DRASTIKE/ Sezoni i ri, Fevzo nuk do pranojë në emision asnjë të ftuar pa i bërë testin e nitratit

7 Shtator 2024, 21:57Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fevzo duke u ngulur aparatin frutave te pambrojtura

TIRANË, ish-Kinostudio – Në një gjest të pazakontë për temperamentin dhe profesionin e tij si super-moderator, vetëm i moderuar nuk mund të quhet vendimi i fundit i drejtuesit televiziv të emisionit të vet televiziv, që njihet botërisht me emrin e artit Fevzo.

Burimet për Patronazhistin thonë se vendimi është marrë në koordinim me pronarin televiziv Sandër, në shenjë proteste për gjendjen ku është katandisur bujqësia shqiptare sot.

Me fjalë të thjeshta, asnjë i ftuar në emisionin e Fevzos këtë sezon të ri televiziv, nuk do të lejohet të hyjë në studio pa bërë më parë testin e nitratit!

***

Siç patronazhistët e mbajnë mend, historia nisi këtë verë, me Fevzon që pasi ishte velur nga udhëtimet nëpër botë dhe kërcimet zbathur me fiset afrikane Masai, se ku kishte gjetur andej nga Palasa një aparat të vogël me bateri, ja kaq sa një celular, i cili kishte një tip shtize me majë në fund.

“Kjo shtiza do jetë në vend të antenës, hëëë?” i tha Fevzo me instinktin e mprehtë gazetaresk, njeriut që ja solli.

“Jo mo gjigand,” iu përgjigj njeriu misterioz, “këtë shtizën e ngul në një frut ose zarzavate, dhe të tregon nivelin e nitratit. Është aparat i paparë. Na bëje provë,” dhe i vuri para një mango.

“Aaaa, nga ky varietet mangosh kam ngrënë në Republikën Domenikane. Ke qenë ti në Republikën Domenikane?” e pyeti Fevzo mikun.

“E jo a derëzi, unë s’jam i shëtitur si zotrote. Maksimumi kanë qenë nja katër vjet në Ekuador, në një burg… hotel të sigurisë së lartë. Naaa, e shikon sa ta nxjerr nitratin? Zero. Ngule tani tek kjo domatja e Lushnjes: Tre mijë!”

Fevzo u lemeris: “Pse s’thua ti që hamë helme ne? Po kjo është e tmerrshme. Do bëj një video dhe do ta hedh në rrjetet e mia sociale, që ta marrë vesh bota si bëhen reformat radikale!”

Miku misterioz i rrahu shpatullat: “Ta bësh vëlla! Dhe po pyetën për këto aparatet, janë 100 euro copa. Sado të shiten, ti ke 20 përqind”.

“Ore nuk më rruhet mua për para,” ja preu Fevzo, “se kam prona në gjithë Ballkanin, po më bëre merak se çfarë hamë, çfarë fusim në bark. Të zinjtë ne thuaj. Sa e lamë, 25%?”

***

Realisht Fevzo, që dikur miqtë e thërrisnin “Blendi me Gjashtë Gjyshe”, nuk ka vërtet nevojë për para. Të gjashta gjyshet i qëlluan me prona të mëdha: njëra kishte prejardhje nga Vërlacët, tjetra nga Vrionët, një e tretë nga Toptanët, një tjetër nga Karagjorgjeviçët e Serbisë, dhe dy të fundit andej nga Savojat e Italisë. Bile thuhet se miqësia e tij e vjetër me Andi Bushatin është prishur pikërisht në momentin kur Fevzo i tha Bushatit në mirëbesim: “Më duket se më doli dhe një gjyshe nga Bushatllinjtë!”

Nga ana tjetër, Fevzo dhe Sandri nuk preken drejtpërdrejt as nga bujqësia e nitrateve të Myzeqesë, sepse secili prej tyre ka pajtuar kopshtar personal nga Filipinet dhe konsumojnë perimet e tyre private.

“Unë e kam hallin këtu,” i shpjegoi Fevzo Sandrit – i cili që kur erdhi nga Lezha këtu e tre dekada të shkuara, e ka ulur drastikisht volumin e kaçubes me flokë majë kokës, ku dikur bënin fole mëllënjat – “ne kemi bahçet tona, por të ftuarit me siguri blejnë perime e fruta në pazar. Me trupin plot me nitrat, ata futen në studio, flasin e bërtasin, dhe na i shkarkojnë neve të gjitha helmet”.

***

Dhe ashtu u bë. Emisioni i parë live i Fevzos ishte javën e kaluar. Ata kishin vënë dy njerëz të besuar te hyrja e Klanit, me aparat nitrati me shtizë në dorë, të cilët u deklaruan të ftuarve se kishin urdhër t’ua ngulnin në trup për të bërë testin e nitratit.

Por mesa duket, mungesa e taktit bëri që të ftuarit e parë të sezonit të ri të iknin me vrap, duke u thënë rojeve: “Atë celularin me majë, shkoni e nguljani Fevzos!”

Kjo ishte arsyeja pse emisioni i parë i këtij sezoni, u bë me ca njëzet-vjeçarë që Fevzo u gjeti çastin e fundit. Kur ata pyetën se çfarë ishte ai aparati, u thanë se ishte test për Covidin.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-nitrike me numër normal gjyshesh

Video