TIRANË – Numri i skllevërve vullnetarë të angazhuar është dyfishuar këtë javë, për të bërë të mundur mbajtjen e ritmit të duhur për përfundimin e Piramidës së madhe të Doktorit, projekti madhor që siç Patronazhisti ka raportuar herë pas here, duhet të jetë gati për të pritur banorin e saj të shquar.
Ndërsa mjekët kanë konstatuar se simptomat që Doktori ka shfaqur prej kohësh, ato të Spakizmit kronik, po vijnë duke u përkeqësuar, përfundimi në kohë i strukturës gjigande në terrenin ku dikur ndodhej selia qëndrore e Partisë Demokratike merr rëndësi të veçantë.
“Vetëm piramida më e madhe në histori është e denjë për banesën e fundit të Viganit të madh Liberator,” tha shoku i tij i vjetër i armëve, Tritol Shehu, “sepse piramida është simboli i asaj çka u dha shqiptarëve ky udhëheqës i pashoq”.
*
Mediat shpesh kanë raportuar mbi ritmet e ndërtimit të veprës gjigande, e cila do të eklipsojë totalisht liliputin piramidal nga ana tjetër e Lanës, e projektuar dikur si banesa e fundit spirituale e ish-diktatorit komunist Tarras Bulba.
Sipas mbikqyrësit të projektit, ndërtuesit të sprovuar Burri i Argitës, piramida 120 mijë tonëshe, që do të jetë e dukshme edhe nga demokratët e Mamurrasit 60 kilometra larg, ka kushtuar deri tani shpirtrat e 50 mijë skllevërve demokratë.
Në të do të depozitohen edhe artifakte të çmuara të udhëheqësit të madh, si fotografitë e zmadhuara me shokët Enver dhe Ramiz, kallashnikovë dhe antitanke nga depot e vitit 1997, tufa kartmonedhash antike nga piramidat e të njëjtit vit, piktura tejet të shtrenjta të blera në ankandet e doktoreshës - bashkëshortes së Doktorit – dhe ç’është më e rëndësishmja, skllavi i tij më besnik, Nul Moka.
“Është nder dhe detyrë të shoqëroj Doktorin në përjetësi,” deklaroi Nuli për mediat, “sepse përveçse bashkëluftëtarë në rrëzimin e diktaturës, ne kemi qenë të dy mjekë. Po s’besoni, ja shihni këtë foto ku kam dalë me stetoskop në qafë”.
*
Pavarësisht shenjtërisë së objektit dhe elementëve të sigurisë që do të ketë dhoma e tij e brendshme, Piramida e Doktorit mund të bjerë pre e sulmeve nga bandat socialiste matanë Lanës, që padyshim mund të joshen nga objektet e çmuara që do taposen bashkë me Doktorin, ku përfshihet edhe video-instalacioni me udhëheqësin teksa shqipton fjalinë e famshme, “This iz a mirakëll of fridom!”
“Të pafetë dhe hajdutët dinsëzë e imansëzë kanë zero shanse për të hyrë brenda,” deklaroi ndjekësi më i ri i Doktorit, Belo Këllëfi, “sepse objekti do të ruhet nga tanku që PD i mori Gardës në 98-ën, ndërsa një kanal i thellë mbrojtës do rrethojë Piramidën, i mbushur me naftën e mundësuar nga Taçi Oil”.
Ndërkaq, sipas projektit, nga brenda do të rrijë gjithnjë me gadishmëri Nul Moka, duke mbajtur në dorë hunjtë që tepruan nga sulmi heroik i 8 Janarit mbi selinë e pushtuar nga kolaboracionistët lulbashianë.
*
Agjencitë e lajmeve bëjnë me dije se për përshpejtimin e ndërtimit të Piramidës së Doktorit, ka ardhur nga propozim nga ministrja Bella Ballukja – me ndërmjetësimin e Belo Këllëfit – e cila sugjeron ndarjen e projektit në lote.
“Tani që mbaruam unazën e madhe, kemi mjaft skllevër në dispozicion për t’ju ndihmuar,” thoshte propozimi i Ballukes, “dhe po ta ndajmë projektin në segmente midis Çetit, Zamos, Baçit, Taçit, Kaçit, Naçit, Laçit, Kuçit dhe Maçit, mbarojmë punë me vetëm 400 milionë euro shtesë”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike alergjike ndaj trajtave piramidale