth mishtë kur mendoi se një ditë socialistët mund të mblidheshin bashkë dhe t’i thoshin, ik se boll ndenje. Por atypëraty vuri buzën në gaz. Imagjinoi Mamicën që do t’u çirrte fytyrën me thonj disidentëve si skiftere, dhe Bella Balluken që do t’u hidhte në surrat tortën e vet fierake, “naa që mos u ngopshi, dashkeni pushtet ju morracakë, që Edi ju bëri njerëz!”
S’kanë ç’më bëjnë këta keca, tha me vete.
Por në vend të Bajdenit, si kandidate demokrate erdhi Kamala Harizi, dhe sondazhet nisën ta fundosin Trampin. Kur imagjinoi sesi Kamala do bëhej presidente e SHBA-së në të njëjtën kohë që kalamajtë e Trampit do fillonin projektet turistike në Shqipëri, nuk e deshi veten.
***
Si mund të korrigjohej kjo histori? Një mendje i thoshte t’i bënte ndonjë dhuratë burrit të Kamalës. Për shembull, t’i jepte lagunën e Kune-Vainit, le të gjuante pata e rosa si Konti Çiano vaktit. Teksa xhironte me vete variante nga më të ndryshmet, shkoi deri aty sa t’u jepte Harizëve pjesën e vet nga tokat e Kolekajve në Vuno.
“Tundu vendit!”, tha me vete, “Shtëpia e shqiptarit vërtet është e Zotit dhe e mikut, po për ca ditë, jo me tapi përfare!”
Atëherë e vendosi: Jo që s’do t’u jepte gjë Harizëve, por duhej t’ua anullonte edhe Trampëve atë që u kishte dhënë. Çelësin e kishte gati: Ashtu siç bëri fushatë për Maldivet e Europës dhe Karabibet e Ballkanit, do bënte fushatë në shtypin botëror për ambientalistët e shqetësuar që protestonin kundër prekjes së Sazanit dhe Zvërnecit.
***
Dhe kështu bëri. Shkrimi i parë doli në Uashington Post: “Ambientalistët ngrenë zërin kundër investimeve miliardëshe të Xhared Kushnerit në Sazan, të cilat kërcënojnë speciet e rrezikuara të disa ish-oficerëve shqiptarë të ngelur në ishull që nga Lufta e Ftohtë…”
Artikullin e lexoi edhe Kushneri, i cili e mori menjëherë në telefon: “Zoti Edi, ç’është ky shkrim? A mos rrezikon gjë projekti ynë?”
Rama ja preu fjalën në mes: “Në asnjë mënyrë! Unë nuk pyes për ca demek aktivistë. Pastaj ti e di që ne këtu nuk kemi as sindikata, mos e vri mendjen hiç. Thjeshtë duhet të manovrojmë pak me kujdes, me takt, më kupton?”
Kushneri e kuptoi lojën: “E mora vesh plako. Do presësh si do venë zgjedhjet tona, pastaj do vendosësh…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike kundër shitjes së copave të vendit sa herë ka zgjedhje në SHBA