SAPO NDODHI / Riformatohet qeveria, Taullau caktohet ministër i Parashqevisë

20 Dhjetor 2024, 17:30Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Taullau duke marre detyren e re

TIRANË – Patronazhisti ka mësuar se pak para nisjes për ekskursion me klasën në Kosovë, kryeministri i Gjatë shqiptar ka kryer një riformatim të heshtur të qeverisë, duke i porositur me takt ministrat të mos bëjnë zë. Se ndryshe do t’ua marrë shpirtin dhe do urdhërojë SPAK-un t’u sekuestrojë telefonat.

Kështu, burimet bëjnë me dije se Zv.kryeministrja Bella Ballukja do të vijojë të kryejë detyrat e shtrigës zyrtare të qeverisë, por portofoli i saj i punëve praktike do ngushtohet në Ministre të Shtimit të Miliona Eurove për Kilometër Rrugë dhe të Pagesës së Anijeve-Gjeneratorë për Zero Punë të Kryer.

Ndryshime të lehta pësojnë edhe sektorët që do mbulojë Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Burbuqja. Veç këtyre fushave, ai do jetë përgjegjës edhe për financat, mbrojtjen, rendin, drejtësinë, turizmin, punët e jashtme, marrëdhëniet me të tretët, relatat me të dytët, dhe Teatrin e ri të Kukullave.

Por mes këtyre risive të vjetra, risia më e re është caktimi i ish-ministrit për Diasporën, Taullau Bau, si Ministër për Parashqevinë.

“Ta dhashë këtë detyrë delikate se jemi para zgjedhjeve,” i tha në mirëbesim I Gjati Taullaut, “se më pyetën edhe në Bruksel liderët e Europës: Ore, si e kishit lënë ashtu Parashqevinë? Kështu do ta marrësh mandatin e katërt ti?”

“Pa merak zoti Kryeministër,” tha Taullau, i cili pak sekonda më pas u pikas t’ua bënte me shenjë kolegëve, “kush është Parashqevia?”   

***

Sektori i Parashqevisë është një fushë relativisht e re në ekonominë shqiptare, pak a shumë si teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale. Dikush mund ta quante edhe start-up. Ky sektor pësoi një zhvillim të befasishëm dy javët e fundit, kur një këngëtare e njohur shqiptare e viteve 80-të, që u zhduk nga skena kombëtare dhe emigroi në Amerikë para 30 e kusur viteve, u pikas në një stacion treni në Nju Jork në gjendje dramatike. Lajmet, fotografitë, videot mbi Parashqevinë shpërthyen rrjetin, të ndihmuara nga një biznesmen, thonë, shqiptar në Amerikë me emrin Elton, veprimtaria e të cilit i shkon fiks titujve të preferuar të gazetës së Meros, që fillojnë me ‘filania nuk i lë vend imagjinatës’.

Por xhiroja e të ardhurave që shkaktoi si ortek industria mediatike që u ngrit mbi Parashqevinë, nuk mbaron këtu. Madje ky ishte vetëm fillimi.

Në media filluan të shfaqen kategori sociale të panjohura më parë nga shkenca, si parashqeviologë, parashqeviofilë, parashqeviofobë dhe parashqeviofagë. Këta, të njohur e të panjohur, rrëfyen pa u lodhur të gjitha episodet dhe grimcat e jetës së tyre të dikurshme, ku në një mënyrë ose në tjetrën përfshihej dhe Parashqevia.

Njëri tregonte modestisht sesi e kishte ndihmuar Parashqevinë të pranohej në Festivalin e Këngës, se ndryshe e shkreta do vazhdonte të bënte qilima në Kavajë. Një ish-bashkëudhëtare në tren rrëfeu tmerret e komunizmit, sesi një burrë i ishte afruar Parashqevisë 20-vjeçare si një gonxhe – pa lidhje me ministrin Burbuqja - për t’i bërë një bisedë me ngjyra të dyshimta, ndërkohë që vetë dëshmitares, dy metra më tej, nuk iu afrua askush.

Një tjetër kukumjaçkë, ish-shoqe që sipas bashkëkohësve, i ka lëshuar pëllumbat që para 1990-ës, deklaroi sesi Parashqevia kishte fije sekrete deri në Byronë Politike, me shokët Prokop dhe Foto. Vëllai i kukumjaçkës, gjithashtu bashkë-pëllumbas, nënvizoi se nuk donte kurrsesi të hidhte baltë mbi Parashqevinë që shkonte me burra me poste, gratë e të cilëve e zinin në rrugë të shkretën dhe e kërcënonin.

Në spektrin e tregimeve që varionin nga “Parashqevia super-divë” deri tek “ça osh kjo me, ka knu pesë kongë për Enverin ene ça masanej?”, bëri pjesë dhe reagimi i gjatë dhe i elaboruar i një aktivisteje anti-komuniste me prind sigurims të rënë nga vakti, e cila me elokuencë deklaronte se nuk e njihte fare personin në fjalë. Por se kishte gjetur disa statuse të saj nostalgjike për komunizmin.

***

Fenomeni nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e qeverisë. I Gjati vendosi se angazhimi politik me diasporën ishte pesë me hiç. Sipas sondazheve rigoroze të organizuara nga Zalo Foshnja, shumica dërrmuese e emigrantëve ishin parashqeviofilë të deklaruar.

“Prandaj dëgjo këtu,” porositi I Gjati Taullau Baun, “po e sistemove Parashqevinë, kemi fituar automatikisht edhe votën e diasporës. Në qoftë se del me sukses, do të të bëj kryetar bashkie të Përrenjasit”.

Taullau e korrigjoi me gjysmë zëri, “Faleminderit shumë, po unë jam nga Librazhdi zoti shef!”

Por I Gjati ja preu shkurt: “Rri urtë se të çova në Cërrik!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e atashuar me Nertila Kokën

Video