VIRGJËRESHA
Tipi yt sanguin dhe temperamenti i zjarrtë latin, e shpjegojnë qartë nevojën tënde të përhershme për komunikim intensiv me njerëzit.
Ajo që është pak më e vështirë për t’u shpjeguar, është përse shumica e
komunikimeve të tua janë në platforma të errëta si Sky ECC dhe Encrochat, dhe bashkëbiseduesit janë nga Amerika Latine, gjysma e tyre me emrin Pablo.
PESHORJA
Thonë se koha i shëron të gjitha plagët. Po atëherë pse mushkonjat anofele që të pickuan këtë verë në bregdet, vazhdojnë të të acarojnë lëkurën edhe në mes të dimrit, ndërsa mjeku të tha se rrezik të kesh marrë malarjen, pavarësisht se shteti ngul këmbë se e ka kryer dezinsektimin me uthull molle sipas rregullave?
AKREPI
Sali Berisha do dalë nga arresti shtëpiak dhe do hyjë në jetën tënde këtë muaj, për të të mbushur mendjen se është gjaku i ri i politikës që po pengohet nga dinozaurët që e kanë marrë në qafë vendin këto 35 vjet. Ai do jetë i shoqëruar nga kreu i Forumit Rinor, Tritan Shehu.
SHIGJETARI
Kujtohu: Gjithmonë dëgjo zemrën para çdo vendimi të rëndësishëm që do marrësh këtë muaj. Po pate vështirësi dëgjimi se të janë ulur rrahjet dhe ka rënë pulsi, provoje ta dëgjosh me stetoskop. Por nëse nuk të bën punë as stetoskopi, telefono urgjent ambulancën.
BRICJAPI
Do të të vijë në vesh, një zë lozonjar femëror si adoleshente e llastuar, që të fton të votosh për Partinë Socialiste vitin e ardhshëm, dhe alarmi i parë që do të të ndizet në tru, është të denoncosh në polici, shfrytëzimin e fëmijëve për politikë. Por pasi të çosh kokën, do kuptosh se ajo që flet në televizor është Belinda Balluku, 51 vjeçe.
UJORI
Më në fund, ky muaj do të të çlirojë nga debatet e pafundme që ke bërë gjatë vitit në mbrojtje të Donald Trampit dhe politikave të tij ekonomike. Zgjedhjet amerikane mbaruan dhe ti mund t’i rikthehesh debatit lokal mbi taksën e sheshtë kundër asaj progresive, teksa vazhdon t’i kërkosh lekë babait për kafe, edhe pse je 30 vjeç dhe s’ke prekur punë me dorë.
PESHQIT
Gjithmonë ke besuar se me lexim, punë, zgjuarësi, këmbëngulje, përmirësim të vazhdueshëm të vetvetes, mund të ecësh përpara në jetë dhe të bëhesh dikushi. Por kjo derisa filloi të të mbijë në televizor udhëheqësi Mul Noka.
DASHI
Duke u kthyer pas në kohë, tani që je më i kthjellët e kupton se duhet t’u kishe kushtuar më shumë vëmendje disa shenjave paralajmëruese që atëherë të dukeshin të parëndësishme.
Tek e fundit, Autoriteti Rrugor nuk i ka vënë kot tabelat për ulje shpejtësie.
DEMI
Ti e ke të qartë që koha dhe hapësira, tek e fundit janë vetëm iluzione të mendjes sonë. Prandaj acarohesh dyfish kur e kupton sesa shpesh ndodhesh në vendin dhe kohën e gabuar.
BINJAKËT
Ndikimi i Jupiterit, për fat të keq nënkupton ulje drastike të romancës në jetën tënde. Por nuk është ky problemi më i madh. E keqja është se Jupiteri nuk do shkulet nga shenja jote edhe për 20 vitet e ardhshme.
GAFORRJA
Është mirë që njeriu herë pas here të qetësohet, të ulë nivelin e alarmit të përhershëm dhe t’i lërë ngjarjet të ndjekin rrugën e tyre pa e vrarë shumë mendjen. Por mos bëj gafë ta zbatosh këtë këshillë ditën e shtunë, dhe ta lëshosh karrocën e fëmijës të dalë para autobuzit.
LUANI
Kohët e fundit ke patur kriza ndërgjegjeje, por yjet kanë zbuluar se nuk është faji yt. I ke parasysh engjëllin që të fliste në veshin e majtë dhe shejtanin që të përshpëriste në të djathtin, sa herë doje të merrje një vendim? Ata tani dalin bashkë dhe nuk u rruhet fare për ty.