E FUNDIT / Qeveria vendos ngritjen e bustit të Hamza Kastriotit me fytyrën e Ben Ahmetajt në Lugano

2 Shtator 2024, 16:01Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria vendosi që bustit të të ligut Hamza t'i vendoset portreti i Ahmetajt

DAJT, pas teleferikut – Pas suksesit të vendosjes së bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut me tiparet e Edi Ramës në një fshat arbëresh në Kalabri, qeveria shqiptare u mblodh në malin e Dajtit në formë pikniku, për të lavdëruar kryetaren e Parlamentit Mamica Spiropali për iniciativën.

Burime për Patronazhistin bëjnë me dije se pavarësisht se mbledhja zyrtarisht u thirr për të vendosur piketat për zgjedhjet parlamentare 2025, çështja kryesore ishte pikërisht historia dhe bustet.

Madje besohet se kur kryeministri njoftoi zëvendësen e tij Bella Ballukja, se formalisht qeveria do mblidhet për të vënë forcat që socialistët të mos i humbasin zgjedhjet e 2025, të dy nuk e mbajtën dot seriozitetin dhe ja plasën gazit.

“Mirë mirë, boll u gajasëm,” e mblodhi veten Rama duke fshirë lotët, “po njoftoji ata kaçaflaqët për në Dajt.”

“Na, se harrova. Të marrin dhe ndonjë sanduiç me vete se nuk kemi fonde, s’do t’i mbajë buxheti i shtetit me bukë”, dhe gajasja filloi nga e para.

***

Si pikë e parë e rendit të ditës, në mbledhjen e Dajtit u diskutua gjetja e mënyrës që një bust i Mamica Kastriotit me tiparet e Mamica Spiropalit të vendoset në manastirin e Ardenicës. Por çështja u ndërlikua, sepse Bella Ballukja, me altruizmin dhe mirësinë që e karakterizon, sidomos kundrejt kolegeve socialiste femra, propozoi që busti në fjalë të ngrihet përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku Mamica pat punuar ca kohë në fillimet e qeverisjes.

Spiropali e kuptoi dashamirësinë dhe reagoi:

“Unë mendoj se bustet tona, të miat dhe të zv.kryeministres Ballukja, presin ende. Qoftë busti im në dogana, apo busti i Bellës në hyrje të tunelit të Llogarasë, mund të vihen në një kohë të dytë”.

***

Rama, që po e shijonte shpalosjen e miqësisë së qashtër dhe pa hile të dy lidereve, pranoi që kjo temë të shtyhet, dhe kërkoi propozime të reja. Këtë moment u hodh Ministrja mjedisore turistike Mirela Kumbaraja, që i ishin bërë sytë ujë duke numëruar udhëtarët në Rinas.

“Bagazhi im si studiuese dhe përkthyese,” tha me solemnitet Kumbaraja, “më zgjon një instinkt në kahun anti-orar!” Dhe priti që provokimi të bëjë efekt.

“Nxirre të shkretën,” i tha Rama, “se na zuri nata”.

“Po shef. Unë mendoj që pas Skënderbeut-Edi me prerje Ismail Qemali, nuk kemi nevojë për buste të tjerë heronjsh. Unë them të luajmë me anti-heroin, të stigmatizojmë vesin, të shënjestrojmë të keqen, të nënvizojmë të ligën…”

“Moj, do flasësh ti apo të nxjerr pantoflën!”, u nxeh Rama.

***

Ndërsa portretet e Mamicës, Bellës dhe femrave të tjerë shkëlqenin nga lumturia, Kumbaraja nuk e prishi terezinë.

“Unë shef, them të autorizojmë një bust të tradhtarit Hamza Kastrioti, me portretin e Ben Ahmetajt, dhe ta vendosim në një nga sheshet e Luganos, në Zvicër! Le të jetë ky një shembull se tradhtia nuk harrohet”.

Në lëndinën ku ishin ulur ministrat ra heshtja.

Por jo për shumë kohë. Rama shqiptoi i mahnitur:

“Madhështore! Bravo Lela!”

Të gjithë duartrokitën, e madje portretet e Mamicës dhe Bellës, që për një sekondë u duk sikur kishin gëlltitur vaj recini nga kjo lëvdatë e papritur, u çelën dhe të dyja vrapuan të përgëzonin Kumbaranë.

“Të lumtë mi goc’! Ku të shkoi mendja mi goc’? Po si të tha, Lela me përkëdheli? Lum si ti mi goc’!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-heroike          

Video