REKORDI / Ndërtohet torta e Ditëlindjes së Doktorit, vetëm me qirinj!

15 Tetor 2024, 17:32Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një pamje e pjesshme e tortës së Doktorit

TIRANË – Shpirtit novator i artistëve shqiptarë, të cilët gjithnjë e më shumë janë të prirur drejt befasive dhe origjinalitetit, sot i është shtuar një prurje e re. Nuk është fjala as për piktura masive të bëra me tapa shishesh, pejsazhe të formuara me gozhdë, natyra të qeta të bëra me kruajtëse dhëmbësh apo Monaliza të bëra me pambuqe veshësh. Këto rekorde për Librin Guiness tashmë janë të tejkaluara.

Rasti ishte ideal: 80 vjetori i Doktorit. Pastiçerisë “Boronica” i erdhi një porosi urgjente për një tortë speciale. Kompozimi u mendua i thjeshtë dhe funksional: Baza e tortës do ishte me pandispanjë, kremi me vezë nga pulat kreshnike e Viçidolit – nga ato që duan katër orë të ziejnë – ndërsa shtresa e reçelit do bëhej me boronicë, plus kokrrat origjinale të frutit të çmuar, të spërkatura mbisipër. Afërmendsh, një numër 8 dhe një 0 prej qiriri, mjaftonin për të simbolizuar vitet e Doktorit.

***

Por situata u komplikua rrugës. I pari që nisi zullumin ishte Nul Moka. Ai i çoi pastiçerisë dhjetë qirinj specialë dhe i tha mjeshtrit: “Këto do t’ja ngulësh tortës nga unë”. Ustai i shkretë u mundua t’i shpjegojë se qirinjtë do t’i bënte me numra.

“Zoti Nul, po sikur në emrin tënd të vëmë Zeron? Doktori do ta kuptojë me siguri, se Nul, Zero, është e njëjta gjë!”.

“Lëri këto,” ja preu Nuli, “nuk na mjafton kjo qeveri gjakatare që na burgos dhe na pret të drejtën e fjalës, edhe ty kemi mangut tani!”

Njëri pas tjetrit, pastiçerinë e vizituan ilegalisht si shokët e qarkorit dikur, Baz Gardhi, Laki Luçiano, Albana Boksi, Belo Këllëfi etj. Secili la sasinë e vet të qirinjve, me urdhrin e prerë që ato të nguleshin si duhej në trupin e tortës së pafajshme.

Madje Patronazhisti mësoi se ndaj të errur, i veshur me një pardesy të vjetër dhe kasketë të ulur në sy, la në pastiçeri porcionin e vet të qirinjve edhe një burrë i gjatë me flokët patëllxhan që i dilnin anash kapeles. Kishte një buzëqeshje që nuk i ndahej nga portreti.

“Të lutem,” i tha ustait, “vëri edhe këta qirinjtë e mi euro-atlantikë tek torta, me shënimin ‘Vajza juaj ka nisur të shoqërohet me një maskara të papunë. Një mik që të do të mirën’.”  

Ankesës së pastiçierit se me kaq shumë qirinj, nuk do mbetej vend për vetë ëmbëlsirën, të gjithë iu përgjigjën se mund ta zmadhonte tortën sa të donte.

“E mban mend ti tortën e pavarësisë?” i thanë, “kur lojti mënç nga gëzimi i madh e i vogël, të rinj e të reja, shqiptarë e minoritarë, romë, egjiptianë, gollobordas dhe shtresa në nevojë? E pra, krahasuar me atë, misioni yt është shumë modest”.

***

Kur e mendoi dhe njëherë, pastiçieri u qetësua.

“E drejtë,” tha me vete, “shyqyr që s’më ngarkuan tortën e pavarësisë. Kjo torta e arrestit shtëpiak është pesë me hiç. Plus që boronicat m’i sollën falas. Do ta bëj më të madhe dhe vate kjo punë”.

Kështu, pasditen e 15 tetorit, një tortë madhështore me 80 qirinj të ngulur në tulin e saj të pambrojtur, mbërriti në rrugicën e Doktorit. Mbështetësit u hapën për të bërë vend. Mirëpo me aq shumë qirinj, tortën nuk e nxinte hyrja e pallatit.

E prenë anash me thikë dhe copat ua shpërndanë demokratëve. Por pastaj nuk e nxinte ashensori. Te shkretën vepër arti e qethën prapë. Të pranishmit, se nga nxorrën si me magji ca kova dhe legena, dhe i mbushën me copa ëmbëlsire. Të mallëngjyer, të gjithë bërtisnin “fitore” se iu kujtua torta e Pavarësisë.            

Në vijim, torta u shkurtua sërish sepse nuk merrte dot kthesën për tek hyrja e Doktorit. Kur e prenë për herë të fundit tek dera e shtëpisë, kishte mbetur vetëm një tufë me 80 qirinj.

“Doktor, edhe njëqind,” i tha Nuli, “kanë mbet vetëm qirinjtë, boronicat po i hanë demokratët”.

Doktori mërmëriti: “Kisha me t’thanë ça do hanë demokratët, por thuaj shyqyr që jam burrë me edukatë…”. 

Vini Re: Patronazhisti është një rubrikë satirike pro-turtave dhe pastave, por jo si këto të sotshmet. Ato që bënte Olimbia dikur ishin tamam.

Video