
TIRANË – Një incident i rëndë ndodhi në protestën e fundit të 130 opozitarëve shqiptarë, ku 127 ishin të Doktorit dhe tre të Lirisë – jo të së shoqes, por të partisë së Lilos. Ata u ndanë në 5 skuadra dhe bllokuan pesë kryqëzime të Tiranës, që ishin gjithsesi të bllokuara për shkak të shiut.
Sigurisht, incidenti nuk ishin shpullat që Nul Moka u jep rregullisht policëve në çdo protestë. Ai shpreson se ndonjë nga ata, dikur do nxehet dhe do t’i kthehet vendçe, do ta bëjë për spital dhe Nuli do bëhet hero. Por planet mesa duket, iu prishën përfundimisht.
Papritur e papandyer, ai që u ndodh i shtrirë në shesh, me tre kamera dhe tridhjetë celularë që e filmuan rastësisht, me rob të shqetësuar që bërtisnin, “sillni ujë, sillni ujë”, “a ka ndonjë doktor këtu” – dhe Doktori bënte sikur s’dëgjonte - “hapuni se i zutë frymën, intelektualët nuk e durojnë dot rrëmujën” etj etj, ishte Gonia.
Po, po, Gone Gjonmarkaj ra mbërdhe në mes të rrebeshit, dhe çuditërisht të gjithë kërkonin që dikush të sillte ujë. Bile një grua protestuese doli menjëherë para kamerave, qull nga shiu, dhe u ankua: “Dikush ra përtokë, më duket se ishte deputet, dhe askush nuk solli as një shishe ujë”.
***
Kur Doktori kërkoi t’i shkonin Gones si grup për vizitë në spital, Nulit sa s’i ra pika, po e mbajti veten. Por kur Doktori deklaroi se Gonen e rrahën narko-policët, Nuli e ndjeu se vërtet po i binin të fikët nga inati. Por e kuptoi që s’ia vlente të binte aty përdhe, sepse vërdallë nuk kishte policë dhe do t’i shkonte heroizmi dëm. “Baniu burrë,” i tha vetes, “herës tjetër do jetë rradha jote”.
Vetë Gjonmarkaj nuk guxoi të deklaronte se e rrahën policët, por solli nëpër dhëmbë një koment intelektual:
“Policët më shtynë me përbuzje, dhe mua diçka m’u këput në gjoks. Unë e pranoj që nuk jam tip sportiv, nuk bëj as fiskulturë, por kaq shumë përbuzje nuk më kishte bërë vaki ndonjëherë”.
Edhe pse shkenca e mjekësisë ka njohur raste kur njerëzit kanë rënë përtokë nga përbuzja policore, të paktë ishin ata që besonin se Gonia ishte rrahur në kuptimin klasik të fjalës.
Edhe vetë deputetët demokratë, nga zilia që Gjonmarkaj u bë hero nga hiçi (ky që deri dje na shante Doktorin!), filluan të hedhin për konsum në media, arsye nga më të larmishmet për rrëzimin e Gones.
Disa thanë se jo përbuzja, por indiferenca policore e hodhi Gonen në shesh; të tjerë ja vunë fajin mendjemadhësisë së një polici atypari; një tjetër tha se fajtor ishte karakteri flegmatik i një shefi komisariati.
Ndërsa reagimi më i stërholluar filozofikisht, erdhi nga deputeti Xhelal Mëzati, sipas të cilit Gjonmarkaj thjesht u derdh në asfalt si oktapod, ngaqë atë pasdite i mungonte shtylla kurrizore.
Patronazhisti ndërkaq ka mësuar se sapo të marrë veten, Gonia do t’i sqarojë të gjitha arsyet që çuan në rrëzimin e tij, me shkrimin satirik të rradhës, me titull “Gone Gjonmarkaj o lule/ Topi bam e ti s’u tute”.
P.S. (megjithëse ky tekst bën fjalë për P.D.-në) Burime të lagura informuan në mirëbesim Patronazhistin, se arsyeja e vërtetë pse Gone Gjonmarkaj u këput përtokë në moshën më të bukur, ishte se atë çast Doktori i kishte pëshpëritur në vesh, “lodhu sa të duash, nuk je në listën e deputetëve”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-protestave, anti-bllokimit të trafikut