TIRANË – Ajo që dyshohej prej kohësh, ka marrë kohët e fundit konfirmime të njëpasnjëshme dhe askush nuk mund ta përgënjeshtrojë më: Po, institucionet shtetërore janë të përkushtuara, profesionale dhe serioze në punën e tyre.
Një seri njoftimesh për shtyp të zyrave të ndryshme të shtetit kanë pohuar copë se përveç përcaktimeve të mësipërme, ato vuajnë edhe nga transparenca, efikasiteti dhe shpejtësia në vendimmarrje.
***
Një nga institucionet e fundit që i pranoi me përulje (po, zyrat tona vuajnë dhe nga modestia), ishte ministria e Arsimit, që pas skandalit të padëgjuar kurrë më parë, për shitje diplomash për nxënës që nuk e kanë parë kurrë derën e shkollës, deklaroi se kolegji universitar Të Mençmit (Wisdom) në fakt ka qenë nën hetim prej kohësh dhe ai nuk do hapet më.
“Ministria mbetet e angazhuar që me transparencë dhe përkushtim, të çojë përpara misionin e saj për edukimin e atyre pak qurrashëve që kanë mbetur në Shqipëri,” thotë njoftimi për shtyp.
Ndërkaq ish-ministrja e Arsimit Evis Kush?, që u përfshi padrejtësisht në skandal, deklaroi se ajo nuk ka marrë asnjë kafe, e jo më dhurata, nga pronarët italianë të kolegjit Të Mençmit, të cilët e blenë universitetin nga një çift shqiptarësh që nuk kanë shitur kurrë diploma. Ish-ministrja në fjalë, që dikur u bë pedagoge në universitetin e Cërrikut me mesatare 6, tha se ministria nuk merret me akreditime universitetesh, prandaj nuk i kanë dhënë gjë.
Po ashtu, drejtoresha e Akreditimeve, e cila emrin Shqiponja e ka parë të udhës ta shoqërojë edhe me variantin italisht Aquila, nguli këmbë se nuk ka marrë kurrë ndonjë çantë 1.200 euro të markës ‘La Voce del Padrone’ nga italianët. Ajo tha se vetëm në një rast, ka pranuar në mënyrë transparente një çantë 5 euroshe nga ato të Tregut Çam, që rastisi të kishin 1200 euro brenda. Ponja kërkoi që prokuroria italiane që po heton rastin, të kërkojë falje urgjentisht.
***
Institucioni tipik i përkushtimit profesional është Policia e Shtetit.
Në çdo njoftim për mediat, lidhur me raste të ndryshme aksidentesh apo ngjarjesh kriminale, policia bën me dije se “Pas një pune profesionale hetimore”, “policia e shtetit mbërriti në kohë rekord”, “grupi hetimor po punon me përkushtim për zverdhjen e rrethanave të ngjarjes”, apo “pas një pune të kujdesshme u siguruan të dhëna operacionale…” etj.
Edhe gazetarë veteranë shumë rrallë mund të kenë hasur në punën e tyre, njoftime policore ku të thuhet se “hetime u kryen sa për sy e faqe”, “policia mbërriti pas tre ditësh”, “apo grupi hetimor ja ka futur me meze e raki te klubi përballë”.
***
Emergjencat civile janë një tjetër institucion që përmes njoftimeve për shtyp, ekspozon pa dashje të gjitha veset dhe të ligat në punën e vet. Në rastet e zjarreve gjatë verës, fjala vjen, “Zjarrfikësit mbërrijnë menjëherë në vendngjarje”, “falë përkushtimit është bërë i mundur izolimi i shpejtë i flakëve”, apo deklarata më pikante në historinë e gazetarisë së flakëve, “zjarri është vënë nën kontroll”.
Në 102% të rasteve, vënia e zjarrit nën kontroll nënkupton që e lënë të digjet vetë derisa të mbarojë, që mos ta prekin në sedër.
Ky pranim me zemër në dorë i veseve dhe difekteve institucionale, duket se ka infektuar edhe individë të përveçëm në media. Një ndër më vesveselinjtë është eksperti i sondazheve Zalo Foshnja. Në çdo shpallje të dhënash, Zalua e fillon shkrimin e tij me “pas një pune shkencore rigoroze, serioze, vetëmohuese dhe zjarrduruese times dhe të stafit, del se Edi Rama fiton…”.
Vini Re/ Patronazhisti është rubrikë satirike serioze dhe rigoroze