
TIRANË/VLORË/JANINË – Shëtitja që i Gjati i bëri nëpër Tiranë Ismail bej Vlorës në prag të ardhjes së vitit të ri 2025, ishte kryefjala e mediave të Europës, nga epoka e Iluminizmit e këtej. Sepse falë teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, komunikimi është i dyanshëm: Jo vetëm liderët aktualë mund të zgjedhin të komunikojnë me personazhe historikë të së kaluarës, por edhe shtypi i dikurshëm mund të informohet për ngjarjet që do ndodhin qindra vjet më vonë.
Një nga shenjat e para të xhelozisë mësohet se erdhi nga Napoleon Bonaparti, i cili i bëri namin presidentit francez Makron me një artikull të botuar në gazetën Moniteur të 2 janarit 1811.
“Emanuel, të raftë një pikë ishalla,” është ankuar gjenerali e më pas perandori famëmadh, “shokët e tu gjezdisin të mëdhenjtë e historisë së tyre, u tregojnë arritjet dhe i mbajnë në pëllëmbë të dorës, ndërsa ty të dridhet dora për një pikë raki!”
Por meqë nuk është vendi këtu për të rreshtuar ankesat e gjigandëve botërorë të historisë politike ndaj pasardhësve të tyre sipas vendeve, le të përqendrohemi tek I Gjati, i cili, sipas burimeve të sigurta të Patronazhistit, nuk është mjaftuar vetëm me Malo beun në guidën e tij të Shqipërisë turistike.
***
Një respekt të veçantë tregoi I Gjati për Aliun nga Tepelena, kontaktin me të cilin e siguroi përmes Tërmetit, që ka ca kushërinj në Janinë. Pamjet e videos tregojnë Të Gjatin duke i treguar Ali Pashës rinovimin e kalasë së Tepelenës, rrugën e re të Kardhiqit që pret shkurt për në Delvinë e Sarandë, si edhe sarajet e kryeministrisë në Tiranë.
I Gjati iu ankua Aliut se dikush kishte ndërtuar ngjitur me kryeministrinë, një strukturë fantazmagorike prej druri të veshur si pyll vertikal, që i zinte diellin.
“Po s’kam ç’i bëj, s’ja prish dot se e ka me leje, dhe ka harxhuar 4 milionë euro,” i tha I Gjati.
Plaku 80 vjeçar ja ktheu: “Ti mos e prish, po merrja për vete dhe atij jezitit priti kokën mo gaz! Je apo s’je pashai i këtij vilajeti?”
Në vijim, I Gjati nxori për shëtitje Esadin e Toptanëve. Pasi u ndalën për një kafe tek ish kalaja e kthyer në Pazar, ata u hodhën deri në Beograd, ku Esadi ka një rrugë me emrin e tij.
“Krajlin e sotëm, Aleksin, e kam shumë mik,” iu rrëfye I Gjati me modesti Esadit, “vetëm se ç’e do, është dy centimetra më i shkurtër se unë firauni. I thashë të këmbente ca toka me Kosovën se mos zgjatej, po aha, xhuxhmaxhuxh ka mbetur”. Dy miqtë këmbyen kujtimet e tyre për Parisin.
“Aty ku të vrau Avniu ty, pranë hotel Continental, pak më poshtë unë shisja piktura dhe ikona false,” tha I Gjati me nostalgji, “ja kam kaluar mirë në Paris”.
“Ndërsa unë jo dhe aq,” mërmëriti Esadi.
***
I etur për ta shfrytëzuar teknologjinë deri në fund, I Gjati vendosi të lidhej me ilirin Bato, udhëheqës i kryengritjeve të egra kundër romakëve.
“Po hajde mo figurë,” i tha Batos, “ç’i deshe tërë ato luftra me Romën? Asaj më kollaj ja ha kokën me të mirë. Dëgjo, dëgjo si t’ja bësh: I afrohesh Romës nga pas fshehtaz kur të keni ndonjë samit, i hedh duart në qafë dhe e puth në gushë! Aty s’ka ça bën, do dorëzohet. Kështu ja bëra unë Melonit, dhe që atëherë, të gjitha gratë udhëheqëse të Europës presin me bisht të syrit se mos u afrohem tinëz nga mbrapa!”
Në një udhëtim tjetër në kohë, I Gjati i propozoi mbretëreshës Teuta të linte mënjanë sulmet pirateske ndaj anijeve romake dhe të fillonte punë si ministre e Mbrojtjes.
“E pata një Teutë tjetër tek Mbrojtja,” tha ai, “por ajo hyri në politikë për të gjetur burrë, pastaj filloi t’i jepte limanet ushtarake për hotele, dhe mori dhe një leje investitori strategjik për vete, kukumjaçka!”
Por në momentin kur po i bënte këtë ofertë Teutës së shkretë, se nga i mbiu brenda në video, dora vetë Bella Ballukja, që e kapi Teutën me delikatesë për flokësh dhe e vërviti jashtë videos.
“Qërromu që këtej, laraskë!”, i bërtiti Bella Teutës, “unë mezi duroj dënglat e Spirodhallës që më bën si Pasionare Llapa, edhe ty kisha mangut!”
***
Duke qenë se programi i inteligjencës artificiale ende nuk është perfeksionuar, I Gjati kishte vetëm një mundësi tjetër për t’u lidhur me heronjtë e së shkuarës. Në mendje sigurisht, kishte Skënderbeun. Do t’i tregonte gjerë e gjatë, sesi kishte lyer dikur pallatet e Tiranës me bojra, si kishte kthyer Lanën dhe Parkun Rinia në identitet, si kishte krijuar Shqipërinë elektronike, ku gjithë shteti ishte futur në kompjuter dhe tani hajdutët nuk lodheshin të vidhnin e digjnin regjistra prej letre nga njëra zyrë në tjetrën, por hakeronin gjithë sistemin për pesë minuta… Por u frenua. Mendoi sesi do ndihej Kënua kur të shihte malet e Krujës gropa-gropa, plot me punishte gëlqeresh dhe fabrika çimentosh…
Lëre fare, tha me vete, do mendoj ndonjë personazh tjetër…
P.S. Këto çaste, sekuencat e videos së fundit historike të Të Gjatit po shfaqin një bisedë të ëmbël të tij me Kleopatrën e Egjiptit në studion e tij artistike në Surrel, ndërsa e shoqja i bie derës me nervozizëm nga jashtë, por askush nuk përgjigjet.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike më e prirur pas inteligjencës natyrale, pasi me atë artificiale diku do ngecësh