
TIRANË/MAR-a-LAGO – Fitorja e Donald Trampit ishte aq bindëse sa Të Gjatit i erdhi turp nga vetja që kishte dyshuar ato dy muajt e verës kur sondazhet e nxirrnin më mirë Kamalën.
“Pika mu në sondazhe,” tha me vete, teksa e kapi një alarm i ri. Po sikur të gjitha këto testime e anketime që bënte për partinë me lekë në dorë, të rezultonin pesë me hiç? I ra me nxitim telefonit të Zalo Foshnjes dhe e hyri drejt e në thela:
“Ore mjeshtër, i ke bërë mirë këto pollet ti, që e nxjerrin PS-në 113%, apo do marrësh në qafë progresistët europianistë? Se e pe si e pësoi Kamala e shkretë.”
“Jooo,” ja ktheu Zalua, “ata s’dinë, prandaj e hëngrën. Anketimet e mia janë rigoroze, serioze, famoze por kurrsesi tekanjoze. Pastaj, kampioni që unë marr për bazë…”.
“Ik o Zalo,” ja preu I Gjati, “vetëm kij parasysh një gjë, se harron ndonjëherë ti. Mua do më japësh sondazhet e vërteta, jo ato lajle-lulet që nxjerr nëpër shtyp. Kapish?”
***
Mendja iu kthye prapë te Donaldi. Mori frymë thellë kur mendoi sa mirë kishte bërë që i kishte dhënë paradhënie Sazanin të bijës, Ivanka Shejtankës. Ishte në negociata për t’i dhënë dhe Korfuzin, por i thanë se atë e kishte greku.
Por tani duheshin marrë masa të reja. Fitorja e Donit ishte aq mbresëlënëse, sa meritonte një dhuratë me po kaq peshë. Nuk i thonë shaka, fitoi votën popullore, senatin, kongresin, me njëmijë dosje të hapura dhe dyqind pushtllëqe të konfirmuara me fakte. Premtonte se do dëbonte emigrantët latinë, dhe latinët e votuan me shumicë. Ngulte këmbë se do vazhdonte t’i kapte femrat nga poshtë, dhe ato e votuan pa hezitim.
“Ça personazhi gjigand,” buzëqeshi duke medituar, “më kujton veten. Kam dhjetë vjet që i kam lënë pensionistët pa bukë, u jap dhuratë vetëm ndonjë kofshë pule për Vit të Ri, dhe ata prapë lënë kokën për mua!”
Por e mblodhi veten. Mjaft me romanticizma, tha me vete dhe thirri urgjent për konsultime Bella Balluken.
“Dëgjo shtrigë,” i tha, “ne të dy do bisedojmë diçka serioze.”
“Ua zoti kryeministër,” u llastua ajo, “ç’janë këto muhabete, unë jam e lidhur”. Qeshën të dy.
“Lëri filmat se me këto koketërira ta merr mendjen ti,” dhe I Gjati u bë serioz, “sa banorë na dolën pe vërteti nga censusi i fundit? Se mos më thua të dhënat zyrtare”.
“Diku tek 1 milionë dyqind mijë vetë,” tha Bella, “por duke qenë se pensionistët mezi e nxjerrin muajin, shpresojmë se numri do ulet akoma”.
Shumë mirë, tha I Gjati, dëgjo tani…
***
Dhe i parashtroi një plan. Vërtet deri atëherë kishin rënë dakord për t’i dhënë Sazanin Ivankës së Donaldit, por edhe ajo e kuptonte që tani kjo dhuratë ishte shumë pak. Trampi do jetë kryebosi i botës, ndaj duhet ta kemi mirë me të, i tha. Ç’mendim kishte Bella, sikur t’i mblidhnin gjithë shqiptarët në Sazan, dhe pjesën tjetër të vendit t’ja linin Ivankës për agriturizëm?
“Si mendim nuk është i keq,” tha Bella mendueshëm, duke e fshehur me shumë mundim zënien gafil, “det po, diell po, plazh po… Por Sazani është keq me ujin. Pastaj si shumë i vogël për një milion njerëz. Mos bëhet si Gaza…”
I Gjati nxorri një hartë dhe tha me vendosmëri: “Shikoje hartën, kukumjaçkë! Janë mbledhur një milion vetë në Tiranë, dhe e kanë lënë bosh gjithë pjesën tjetër. Po të kishin kaq shumë neps për hapësira dhe ajër të pastër, nuk do ishin ngjeshur të gjithë si në kotec në këtë kryeqytet leshi. Jam I bindur se edhe në Sazan shumë mirë do jenë”.
Bella e mblodhi veten dhe thirri në ndihmë gjithë arsenalin e nazeve që i kishte mbetur.
“Gjeniale, je madhështor”, i tha shefit, “nuk më kishte shkuar mendja. Tani që po e mendoj, edhe nëse teprojnë ca vetë që nuk i nxe Sazani, unë e di ku t’i çojmë.”
“Pa hë?” u bë kurioz I Gjati.
“Në kampin e Gjadrit, ku tjetër? Ai bosh ka për të mbetur, mesa duken bathët!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike sazanistike