E BUJSHME / Qeveria shqiptare rrit maksimumin jetik!

24 Janar 2025, 17:24Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri shqiptar në një moment qeverisjeje

TIRANË – Me një lëvizje që ka bërë edhe vetë ministrat e kabinetit - me kryeministrin e Gjatë në krye - t’i bien ballit me pëllëmbë dhe të thonë, “Si nuk na vajti në mend më parë”, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë vendosi të rrisë maksimumin jetik.

Duhet thënë se vendimi është historik, pasi është i pari i këtij lloji në glob për çfarëdolloj qeverie, këtu e 5 mijë vitet e fundit, kur njerëzimi ka informacion për format e ndryshme të organizimit shoqëror.

Patronazhisti mëson se mekanizmi gjenial që u vu në lëvizje, nisi nga fakti që qeveria E Gjatë, ashtu si paraardhëset, nuk ka arritur dot të përcaktojë minimumin jetik; me fjalë të tjera, sasinë e parave që i duhen një shqiptari të mbijetojë modestisht në një muaj, pa qenë i detyruar të lypë.

Gjatë këtyre viteve, ministrat janë përpjekur, qoftë gjatë darkave te restoranti i Nusretit në Dubai, qoftë në bifteqet njëmijë euroshe nëpër kryeqytetet e Europës, të nxjerrin një shifër të saktë të minimumit jetik, për ta zyrtarizuar më në fund.

Kështu, një ministër dikur pyeti pastruesen e vet se sa duhej të ishte një minimum normal jetik, por ajo iu përgjigj, “qyqja, ja sa të kontrolloj tubin e aspiratorit se më është bllokuar, dhe të kthej xhevap”.

Një ministër tjetër vendosi të pyesë shoferin e vet, por ai i tha se pa shitur të gjitha apartamentet në pallatin që po ndërtonte, nuk e bënte dot llogarinë.

Në fund, edhe I Gjati hoqi dorë.

“Ehuhaaa,” shfryu ai në një mbledhje, “do rrisim minimumin jetik, do ulim maksimumin jetik, më lodhën këto fraza idiote!”

Atëherë Bella Ballukes i shkrepi një ide: “E gjeta shef! Nuk do bëjmë as njërën, as tjetrën. Do rrisim maksimumin jetik!”

I Gjati i hodhi një vështrim zhbirues: “Fol qartë, se të çova prapë te Albkontrolli”.

Ballukja ja ktheu hazërxhevap: “Do bëjmë siç thotë edhe Bibla: Ai që ka, le të ketë prapë!”

***

Plani u vu në zbatim. Rritja e maksimumit jetik do të thotë që plot 0.01 përqind e shqiptarëve të cilët e shtynin jetën me 2 milionë euro në muaj, të kërcejnë në nivelin e 3-4 milionë eurove. Për këtë, qeveria u konsultua me investitorët strategjikë, trafikantët taktikë dhe ish-xhepistët nostalgjikë të shndërruar në makutë kronikë. Shumica e tyre kishin kompani emrat e të cilave mbaronin me Construction, Holding, Group, apo Shpk. Ata ishin dakord që Shqipëria duhet ta miratojë me urgjencë maksimumin jetik, por shifra duhet rifreskuar vit pas viti.

“Po, e drejtë,” u tha Bella Ballukja, “sepse të mos harrojmë që kjo është edhe kërkesë e Europës. Duhet të përafrohemi me Acquis Communautaire”.

Strategjikët bënë sikur e kuptuan llafin e huaj dhe miratuan me kokë: “Ashtu është, këtu deshëm të dilnim edhe ne”.

Pas këtij takimi, ditët e fundit qeveria miratoi lëvrimin e rreth një miliard eurove të prapambetura nga dhjetori, për kompanitë që do fillojnë projektet e mëdha vitin e ardhshëm. Ose vitin pasardhës.

***

Pas lajmit për rritjen e maksimumit jetik, Patronazhisti zhvilloi një Vox pop (në shqip, u mori një mëndje) me disa njerëz të rëndomtë.

Pensionisti Lame Kurrizi ishte i mendimit se qeveria po punon. “Shumë mirë kanë bërë. Më në fund të shohim një ditë të bardhë, le ta hapin qesen edhe për ne fukarenjtë.”

Sanitarja spitalore Manushaqe Bastuni deklaroi: “Po ça t’them unë e shkreta. Kemi kaq vjet që dëgjojmë, minimumi, minimumi. Shyqyr më në fund, kaluam te maksimumi si gjithë Evropa”.

Ndërsa protestuesi profesionist Pjetër Mustakuqi ishte i prerë: “Sali Berishaaa!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike minimaliste   

Video