SKEMA / Zbulohet strategjia e Doktorit për të fituar zgjedhjet: Të shkojë i paftuar nëpër varrime!

1 Shkurt 2025, 19:55Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktori bën sikur studion libretin e varrimit në sikletin e dukshëm të dy kryeministrave

TIRANË/BERLIN/BARJAM CURR – Me një çehre të përzishme, veshje të përshtatshme për rastin dhe një qëndrim të trishtuar, kryetari i Partisë Demokratike bëri bujë këtë javë me praninë e tij të beftë në krye të ceremonisë solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit kryepeshkopit ortodoks, Anastasit.

Duke shtyrë majtas dhe djathtas, por sidomos majtas, të gjitha pengesat që i dolën përpara, si policët, truprojat e dy kryeministrave – Qirjakos dhe Edit –, përgjegjësit e protokollit dhe pasi rrëzoi nga shkallët disa priftërinj që e shihnin si të shastisur, Doktori shkoi e u ngul majë arkivolit të të ndjerit, duke vështruar me mallëngjim turmën e madhe të besimtarëve të thjeshtë dhe dinjitarëve, i bindur se ata ishin mbledhur për të.

Edhe pse fjalimi elektoral që kishte përgatitur për rastin, nuk u mbajt sepse priftërinjtë filluan të këndonin për përcjelljen në parajsë të kryepeshkopit – a thua se Shën Pjetri nuk do ta pranonte në mbretërinë qiellore pa muzikë – prania e Doktorit në këtë tubim kundër narko-diktaturës, u cilësua si sukses i padiskutueshëm nga Partia Demokratike.

“E mira do ishte që eventi të ishte mbyllur me K’cimin e Tropojës,” tha Jozi, sekretarica e partisë për Diasporën, “por edhe kështu mirë vajti, u kënaqëm”. 

Patronazhisti ka të dhëna se në fakt, kjo është edhe një nga pikat më të forta të strategjisë së PD-së për fushatën elektorale të zgjedhjeve të Majit 2025: Të çojë Doktorin kudo nëpër Europë, ku ka ceremoni varrimi në të cilën mund të ndodhet qoftë edhe vetëm një emigrant shqiptar.

“Unë ju garantoj jueee,” tha Doktori në një mbledhje përgatitore të kryesisë së partisë, “se shqiptari e ka të shejtë ritualin e përcjelljes së fundit të të ndjerit. Jo mor zotëri, nuk mund t’i lemë këto ceremoni solemne në dorë të krimit, të lubive të hajdutërisë sorosiane. Ne do ta fitojmë votën e diasporës në këtë botë dhe në tjetrën!”

Kësisoj, anëtarët e kryesisë dhe deputetët demokratë janë ngarkuar të gjejnë çdo rast vakie nëpër kontinentin europian. Nga ana e tij, Doktori gjatë këtyre ditëve ka bërë prova për të performuar gjamën e burrave, sipas zakonit të lashtë të malësisë, me ndihmën e teknologut të kanunit, bajraktarit të Lezhës dhe Bregut të Matit, Agron Markagjon Gjonmarkajt.

Udhëtimi i fundit i Doktorit drejt Berlinit kishte të bënte pikërisht me një rast të tillë, sigurojnë burimet, dhe aspak me një tubim të rëndomtë emigrantësh. Kështu, ai u prezantua si fanti spathi në mes të ceremonisë së përcjelljes së 85 vjeçarit gjerman Einzwei Polizei, dhe nis të mbajë fjalim për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-gjermane.

“Das ist das Wunder der Freiheit”, e përfundoi fjalën e tij mortore Doktori, duke përsëritur në gjermanisht shprehjen e tij lapidare “dhis iz a mirakëll of fridom”.

Gjithsesi, në transmetimin televiziv nga Syni TV, në ekran parakaluan shpejt e shpejt gërmat e sponsorit gjeneral, “ky udhëtim mundësohet nga SPAK deri në një urdhër të dytë. SPAK, udhëtoni të sigurtë dhe vërini gishtin kokës”.

Historikisht, Doktori është specializuar në përdorimin e ceremonive mortore në përpjekje për të fituar zgjedhjet. Kjo teknikë elektorale arriti kulmin në vitin 1997, për të vijuar në shtator 1998, përgjatë gjithë vitit 1999 – kur i bëri dhuratë vendlindjes së tij, Tropojës, me qindra evente të lezetshme mortore – dhe deri në 21 janar 2011, kur Doktori me skrupulozitetin e tij profesional, u rrinte mbi kokë ushtarëve të Gardës për t’u treguar se cilin nga protestuesit duhet të qëllonin: “Jo atë që vrapon more djalë, bjeri atij tjetrit, që rri me duar në xhepa. Aaa bravo!”

Në ndërkohë, këtë traditë të bukur ai ua përcolli me sukses edhe fëmijëve. Në gjurmët e të atit, i biri ja doli të shkaktojë të paktën 26 sebepe për t’u mbledhur në 15 Mars 2008 në Gërdec (thonë se janë edhe më shumë). Dhe efekti elektoral ishte i menjëhershëm, sepse një vit më pas, fshati në fjalë - ata që mbetën gjallë - votoi 90 përqind për PD-në në zgjedhjet parlamentare.

Kuptohet, ndonjëherë ka edhe dështime. Ca ditë më parë, Doktori ishte veshur siç duhet, me kravatë, kostum dhe çorape të zeza dhe këmishë të bardhë, sepse e njoftuan që Luli kishte bërë aksident.

Teksa ishte duke u stërvitur para pasqyrës për fjalimin e rastit, “Luli, ky tribun i lirisë, ky pishtar i demokracisë…” etj etj, e njoftuan se pishtari ishte shëndoshë e mirë dhe gjithçka ishte një alarm falso.

“Epo pikë e zezë,” turfulloi Doktori, “këtu s’e ka njeri mendjen për punë. Po do ta mbarosh një gjë, bëje mirë - bëje vetë!”

Vini Re: Patronazhisti zakonisht është rubrikë satirike jo kaq makabre

Video