E-Albania/ Shërbimi i ri, vjen njoftimi i personalizuar: Ik vëlla, ky vend nuk bohet!

1 Tetor 2024, 22:37Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zv.kryeministrja Bella Ballukja duke shërbyer si ndricues për një event

TIRANA – Janë pasuruar gjithnjë e më shumë shërbimet elektronike që qeveria shqiptare u ofron shtetasve përmes platformës e-Albania. Më e reja mes risive të reja të kësaj platforme është njoftuar së fundi nga zv.kryeministrja Bella Ballukja, e cila vendosi për pak kohë ta largojë fokusin nga udhëzimet që u jep orë e çast inxhinierëve para kamerave, sesi të ndërtojnë urat dhe me çfarë trashësie ta shtrojnë asfaltin.

Ballukja deklaroi për mediat se produkti më i fundit që u vjen në ndihmë qytetarëve shqiptarë, është njoftimi i personalizuar me tekstin: “Kot që lodhesh, ik vëlla se ky vend nuk bohet!”

“Në këtë mënyrë, qytetari shkurton kohë, merr vendimet e duhura pa vonesat e dikurshme dhe i jep drejtim jetës së vet,” deklaroi Ballukja.

***

Dhe vërtet. Në qeverisjet e kaluara obskurantiste nga 2013 në 2021-in, shqiptari mesatar duhet të bridhte fizikisht sa nga njëra zyrë e shtetit në tjetrën. Për një çertifikatë, një vërtetim, vizitë mjekësore, dëshmi penaliteti, leje dhe dokumentacione nga më të ndryshmet për të hapur një biznes, për ta mbajtur hapur një biznes, për ta mbyllur një biznes, një listë notash, librezë pune, dhe mos e zot pastaj, për hipoteka, çertifikata pronësie dhe letra të tjera më të rënda, që Patronazhistit nuk ja nxë goja.

Torturë më vete ishin spitalet apo përballja me policinë; gjobat, dokumentacioni për ndonjë aksident me makinë, pagesa e ujit dhe dritave etj etj.

Për të gjitha këto, njeriu i shkretë duhej të bridhte me makinë, autobus, biçikletë apo me këmbë, të bëhej ujë në djersë, të priste në rradhë, të kthehej të nesërmen, të harxhonte orë e ditë, nerva e lodhje, lekë dhe stres, dhe kjo vetëm e vetëm për të deklaruar në fund: Ju kam dhj… mu në shtet, ky vend nuk bohet!

Në disa raste kishte dhe nga ata emigrantë që ktheheshin për të punuar apo investuar në atdhe: Shqiptarë të mirëshkolluar që fillonin punë në administratë, e madje edhe direkt si deputetë. Apo nga ata që vinin për të hedhur kursimet në hapjen e një dyqani, restoranti etj. Pas një apo dy vitesh, të gjithë mallkonin veten që ishin kthyer, lavdëronin në kupë të qiellit kryeministrin E Gjatë, shanin të gjithë ata poshtë tij që hanin fruta ekzotike pa dijeninë e shefit, dhe thoshin: “Plako, këta po e lodhin Edin, përfundimisht ky vend nuk bohet!”

***

Tashmë kjo epokë e errët ka marrë fund. Nuk ka më bredhje, djersë dhe mundime. Të gjitha veprimet mund t’i bësh përmes E-Albanias. Mund të presësh nga rehatia e divanit të shtëpisë sesi nuk të del çertifikata e pronësisë. Mund të shtysh orët duke parë televizor ndërsa pret që kësti i tatimit që i ke derdhur shtetit si profesionist i lirë, të mos kthehet mbrapsht, megjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese se ai tatim ishte i paligjshëm, dhe ndërkohë të depozitosh elektronikisht një tjetër kërkesë.

Në fund, nuk ke nevojë as të shash qeverinë, sepse atë punë e bën ajo për ty, duke të sjellë njoftimin tek inbox-i yt në E-Albania: “E nderuar zonjë/zotëri, ju bëjmë me dije se ky vend nuk bohet, vallahi!”  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa inbox

Video