I BËHET VES / Salianji tenton të sajojë përgjime edhe brenda në qeli

30 Shtator 2024, 10:29Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ervin Salianji

TIRANË / FIER / LOZHAN – Si nënprodukt i Sorosit shqiptar të mbetur në tentativë, Henrik Skiles, - që prodhonte klone të llafollogjisë liberale të shkollës së Çikagos dhe i mbillte nëpër parti politike e shoqata – Salianji në fillimet e veta kishte një merak. Nuk po gjente një specialitet të tijin, që ta bënte origjinal dhe të dallueshëm nga të tjerët. Bona Zhupa, fjala vjen, e kishte gjetur profilin goxha shpejt: Ishte specializuar në denoncime zë-ngjirur mediatike me pamjen e pagabueshme sikur sapo ishte ngritur nga gjumi, edhe sikur të ishte pasdite.

Saliani në fillim mendoi se i shkonte roli i kërmillit: Zvarritu me lezet pas liderit, syulur dhe zëulët si eunuk i Portës së Lartë, thuaj po për gjithçka dhe lë pas vetëm një vijë të hollë jargësh. Por edhe pse për këtë rol nuk iu desh të lodhej shumë, se i dilte nga shpirti, e kuptoi që kjo rrugë ishte e gjatë dhe e pafrytshme.

Ndaj ndërroi stil. Për këtë e ndihmuan edhe zhvillimet amerikane brenda Partisë Demokratike. Filloi të ngrejë zërin dhe të tundë gishtin tregues para kamerave; doli fotografi me peshq në dorë para parlamentit; dhe ç’është me dramatikja, provokoi vetë Gjyshin e Madh, si me thënë, Kryegjyshin, duke u shfaqur me hu në dorë në selinë demokratike dhe duke i bërtitur Sali Lushës: Ku e ke atë Saliun tjetër, atë anti-amerikanin e tërbuar, nga ma ke fshehur zuzarin!

***

Por doli se të gjitha këto ishin hobe të fëmijërisë, kalimtare si adoleshenca. Fusha që ai e kuptoi se ishte sektori i tij i preferuar, ishte sajimi i përgjimeve false, duke vënë njerëz të imitonin zërat e njerëzve të tjerë. Kishte njëfarë talenti kaq të veçantë në regjizurën e këtyre skeçeve, saqë një moment i bëri ofertë dhe Çmendina TV. Por djaloshi kryelartë dhe i kërrusur i Lozhanit, ua preu shkurt: Nuk largohem nga sakrificat politike edhe sikur ta di se mbetem me Range Rover si pocaqi gjithë jetën!

Dhe kështu vendosi të marrë përsipër autorësinë e skeçit të Babales. Në fillim, kur Amerika ende nuk e kishte shpallur katil-fermanin për Doktorin, dilte nëpër konferenca shtypi bashkë me shef Lulin dhe me Alibeun. Por këta të dy, kur e kuptuan se i kishin hyrë një loje të rrezikshme me pseudo-përgjime, e hoqën mënjanë muskulin gluteal dhe i thanë Salianjit: S’ka gjë, dil ti para mediave, se ke dhe prezencë mediatike, ku jemi ne për ekrane a derëbardhë!”

U lodhën ca miq duke i thënë se kishte marrë kot. Edhe vetë Muç Nano, iu drejtua me përkëdheli gjatë një emisioni televiziv: Or debil, po të përdorin, do vesh në burg mor derëzi!

“Po mirë, edhe po bëra burg, për partinë time do e bëj,” u përgjigj Salianji. Dhe kështu rezultoi.

*** 

Nata e parë në qelinë e burgut të Fierit ishte çka. Si Air BnB që ishte, nuk qe keq. Por në momentin kur vendosi t’ja fusë me gjumë për hir të partisë, u kujtua që i kishte ngelur te kopsa e xhaketës, një mikro-kamerë përgjuese nga ato që i mbante gjithmonë me vete, nga një për çdo rrobë. Me shumë delikatesë, kërkoi të fliste pak me drejtorin e burgut, i cili me siguri do vinte për ta respektuar si deputet. Mirëpo drejtori erdhi vetëm për dy minuta. “Nesër më thuaj për çdo kërkesë që ke,” i tha, “tani fli gjumë se je lodhur”.

Atëherë Salianji e mblodhi mendjen për ta diskretituar komunistin e dreqit. Ndezi përgjuesin dhe filloi të flasë: “Po hë mo drejtor, si i keni punët këtej? Gjynah që të kanë lënë këtu në Fier, ti meriton të jesh drejtor i përgjithshëm i gjithë burgjeve të Ballkanit”.

Dhe po vetë u përgjigj duke ndryshuar zërin: “Me këtë qeveri hajdute nuk kam shpresë. Këta vjedhin të burgosurit. Më kërkojnë t’i dënoj, t’i lë pa bukë dhe tepricat t’i fusin në xhep! E ke parë Fatmir Xhafën kur ha drekë atje në Tiranë? Supë nga burgu i Fierit kërkon gjithmonë”.

Të nesërmen, ua dha përgjimin avokatëve që t’ja çojnë Doktorit në Tiranë…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-denoncim, anti-sajim

Video