
TIRANË / TETOVË / BUDAPEST – Në fillim mendonte se e kishte tepruar me 20 përqindshin e pushtetit që i kërkoi Doktorit në 2009-ën, dhe ky e kishte pranuar ofertën vetëm nga sikleti. Mirëpo rrugës, Lilo Çepani po e shikonte se edhe sikur 40 përqind të arrinte në sajë të talentit të tij politik, shumicën do ja përlante Mari-Antuaneta Testagrande, e shoqja.
Nganjëherë pyeste veten pse ajo kishte emër konteshe, ndërsa ai si bashkëshort kishte mbetur njeri i thjeshtë, ashtu me krahë të varur dhe këmbë të shtrembra si gjithë populli ynë. Ndofta prandaj ma ha shumicën e përqindjes, mendoi, sepse i duhet të justifikojë statusin aristokratik.
Kishin kaluar shumë dallgë bashkë – jo duke luftuar me to, por duke rrëshqitur sipër tyre, si në sërf. U frynë e u shfrynë bashkë, ai hoqi kilet, ajo mustaqet, dhe shumëkush do mendonte se tani në etapën e pjekurisë, ishin konsoliduar si çift.
Në pamje të parë ashtu dukej. Nuk përplaseshin kurrë, dhe e vetmja e sharë vençe që Testagrande i kishte bërë në publik të shoqit, ishte kur thoshte: “Edhe ata që e kanë inat, e pranojnë se Lilo Çepani është një kafshë politike”.
U zemërua shumë, por këshilltarët pasi hoqën picir, arritën ta bindin se ishte kompliment i maskuar si e sharë. “Kafsha politike është kulmi i vlerësimit për një politikan”, i thanë.
Kafsha në fakt ia doli të marrë të njëjtën përqindje pushteti pasi braktisi Doktorin dhe lidhi kontratë me Të Gjatin. Disa thonë se ishte dyfishi, dhe në disa sektorë të qeverisjes ashtu dukej. Më parë e mallkonin demokratët, tani socialistët. Vende pune, tendera, konçesione, gjysmën e mos më shumë e merrnin njerëzit e partisë së Lilos. Ata mbinin edhe aty ku nuk e prisje, dhe për çudi, kishin të njëjtën strukturë antropologjike: Kokë të madhe, bark, qafë të trashë dhe ecnin me gjunjë të thyera. Kishin qarkulluar madje dhe barcoleta famëkëqija, të tipit “kur u mblodh sinodi i Kishës Orthodhokse, të gjithë priftërinjtë u çuditën kur panë mes një tyre dhe një bektashi të rangut Haxhi Dede. Po ti, ç’do këtu?, i thanë. Unë jam nga përqindja e Lilos, ishte përgjigjur ky”.
Dhe llafet merrnin dhenë, por pakkush e dinte se një përqindje të mirë të përqindjes së mirë të Lilos, e merrte Mari-Antuaneta hala pa shkuar paratë në shtëpi.
“Epo ç’të bëj?”, thoshte ajo duke buzëqeshur si fëmijë i zënë në faj, “jemi fis i madh ne Testagrandet, kemi shumë kushërinj!”
Një prej këtyre momenteve, Lilua nuk duroi më. Ja futi ulërimës: “M’u zhduk ti bashkë me kushërinjtë e tu!!!!”
***
U hodh përpjetë nga krevati. Ishte ujë në djersë dhe mezi merrte frymë. Iu deshën nja dy minuta të vinte në vete nga ëndrra e keqe, por kur kuptoi se ndodhej në qelinë e burgut, Lilo Çepani u çlirua dhe një buzëqeshje iu vizatua në fytyrë.
“Uhh shyqyr zotit! Thashë se isha akoma në pushtet, çfarë tmerri,” tha me vete.
Kishte disa ditë që e kishin arrestuar, dhe si rrallëherë në jetë, po e bënte gjumin top. Vërtet gjatë ditës bërtiste e ulëriste, shante gardianët nga motrat – edhe ata që ishin vetëm djem në familje – dhe përpiqej të kujtonte nominalisht të gjithë emrat e familjarëve të prokurorëve të SPAK. Donte t’i shante ‘ad hominem’ – i pëlqente shumë kjo fjalë latinisht, dhuratë nga ca intelektualë të shquar që iu bashkëngjitën dikur, kur u shkëput nga Tos Qorri dhe krijoi partinë e tij. Por mbase, ngaqë ngjirej e lodhej gjithë ditën, njësoj si fëmijët që telendisen nga të qarët, gjumin e bënte si sheleg.
E kishte parandjerë që do ta prangosnin, këtu e një vit më parë, kur prokurorët i thanë troç se kishte shumë gjasa ta prangosnin si hajdut. Pastaj e parandjeu herën e dytë, kur gjithë Tirana ziente se do t’i hidhnin hekurat. Herën e tretë nuk parandjeu, thjesht ndjeu prangat në duar, atje të kthesa e Kamzës.
Po kthehej nga një udhëtim pune në Kosovë e Maqedoni. Disa thanë se kishte shkuar për të bërë një kërkesë azili politik në Hungari. Nuk donte ta bënte nga Tirana se do linte gjurmë.
Por kjo tezë u përgënjeshtrua nga të tjerë, që pohuan se Lilua kishte shkuar në Tetovë t’i mbushte mendjen Menduh Thaçit – njëfarë ekuivalenti i dikurshëm i tij në politikën vendase, por me përqindje më të ulëta – të bashkohej me kryeministrin e djathtë Mickoski tani që u shkëput nga Ali Ahmeti. Në qoftë se do t’ia dilte, Mickoski i kishte premtuar përqindje. Po ashtu dhe Ali Ahmeti, në qoftë se do ta bindte për të kundërtën.
Po tani ç’rëndësi ka kjo? Kryesorja ishte që edhe në burg, të respektohej përqindja e partisë së tij mes të burgosurve. Duke numëruar të burgosurit e PS-së, PD-së dhe partisë së tij, Lilua ishte në mëdyshje. Me kë parti ta llogariste Ter Kokën? Po Alqi Bllakon? Si profesionist, Lilua e kish të qartë që po të doli njëherë nami se të ka rënë përqindja, s’të merr më kush seriozisht. Ndaj mendoi se do ishte mirë t’i shkruante SPAK-ut të fuste brenda dhe Mari-Antuanetën.
***
Kur i hyri për herë të parë politikës – vite përpara floririt të Krrabës – shihte shumë video të shokut Enver për t’i kopjuar posturën e trupit, lëvizjet e duarve, timbrin e zërit, kadencën. I duheshin patjetër votat e veteranëve, ndaj dhe u shfaq si anti-fashist. Mësoi të gjithë emrat dhe bëmat e heronjve dhe këngët partizane.
Ja që mundimi nuk shkoi huq; të gjitha këto tani në qeli i hynin në punë. Bënte pompa duke kënduar këngë partizane, të cilat i ndërpriste herë pas here për t’u kujtuar prokurorëve motrat. Për partinë nuk kishte asnjë merak. Pasi e dëboi Mari-Antuanetën - e akuzoi se kishte fjetur politikisht me Lul Flok-patëllxhanin duke djegur mandatet e deputetëve pa leje -, kishte nisur të stërviste për mëkëmbës Bilushin. Ky ishte besnik i dorës së parë dhe mbante shënim gjithçka thoshte Lilua kur ishte duke u stërvitur me susta, apo duke iu ngjitur mureve si njeriu-merimangë.
Ishte disi argëtuese të shihje sesi Bilushi, me dashje apo instinktivisht, kishte filluar ta imitonte në intonacion, fjalor dhe gjuhën e trupit. Madje familjarët e Bilos njëfarë kohe ishin bërë merak se djali kishte filluar të thyente edhe gjunjët kur ecte, por ky i siguroi se ishte fare mirë.
Lilua u qetësua dyfish kur iu kujtua Bilushi.
“Djalë trim,” mendoi, “dhe nga fis trimash”. Dhe ja mori ngadalë asaj këngës së famshme epike:
Bibilushët Trembëdhjetë
Vanë në litare vetë
Ngrehu Bilush të hedhç litarë
Dale bej, të pi cingarë
Se s’jam çanaku me dhallë
Po jam Bilushi me pallë!”………..
….Kështu ngjau në një ngrehinë me shtatë penxhere të kryeqytetit shqiptar, një ditë të hënës së tretë të Vjeshtës së Dytë të Motit 24, Dymijë vjet pas Krishtit. Hedhur në letër sipas rrëfenjave të gardianëve, nga robi i humbur i Allahut, Patronazhisti.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me tendenca të herëpashershme kronikane