
TIRANË – Ka shënuar një sukses origjinal protesta e fundit e një grupi artistësh shëtitës të cilët – siç dihet botërisht – prej vitesh kanë krijuar një shoqatë me emrin Lidhja e Artistëve Demokratë.
Për hir të së vërtetës, nuk janë të rralla tubimet e talenteve të artit, të cilët mblidhen bashkë diku, kryejnë artin e tyre dhe e ekspozojnë për publikun. Së fundi, grupe piktorësh janë mbledhur në Lezhë, apo Pogradec, Durrës e Vlorë, dhe krijimet e frymëzuara nga natyra e bukur lokale i kanë mbledhur në një ekspozitë të këndshme. Por asnjë nga këto aktivitete nuk i afrohet estetikës moderne të shkollës minimaliste që shpalosën të hënën artistët demokratë.
“Ithte një natë që do mbahet mend,” tha për Patronazhistin artisti vagant (ose vagabond) që domethënë shëtitës, Edi Palosja, “ne treguam the jemi përfaqëthues të artit të vërtetë, jo thi ai karagjozi kryeminithtër që thgarravit fletë A4 nga vendimet e qeverithë dhe i quan piktura”.
***
Protesta që në fillim ishte projektuar si minimaliste. Kryetari i Lidhjes së Artistëve Demokratë, Salih B. (për efekt të këtij shkrimi, këtej e tutje i referohemi si Doktori) u kishte rezistuar thirrjeve të shumta që në protest të merrnin pjesë 300-400 vetë.
“Jo, janë shumë,” kishte thënë Doktori (që më lart i jemi referuar si Salih B.), “na mjaftojnë 150 artistë të vendosur për të bërë art. Shkolla minimaliste kërkon pak e saktë, siç kemi bërë para bashkisë së Tiranë: Tre vetë dhe një gomë e djegur. I keni parë ato banesat japoneze me krevatin përtokë, një raft të vogël dhe një portret të thurrur me bambu në mur? Nuk kanë shumë orendi, por janë të shkëlqyera!”
Në vijim, duke imituar protestat e suksesshme të aktivistëve ambientalistë që hedhin një garuzhde supë mbi piktura e portrete të famshme botërore, Doktori propozoi që strukturat demokrate të përgatisin një kazan me supë për ta hedhur mbi portretin gjigand të kryeministrit Rama në selinë e Lidhjes së Artistëve Socialistë.
Por atë moment e shoqja e tërhoqi nga mënga duke përshpëritur, “qyqja burrë, nuk na ka mbetur asnjë pako oriz në raft, me çfarë ta bëj supën? Nuk ka kush na bën pazarin, se jemi të gjithë me arrest shtëpie!”
Atëherë lideri ndërroi ide: “Nuk ka randsi supa, ju siguroj unë juee! Le t’i hedhim atij portreti të urryer diçka që nuk kushton shumë”.
Këtu ndërhyri me taktin që e karakterizon, intelektuali Nul Moka: “Doktor, m’ka ngel një shishe benzinë në raftin e medikamenteve që kam pasur që kur isha mjek. A e spërkasim portretin e Ramës dhe i vëmë shkrepsen? Besoj se flaka do t’i japë portretit një nuancë të së kuqes së Onufrit. Do dilte një instalacion i bukur!”
***
Në fakt, protesta tërhoqi vëmendjen e qarqeve artistike ndërkombëtare: Njëqind artistë gjithsej, secili me talentin e tij. Një shishe benzinë këtu, një guriçkë hedhur ndaj policisë më tutje, disa parrulla të shkruara me shije, dhe momenti më i ndjekur, parakalimi i heshtur dhe solemn i kryesisë artistike, ku binin në sy Palosja, Nuli, Belo Këllëfi, Laki Luçiano i Elbasanit, Bimbash Bylykbashi, artisti rebel Baz Gardhi dhe disa kukumjaçka.
Atyre iu bashkua dhe Lilua i Çepanit, i cili me këtë rast u foli sërish gazetarëve për planin e tij qeverisës. “Unë kam vendosur që të shtojmë popullsinë e Shqipërisë sa të vijmë në pushtet,” u tha ai dy vajzave të reja reportere nga terreni, “doni t’ua tregoj sesi shtohet popullsia? Apo doni t’ua shpjegojë Tedi? Tedi, shpjegojua pak.”
“Jo jo, faleminderit,” i thanë ato, dhe ikën të lemerisura.
***
Protesta bëri bujë ndërkombëtare me mesazhin e saj minimalist.
“Një event që e mbushi qendrën e Tiranës me boshllëkun e saj mospjesëmarrës; një mungesë pranie kaq e pranishme saqë e shtynë njeriun post-modern të mendojë: Kush jemi? Nga vijmë? Pse nuk ndenjëm në selinë demokrate që të dukeshim më shumë? Ky është arti i vërtetë kontemporan,” shkruante të nesërmen revista e njohur e artit “Bir Selman i Nënës”.
Ndërkohë mësohet se organizatorët e Bienales së Venecias i kanë bërë ftesë Lidhjes së Artistëve Demokratë që të marrin një pavijon ku të ekspozojnë ndonjë nga punët e tyre të fundit.
Lidhja ra dakord që në event të dërgojnë Nul Mokën me stetoskop në qafë, ku ai do të pozojë pa lëvizur për një javë rresht.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-artistike