EKOTURIZËM / Emocionuese, PS-ja vendos ta lëshojë Mandi Pajkon në habitatin e vet natyral

11 Janar 2025, 20:17Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mandi Pajko (djathtas) duke u cmallur me komshinjte e vjeter pas leshimit ne habitatin e eger

KUKËS/ TIRANË/ NJËSIA 5 – Ishte një përmbyllje e bukur dhe emocionuese për një karrierë gati 35 vjeçare politike, vendimi i fundit i Partisë Socialiste për ta rikthyer më në fund deputetin Mandi Pajko në natyrën e egër, në habitatin e vet natyral të Njësisë 5 në Tiranë.

Të martën paradite, skuadra e ekoturizmit politik në PS e hapi me kujdes derën e furgonit të posaçëm të departamentit të konservimit natyror, duke pritur që deputeti Pajko të ri-aklimatizohej me mjedisin dikur aq familjar për të, në rrugicat pranë ish-Stacionit të fundit të Tiranës së Re në kryeqytet. Ekspertët vëzhguan sesi deputeti, fillimisht i stepur ngaqë ishte mësuar me jetën në robëri, nuk po dilte jashtë kafazit.

Po u deshën vetëm pak sekonda që ai t’i rikthente në kujtesë dyqanet, rrugët, gjeografinë e lagjes që dikur i dha aq famë. Specialistët e arkeologjisë politike edhe sot kujtojnë sesi për njëfarë kohe, toponimet e Njësisë 5, dikur mini-bashkia 5 dhe më herët, zona e Tiranës së Re, ishin unifikuar në “pallati i Mandi Pajkos,” “rrugica e Pajkos”, “zona e Pajkos” etj.

Pak çaste më vonë, studiuesit shënuan sesi deputeti doli me ngurrim, por më pas gjithnjë e me më shumë vetëbesim, dhe filloi të ecë në rrugicat e ish-atdheut të vet të vogël. Njerëzit filluan ta përshëndesin, madje disa dyqanxhinj i kujtuan edhe disa pazare të papaguara të së shoqes këtu e 25 vjet më parë. Atëherë Pajko brofi nga gëzimi, “Po, më kujtohet mirë, kështu ishte ajo me shitëset. Kjo është lagja ime, kështjella socialiste e Tiranës!” 

***

“Është një nga ato episode që edhe të gëzojnë, edhe të trishtojnë,” pohoi me emocion socialistja e re, Episa Spirodhalla, e pranishme në ceremoninë mallëngjyese.

Ajo pastaj mori kot sepse pa kamerat, “unë mbaj mend që ne të rejat socialiste, me vrull të madh revolucionar, i hymë kësaj rruge të vështirë plot me të hypura e të zbritura, të frymëzuara nga shembëlli i math i shokut Mandeli Pajko…”. Episa vijoi fjalën e saj në sfond, pasi kamerat e kuptuan që kryetarja e Parlamentit u kurdis dhe ikën.

Siç dihet, misioni i fundit i Mandi Pajkos kishte qenë qarku i vështirë elektoral i Kukësit, ku socialistët e kanë shumë të zorshme fitoren. Klima e ashpër, terreni shkëmbor dhe dimrat e egër të asaj zone, ishin një sfidë edhe për Pajkon, i cili vërtet ka një origjinë disi korçare, por është lerë e rritur në Tiranë dhe i ka humbur instinktet kontinentale.

E megjithatë, I Gjati e çoi Mandeliun (shoku im, Mandolina, i thoshte ai me përkëdheli) në Kukës pikërisht se ai kishte një avantazh: Ishte figurë e dashtun si për kuksianët, ashtu dhe për Kosovën matanë kufirit.

Sot të rinjtë nuk e mbajnë mend, por Mandi Pajko ka qenë kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, në moshën 17 vjeçare. Ishin kohë të vështira dhe njerëzit piqeshin shpejt, pastaj thinjeshin që 25 vjeç. Ai e përballoi krizën e refugjatëve kosovarë në vitin 1999 me sukses: Në fillim qante poshtë tavolinës duke mërmëritur, bobo, ç’mu desh mua kjo punë; pastaj si udhëheqës strateg dhe largpamës u tha përfaqësuesve të NATO-s që i kërkonin mbështetje logjistike, “merrni ç’të doni, bëni ç’të doni, na dhe çelësat e zyrës, mua më sollën kot këtu, do vij ndonjëherë për t’ju parë si punoni”.

Ndërsa në fund, kur bombardimet e NATO-s mbaruan dhe familjet e refugjatëve u kthyen në shtëpitë e tyre, çuditërisht Pajkon e pritën si hero në Kukës dhe në Kosovë.

Rezultoi se gjithë ç’kishte bërë NATO dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar Kosovën, të shkretët besonin se i kishte kryer Pajkua me vizionin e tij të pakrahasuarshëm. 

***

Mandi Pajko i takon atij brezi politikanësh që kanë bërë epokë në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo epokë vazhdon edhe sot. Ai dhe ca shokë të tij, pasi mbaruan shkollën e lartë, rrogën e parë që kanë marrë në jetë ka qenë si deputet, pastaj si ministër dhe/ose kryeministër.

Legjendat urbane europiane thonë se është pikërisht Mandi Pajko, personazhi i vërtetë i një barcalete të një zyrtari të moshuar europian, që po i thoshte një kolegu të vet: “Sapo takova një ish-kryeministër shqiptar 30 vjeçar”.

“Qenka veteran në politikë,” ja ktheu tjetri, me siguri seriozisht.

Sot e kësaj dite, shumë gjimnazistë shqiptarë ëndërrojnë të bëhen njëherë drejtorë në shtet, pastaj të vazhdojnë shkollën e lartë, për të pasur mundësi të bëhen ministra. Kjo, falë shembullit pozitiv të ofruar nga Pajko, ish-kolegu i tij Lilo Çepani etj.

Ndërkaq, vendin e Mandit në Kukës si i dërguar i komitetit central e zuri Eduard Calci, i cili sapo mori emërimin, deklaroi: “Doktori na akuzon se ne vjedhim vota në Kukës. Kjo është shpifje, por sido që të jetë, ne nuk do vjedhim harbutçe si ai”.

*** 

Ndërkohë, vëzhguesit socialistë të natyrës së egër e humbën nga sytë Mandi Pajkon. Ai ishte tretur nëpër rrugica, mesa duket i përshtatur shumë shpejt me habitatin. Për të hequr merakun, këto ditë socialistët kanë dërguar njerëz për ta vëzhguar Pajkon në fshehtësi, sesi ja çon me jetën e re. Por i dërguari i fundit, ministri i Mbrojtjes Pize Vengu deklaroi se nuk shihte gjë prej gjëje, edhe pse kishte marrë dylbi profesionale. Ishte I Gjati ai që vuri re se Vengu nuk ja kishte hequr fare kapakët e zinj dylbive.

Para zgjedhjeve të majit 2025, qeveria do bëjë një tjetër census të specieve të mbrojtura, dhe bashkë me pelikanin kaçurrel do të identifikohen dhe numërohen edhe socialistët e lëshuar në natyrë. Atëherë konservacionistët shpresojnë që Mandi Pajko të pikaset, bashkë me individë me të cilët ka ndarë një histori të përbashkët, si Damik Nokle, Gramor Zuçi, Musa Peqini etj. Ata tani janë një aset i vyer i ekoturizmit tonë politik, dhe madje pritet që së shpejti të hyjnë në listën botërore të trashëgimisë tejet materiale, të ruajtur nga BURLESCO. 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike ekologjike

Video