TIRANË – Me një çehre të merakosur që e përdor gjithmonë kur kombi ka një hall të madh, sharlatani deklaroi dje se në Itali njerëzit po ngordhin për bukë. Manipulatori sqaroi se vërtet aty njerëzit mund të marrin edhe 1500 euro rrogë, por 10-ditëshi i fundit i muajit i gjen duke lypur, apo duke ngrënë supë te Caritas-i. Madje gjendja është aq keq, sa edhe Caritas-i ndonjëherë shkon e ushqehet tek Gjysmëhëna e Kuqe.
“Kanë çmime të frikshme, qirara të llahtarshme. Por këta tanët nuk e dinë, dhe shkojnë si cjapi te kasapi. Në vend që të kthehen në atdhe dhe të investojnë, duke përfituar nga lehtësirat e pafundme që ofron qeveria, akoma shqiptarët duan të ikin. Ne s’pengojmë njeri, por ama siç thotë fjala, guri i rëndë në vend të vet,” shtoi delenxhiu, duke i shtuar mimikës së merakosur, edhe rrudhat e njeriut të mençur që e di se do t’i dalë fjala dikur, por ah, ç’e do, do jetë vonë.
***
Skuthi e bëri deklaratën e mësipërme në një të ashtuquajtur podcast, aktivitet që mesa duket është pjesë e punës për të cilën merr rrogën. Në këso rastesh, ai fton njerëz të ndryshëm para mikrofonit, heronj të heshtur të fushave të ndryshme të jetës, që supozohet të flasin për përvojat e tyre, por që në fakt mbeten të heshtur. Sepse vijnë për të dëgjuar llafollogun dhe këshillat që ka ai për qeverinë, por që kjo e fundit nuk ja vë veshin.
Në podkastin e mësipërm, vizionari i madh nuk shpjegoi se si mund të vijnë emigrantët shqiptarë të investojnë fitimet e tyre në Shqipëri, kur po i njëjti tha se ata nuk arrijnë të vënë para mënjanë nga çmimet e larta.
Por nuk është hera e parë që lojcaku lokal – i cili e ka ëndërr të jetë lojtar global – ka hendeqe dhe mospërputhje të hatashme në thëniet e tij legjendare.
Dikur ai u pat premtuar aborigjenëve vendas shëndetësi falas, por tani ata kanë falas vetëm këshillën e mjekut për të shkuar në spitalin privat, ose për të vajtur tek farmacia private aty tek kthesa, pasi farmacia e spitalit të ofron vetëm hedhje kupash.
Së fundi, pas një skandali të vockël premtoi tërmet të ri në spitalin onkologjik, por vetëm para dy ditësh dozat e kimioterapisë shiteshin sërish nën dorë.
Ai premtoi përmbysje të qelbsirllëkut të dikurshëm dhe pocaqisë së pafre në sistemin arsimor, por mbylli universitetet kioskore private, për t’i bërë edhe ato shtetërore si kurse analfabetizmi.
Katrani me bojë rriti GDP-në e vendit duke njëqindmilionëfishuar të ardhurat për dhjetë persona, dhe përgjysmuar ato të 2 milionë të tjerëve, por rëndësi ka që pjesëtimi i del në rregull. Dhe pastaj çuditet pse ikin njerëzit, kur ekonomia lulëzon!
I rriti rrogat e administratës me 80 përqind, ndërsa fuqia blerëse ka rënë me 120 përqind. Ua korrekton pensionin të moshuarve me inflacionin, dhe e quan rritje pensioni.
Ndonjë i pafytyrë do pyeste se nga dolën paratë që u rrit ekonomia, por harron që xhiroja e tregtisë së bananeve në Shqipëri – dhe ajo në Europë me tregtarë shqiptarë – ka kapur majat këto vitet e fundit. Edhe nga sateliti, porti i Durrësit sipas shkencëtarëve shfaqet me ngjyrë të verdhë.
***
Për këto që do pyeste se me çfarë tagri premton lart e poshtë delenxhiu dhe pse e akuzojnë për premtime të pambajtura, Patronazhisti ka mësuar se zullapi në fjalë, në fakt nuk është kryeministër. Made nuk është as politikan, siç thoshte shpeshherë në fillimet e karrierës së tij pod-castore. Bile ai edhe sot e kësaj dite, deklaron se po të vijë në pushtet, shumë gjëra do t’i bëjë ndryshe nga paraardhësit e periudhës 2013-2024, që kanë bërë njëmijë të zezat.
Por çfarë është atëherë?
Si t’ju thotë Patronazhisti juve… është njëfarë gaztori. Nëse e keni parasysh, gati çdo klasë shkolle e kishte – dhe e ka akoma, besojmë - nga një gallataxhi dyleksh që rrinte në fund të klasës, ishte dërrasë në mësime dhe bënte humor idiot duke u shkulur flokët vajzave apo duke u zgërdhirë pa lidhje. Pak a shumë si humoristët e sotëm më në zë që ka Shqipëria.
Pehlivani ynë është diçka e tillë. Por me një dallim. Ai gallatat i bën nëpër mexhlise të fisme, samite rajonale dhe europiane, ku shkon i ftuar si podcast-ist me nam. Fjala vjen, merr Anxhela Merkelin mënjanë dhe i tregon barcaleta, “ishte njëherë një shqiptar, një gjerman dhe një amerikan…”. Ose i del Xhorxhia Melonit nga pas dhe e përqafon papritur duke bërë që truprojat të vënë dorën në pistoletë. Ndërsa Xhorxhia qesh nga sikleti dhe u bën me shenjë të vetëve, “lëreni karagjozin, është pa zarar”.
E megjithë idiotësitë, prapë e ftojnë. Duket se aq shumë re të zeza janë mbledhur nëpër samitet e tanishme, saqë udhëheqësit kanë gjithnjë e më shumë nevojë për një arlekin që t’u lehtësojë disi atmosferën. Aq më shumë që ky është dhe i lezetshëm. Sepse kur i fton në zyrën e vet në Tiranë, u del përpara me tuta që s’i ka larë prej një jave, dhe i fton të bëjnë kosha në një biçim fushë basketbolli të improvizuar. Pasta u tregon dhe zhgarravinat e veta me ngjyra, që i quan vizatime (gjysma e të keqes, se dikur i quante piktura), por u sqaron se nuk i ka për shitje. Jo, në asnjë mënyrë. Por nëse ata ngulin këmbë, mund t’i marrin për 3 mijë euro copa.
Hë, meqë ra fjala, një herë të vetme e ka deklaruar pasurinë, shumë vite më parë, dhe kishte vetëm 3 mijë euro, të mbledhura nga podcastet e ndryshme.
P.S. Sipas njoftimeve më të fundit nga anxhesitë e lajmeve, mësohet se edhe në Gjermani njerëzit janë duke u plasur tufa-tufa përtokë nga të pangrënët. Disa prej të alivanosurve kanë mundur t’u përshpërisin reporterëve të huaj: “Kemi dy ditë pa ngrënë… për hiçgjë na rrahin dhe na lënë pa bukë…”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa podcast