DIPLOMACI/ Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron kundër forcimit të marrëdhënieve me Alergjinë

28 Janar 2025, 17:31Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ambasadorja e Alergjisë me Presidentin e Republikës Barjam Beu pa asnjë masë mbrojtëse

TIRANË – Kohët e fundit marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Alergjisë janë ngritur në nivel ambasadorial. Vetë ambasadorja e re alergjiane, sipas lajmeve të pasqyruara në media, dorëzoi letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës Barjam Beu, dhe nisi takimet njohëse me disa ministra të qeverisë.

Por duket se këto kontakte nuk janë pritur mirë nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas zyrës së shtypit pranë ISHP-së, shtimi i kontakteve me Alergjinë paraqet rrezik për popullatën, sidomos tani në sezonin e virozave, kur spitalet dhe klinikat janë mbushur me pacientë të të gjitha moshave.

Në një deklaratë për mediat, ISHP paralajmëron se ky veprim i nxituar i qeverisë shqiptare nuk është konsultuar me specialistët.

“Vendi ynë vërtet e përballoi me sukses epideminë e Covidit, por pasojat ndihen ende në popullatë. Nuk e dimë akoma nëse përfitimet e marrëdhënieve me Alergjinë, vendi afrikano-verior që është i pasur në naftë dhe gaz, janë më të mëdha se kostot që do sillte në sistemin shëndetësor, një përhapje masive e sëmundjeve të lidhur me Alergjinë,” thotë deklarata.

Në vijim, ISHP rekomandon që kontaktet me Alergjinë të kryhen me masa parandaluese, si mbajtja e dorezave gjatë shtrëngimit të duarve, vendosja e maskave në fytyrë gjatë çdo takimi dypalësh dhe pasja me vete e dozave të epinefrinës për çdo të papritur. 

“Këshillohet evitimi i takimeve të këtij lloji nga fëmijët, moshat e treta, gratë shtatzana dhe pacientët me sëmundje kronike,” shton njoftimi, duke nënvizuar se teshtimat që kapën Presidentin e Republikës pas takimit me diplomaten e Alergjisë, nuk mund të jenë rastësi. "Turp, është edhe mjek zotëria e tij!".

Më tej, ISHP sugjeron që me stinën e pranverës në prag, qeveria të rrallojë provizorisht kontaktet me Alergjinë për të shmangur çdo komplikacion. “Çelja e gjetheve, shtimi i poleneve në ajër dhe ngrohja e temperaturave, mund të sjellë një shpërthim alergjish që do vinte në provë edhe sistemet më të përparuar shëndetësore,” paralajmëron ISHP.

P.S. Patronazhisti mëson se ka shumë gjasa që reagimi i ISHP-së kundër forcimit të marrëdhënieve me Alergjinë, të ketë ardhur nga aftësia ekselente në leximin e lajmeve, nga personat përgjegjës në zyrën e shtypit të këtij instituti. Një punonjëse pranë ISHP-së na tha në kushte anonimati se kur e lexoi lajmin mbi Alergjinë në celular, ishte në makinë.

“Isha nisur nga kthesa e Kazmës, dhe kur mbërrita në kryqëzimin e Skuthit, më doli para titulli i Alergjisë, prandaj u alarmova,” tha ajo.  

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pa asnjë paragjykim ndaj forcimit të marrëdhënieve me Algjerinë.          

Video