E PADURUESHME/ Politikanët kërcënojnë nëse nuk votohen, traumatizohet kombi!

14 Dhjetor 2024, 19:16Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bella Ballukja e sapodalë nga kafazi

TIRANË – Re të zeza po i aviten kombit shqiptar me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Politikanët më në zë të vendit, tek të cilët kanë varur shpresat gjithë kushërinjtë e tyre për një vend pune, një tender, apo në rastin më të vobektë, një leje investitori strategjik, kanë bërë deklarata dramatike që i kanë prishur terezinë miletit, kanë shkaktuar trazim në stomak, marrje fryme dhe siklete të gjithfarllojshme në tualet, nga diarreja tek kapsllëku, që nuk është vendi për t’i rrëfyer këtu.

Sipas mjekëve të konsultuar nga Patronazhisti, këto simptoma janë të kuptueshme pasi marrja e lajmeve tronditëse shkakton prishjen e florës bakteriale.

Kështu, njerëzit fillimisht u panë duke ngrënë kos të thartë për të rregulluar midenë, apo duke pirë ujë të ngrohtë me sheqer, menjëherë pa deklaratës së Të Gjatit, se do largohet nga politika dhe do t’i kushtohet basketbollit profesionist, nëse vëllai i tij del i implikuar në rastin tashmë të famshëm të trafikut të endorfinës.

“Mooosss! Ky derëziu s’ka ditur të lozë kur ishte në vërsën e vet, e jo më tani! Ç’do na dëgjojnë më veshët, o zot i madh,” mërmëritën me dhjetra trupshkurtër dhe shtat-mesatarë, kur dëgjuan Të Gjatin.

***

Duket se premtimi i Të Gjatit është interpretuar si kërcënim ndaj votuesve të rëndomtë, atyre që kanë të njëjtën prerje mendore me prindërit e tyre të zhytur në ankth nga e panjohura, si atëherë kur vdiq shoku Enver.

Por ndërkaq, fakti që popullata zakonisht tronditet nga ultimatumet me shkëputje, largim, ndërprerje marrëdhëniesh… ta dish, unë nuk të shkel më në derë… po ika, nuk më sheh më në këtë botë dhe as në tjetrën… s’ke më punë me mua… mos jua pafsha bojën etj etj, del nga apatia dhe mobilizohet elektoralisht, bëri që modelin e Të Gjatit ta ndjekin një aradhë figurash të larta, të mesme dhe të shkurtra, nga gjithë ylberi i politikës shqiptare.

Kështu, ultimatumi i rradhës për votuesit erdhi nga Doktori, i cili deklaroi solemnisht se nëse nuk fitonte zgjedhjet as kësaj here, do t’i kthehej një prej zejeve të tij të mëparshme dhe do të zhytej në jetën private.

“Po s’fitova, them të rikthehem në zanatin tim si xhenier eksplozivësh, bashkë me brigadën time, një grup çunash nga Mamurrci. Dikur kemi punuar mirë, kishim kontratë me KESH-in për hedhjen në erë të shtyllave të tensionit,” rrëfeu me nostalgji Doktori.

Një tjetër zanat rezervë i tij, siç e rrëfen vetë emri, është mjekësia.

“Po, ka mundësi që edhe t’i kthehem sallës së operacionit. Jam në formë të shkëlqyer,” tha ish-kirurgu 123 vjeçar, i cili ashtu si bisturinë, ka përdorur me mjeshtëri edhe gërshërët për t’u prerë në mes të rrugës pantallonat borgjezo-revizioniste studentëve të Mjekësisë.

Por në një moment reflektimi, Doktori filloi të mendojë me zë: “E di çfarë? Unë jam marrë në kohën e lirë edhe me trigonometri, ndërtoja piramida me tufa parash, dhe në fund bëra një të bukur me koka njerëzish. Mund t’i kushtohem prapë piramidologjisë!”

Vetëm ideja se Doktori mund t’i kthehej të paktën njërit prej profesioneve të tij rezervë – largqoftë të trijave bashkë – u futi të dridhura në trup shqiptarëve.

***      

Një kërcënim të veçantë lëshoi edhe kreu i partisë së vetes së vet, republikani Mehdi Fatihu, i cili tha prerë se ishte gati t’i kthehej zanatit që nuk e ushtroi kurrë, inxhinierit të naftës, nëse Doktori nuk e fuste në listën e deputetëve të sigurtë.

“Ju më njihni, unë nuk e duroj dot zvarritjen pas të tjerëve për pak karrierë, qofshin këta i ndjeri Sabri Godo, themeluesi i Partisë Republikane; qoftë Doktori që u bëftë 254 vjeç; qofshin kongresmenët amerikanë që u kam hedhur trutë e gomarit dhe pandehin se jam politikani numër 1 Ballkanit,” tha Mehdiu, “prandaj ka ardhur koha që republikanët shqiptarë të kenë një deputet të zgjedhur me vota demokratësh. Përndryshe ju lashë shëndenë”.

Por ajo që shokoi më shumë audiencën dhe i futi tartakutin sistemit shëndetësor në vend dhe rajon, ishte vendimi befasues i liderit të vërtetë të demokratëve, Nul Mokës, ai që lëviz në prapaskenë fijet e partisë duke lënë të shfaqet si lider Doktorin.

“Po humbëm, unë nuk them se do kthehem prapë në zanatin e mjekut,” tha Nuli, “por ama do jap intervista me bluzë të bardhë dhe stetoskop në qafë, që të mos dini nga të veni!”

Një komision mjekësh veteranë u mblodh pas këtij kërcënimi dhe bëri një deklaratë të përbashkët:

“Edhe vetëm fakti që zoti Nul do shfaqet figurativisht si mjek, përbën një rrezik të madh për sistemin tonë të brishtë shëndetësor. Pacientët do marrin malet; prindërit do shkulin leshtë dhe do fshehin fëmijët nëpër kushërinj duke u ndërruar emrat, mjekët e vërtetë do fillojnë drogën nga stresi, ndërsa infermierët do kryejnë vetëvrasje masive thjesht nga ideja se teorikisht do mund të punonin bashkë me Nulin. Këto të dhëna të shpejta i mblodhëm nga sondazhet tona. Vini pra, dorën në zemër, dhe lëreni Nulin të fitojë”.

***

Një paralajmërim që tingëlloi si udhëtim pas në kohë, ishte ai i socialistit Klendi Kosi. Ai kërcënoi se nëse dilte dobët këto zgjedhje, do të kthehej në zanatin e tij si shef IT-je në kryeministrinë e Tos Nanos, në kohën kur qeveria s’kishte asnjë kompjuter dhe IT-ja si detyrë riparonte makinat e shkrimit dhe ndërronte llampat e djegura.

Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Pize Vengu deklaroi se nëse dështonte në detyrën e tij të re politike si i ngarkuar i komitetit central për Qarkorin e Vlorës, do t’i kthehej pa vonesë angazhimit të tij të mëparshëm si nxënës i vitit të dytë gjimnaz.

“Më ka marrë malli për shokët,” e tradhtuan emocionet Vengun e përlotur, që shtoi, “dhe për mësuesen kujdestare”. 

Të gjithë këto paralajmërime, u peshuan siç duhet nga elektorati shqiptar, që deklaroi njëzëri se ekuilibrat e brishtë të vendit do tronditeshin nëse të sipërpërmendurit dhe kolegët e tyre do t’u ktheheshin jetëve të mëparshme. Prandaj ditët e fundit, një seri peticionesh të shqiptarëve, u kanë bërë thirrje të njëjtëve shqiptarë që të vënë dorën në zemër dhe t’i votojnë këta tipa për të mbledhur mendjen.

“Të rrinë aty ku janë. Nuk i duam nëpër këmbë,” është mesazhi i njëzëshëm.

***

I vetmi rast - ose përjashtimi që sanksionon rregullin – kur shqiptarët jo vetëm që nuk u tromaksën, por e pritën krahëhapur kërcënimin për largim nga politika në rast dështimi, ishte Bella Ballukja.

Ministrja zëvendës-kryeministrore, duke folur sikur të kishte karamele me kanellë në gojë, kërcënoi përkëdhelisht se nëse nuk bëhej kryeministre pas zgjedhjeve të 2025-ës, do t’i rikthehej punës së vjetër si koordinatore e kompanisë celulare AMC në spektaklin e famshëm intelektualo-filozofik, “Kafazi i Artë”.  

“Bravo Bella,” thanë njëzëri të anketuarit nga Patronazhisti, “apo ç’të shkon ajo punë! Ti je e prerë për Kafaz”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk kërcënon me kthim në punën e mëparshme, daç votojeni, daç jo!

Video