TËRMETI / Fate Xhafaj fton banorët e Pallatit të Drejtësisë të dalin se do bëjë riparime, askush nuk lëviz

11 Tetor 2024, 12:51Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fate Xhafaj duke shpjeguar nevojat për riparim të ri të drejtësisë së re

TIRANË – Pavarësisht se autorësia e shprehjes “tërmet, tërmet” i mbeti padrejtësisht Dhamianit, për një palo fitore të vockël në një zgëq të Dibrës – aq sa edhe Tërmeti i Tepelenës është bërë xheloz – shkundja e vërtetë që zuri poshtë gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e mykur të drejtësisë së vjetër, i takon atij, Fate Xhafajt.

Tërmeti që shkatërroi drejtësinë e vjetër jo vetëm që ka për një prej autorëve kryesorë Faten, por ky i fundit u mor edhe me ndërtimin e pallatit të drejtësisë së re: Hartoi projektin, caktoi apartamentet, ndau garazhet, u mor me instalimet, SPAK-u këtu, Gjykata Speciale atje, e me rradhë KLP-ja, KLGJ-ja, BKH-ja, PTT-ja, NTUS-i, NSHRRAK-u etj.

Gjatë bisedimeve me banorët pati vetëm një ngërç të vogël, pasi Fatja zemërgjerë i ofroi SPAK-ut zyrat me pamje nga dielli, por këtu ndërhynë amerikanët:

S’ka gjë mister Goodluck”, i thanë, “SPAK-ut i mjafton t’i ketë zyrat me pamje nga politika dhe ekzekutivi. Vër këta të tjerët të ngrohen në diell”.

***   

Pasi mbaroi tërmetin dhe rindërtimin, shefi I Gjatë i entuziazmuar e ngalasi dhe e mori në gji, si dikur shoku Enver. E bëri dhe ministër të Punëve të Përmbrendëshme. Për një vit e pak u gajasën me shakatë e kripura të Të Gjatit. Mirëpo dora-dorës, I Gjati – që ca sektorë i absorbon me vonesë – po vinte re se Fatja kishte bërë një Pallat Drejtësie të vogël.

I Gjati u vrenjt. Por kohët kishin ndryshuar dhe nuk mund të bënte si Duçja me Terraçinin, që urdhëroi ta varnin kur pa se ky derëziu kishte ndërtuar një port të vogël.

Iu kujtua se ç’kishte bërë me Kaç Islamin kur ai i propozoi metodën D’Hondt për zgjedhjet e 2009-ës, I Gjati humbi, e pastaj Kaçi kërkonte largimin nga drejtimi i partisë të kryetarit humbës. E degdisi në internim tek PD-ja dhe Kaçi çuditërisht filloi të bënte analistin mediatik për Doktorin. Madje I Gjati kishte gjetur dhe sebepin: “E largova nga partia se vetë identiteti i tij ka konflikt interesi: Edhe Kastriot, edhe Islam, kjo është anti-historike more shokë!”

Vendosi pra, ta internojë dhe Faten: E çoi në një cep të fundit të listës së kandidatëve socialistë për Tiranën, që mos ta shihte më dritën e diellit.

***

Mirëpo Fatja nuk ishte fizikan teorik si Kaçi, por jurist me karrierë hetimore që në komunizëm, atëherë kur I Gjati bridhte nëpër Tiranë me pantallona kauboj dhe këmisha me jakë një pëllëmbë. Prandaj kur i thanë se Fatja sërish kishte arritur të merrte mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur deputet, duke thyer çdo skemë të vjetër të Kaç Islamit, buzëqeshi: “Qenka si maçokët,” tha me vete, “ngado që ta hedhësh, bie gjithmonë në këmbë”.

Prandaj mblodhi mendjen ta afronte prapë.

Hajde mo figurë, ke humbur fare. Shiko, çfarë u bë, u bë. Ky është misioni yt  i ri: Atë Pallatin e Drejtësisë të ma riparosh si duhet, meqë ti ja njeh cepat dhe rrëzat. Po më fusin gjithë administratën në burg, nuk kam me kë të bëj shtet modern europian. Do ma bëç këtë nder, e dua nga tia!,” i tha dhe e shikoi në sy: “Tani më thuaj çfarë do nga unë”.

Fatja, me një mimikë të merakosur i tha:

Vetëm një gjë: Lëviz fijet të vejë në burg ai firauni i vogël i PD-së, kandidati për Sali. Salianji i thonë, ka patur dhe një dajo me Ballin. Më ka shqetësuar familisht vallahi, na ka trazuar shumë me atë Babalen,” dhe se pse u kurdis, “prandaj gjej rastin t’u kërkoj ndjesë gjithë familjarëve të mi, se nuk ma kanë borxh që duke qenë në jetën e tyre private…”.

Rama e frenoi: “Mirë o mirë, qetësohu se nuk jemi në televizor. Diçka do bëjmë, po hë”.

***

Fatja e mori seriozisht misionin e ri. E kishte gjetur dhe skemën. Do ngrinte një ultra-komision parlamentar për të reformuar reformën, riparuar restaurimet, rinovuar rindërtimet e drejtësisë së re.

U nisi nga një letër me kokë të gjithë sektorëve të Pallatit të Drejtësisë:  

Të nderuar! Jam unë, arkitekti i reformës. Pas një hetimi të hollësishëm, kemi vënë re se kur ngritëm ngrehinën e re, ka patur abuzime me fondet e rindërtimit. Prandaj janë pikasur rrjedhje, mure ndarëse të ndërtuara gabim, tela që bëjnë masë, dritare banjosh të njërit që bien ngjitur me kuzhinën e tjetrit, e turpe të tjera të padëgjuara në kazanë tonë. Prandaj ju ftoj të vini në komision ta diskutojmë këtë punë, dhe të strehohi ca kohë në selinë e PS-së, sa të bëjmë riparimet”.

Mirëpo askush nuk ktheu përgjigje. Vetëm pasi e përsëriti disa herë dërgimin e letrës, filluan reagimet.

Në mesazhe të elaboruara dhe të kuruara me takt dhe edukatë, SPAK-u u përgjigj: “Jo”. Gjykata Kushtetuese: “Ncuk”. Shoqëria civile çoi pusullën: “Jemi me inventar” e kështu me radhë.

***

Fates nuk i pëlqeu hiç kjo punë. “Nuk paskan fare edukatë këta të rinjtë, Zero, Zero…”. U nis me këmbë tek Pallati i Drejtësisë, por tek hyrja kryesore i doli para një amerikan i ambasadës.

Ooo Mister Xhafaj! I morëm letrat tuaja. Mos kini merak se difektet që theksoni ju, i kemi riparuar dhe nuk ka nevojë të dalë askush nga Pallati. Mirë u pafshim dhe Good Luck…”  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-reformë, anti-mballomë 

Video