E RREZIKSHME/ Autoritetet japin alarmin: Rezultati i zgjedhjeve të Majit 2025 mund të ndikohet nga votuesit

17 Janar 2025, 17:33Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Çilirjan Dollibashi

TIRANË – Edhe pse kësaj here masat u morën në kohën e duhur, mazhoranca dhe opozita u ulën si dy shelegë dhe miratuan ndryshimet në kodin zgjedhor, partnerët ndërkombëtarë asistuan plot dëshirë dhe duartrokitën palët, opinionet e ekspertëve dhe shoqërirave civile u morën parasysh, qeveria nuk u kursye në dhënien e fondeve etj etj, zgjedhjet parlamentare të majit 2025 janë në rrezik.

Në këtë përfundim kanë dalë konkluzionet e analizave dhe sondazheve të kryera nga organizata prestigjioze si Instituti Demokratik për Diktaturën, Instituti Republikan për Monarkinë dhe Shoqata Presidenciale Mbretërore, të cilat njëzëri bien dakord se ndryshe nga të gjitha zgjedhjet parlamentare apo lokale të zhvilluara në Shqipëri këto 30 e kusur vite, cilësia e zgjedhjeve të majit 2025 rrezikohet seriozisht nga një faktor margjinal, dytësor dhe i paparashikuar deri tani; votuesit shqiptarë.

***

“Sipas të gjitha analizave që kemi kryer, del se me shumë gjasë, votuesit mund të ndikojnë në mënyrë të pakthyeshme në caktimin e fituesve të zgjedhjeve të majit,” thotë deklarata e përbashkët e tre organizatave të njohura.

Përmes një pune studimore, sondazhesh, analizave në terren, kontakteve me faktorë lokalë etj, organizatat më sipër, që për efekt hapësire po i quajmë Diktatoriale, Presidenciale dhe Mbretërore harxhuan në mënyrën më efikase të mundshme një fond prej 23 milionë eurosh të Bashkimit Europian për t’i bërë këtë skaner shqetësues situatës para-zgjedhore në Shqipëri, në prag të nisjes së fushatës elektorale.

Eksperti Napoleon Skuthi saktësoi për mediat:

“E vërteta është se gjithnjë ka ekzistuar rreziku që rezultati i zgjedhjeve të ndikohet nga vota e votuesve, por në sajë të masave të marra në kohë, ky ndikim në Shqipëri ka qenë minimal dhe papërfillshëm. Përgjithësisht qeveritë, institucionet, partitë politike, komisionerët, KQZ-ja, policia e Shtetit kanë qenë në lartësinë e duhur për të mos lejuar ndryshimin e rezultatit zgjedhor, vetëm e vetëm se kështu u është tekur votuesve”.

“Por kësaj rradhe,” shtoi i vrenjtur Skuthi, “rreziku është shumë i madh”. 

Ndër shkaqet që studimi rradhit si motive që mund të sjellin degjenerimin e zgjedhjeve të majit 2025, janë mungesa e komisionerëve partiakë që dinë ta mbajnë larg ndikimin malinj të votuesve në numërimin e votës (shumica punojnë në Gjermani), prania gjithnjë e më e madhe e teknologjisë në numërim, që çon ujë në mullirin e votuesve, dhe ç’është më e keqja, aplikimi për herë të parë i votimit nga diaspora shqiptare jashtë vendit.

***

“Nuk e di, këta i kanë bërë gropën vetes,” tha për Patronazhistin sondazhisti i turnit të tretë, Zalo Foshnja, duke nënkuptuar liderët e shquar të PëSësë dhe PëDësë që miratuan votimin nga diaspora. Madje ai vijoi i traumatizuar:

“Jemi në pikën që I Gjati dhe Doktori, të rrezikohen nga Arlind Qori. Se më doli dhe me rimë. Janë bërë zgjedhjet e majit si filmi Njësiti Guerril. Nuk e dimë se kur do na dalë dikush përpara në rrugë, për të na dorëzuar një copë letër ku shkruan, ‘Në emër të votuesve, je i dënuar me ndalim sondazhesh’. E tmerrshme!”, dhe Foshnja ngriti duart dhe sytë nga qielli duke thirrur, “O At i Madh! Tunde njëherë nga themelet, e pastaj le të këndojë qyqja në këtë gërmadhë…” pastaj vrapoi si i marrë drejt Pazarit të Ri.

Alarmit se votuesit mund të ndikojnë zgjedhjet e ardhshme, i bëri jehonë edhe qeveria shqiptare. Përmes një deklarate për mediat, çik-më-poshtë se kryeministrja, Bella Ballukja, deklaroi se në momente të tilla, politika duhet t’i lërë mënjanë dasitë dhe të bashkohet kundër rrezikut të përbashkët.

“Jemi vend i NATO-s, kandidat për anëtar të Bashikimit Europian. Është e pafalshme që Shqipëria demokratike, sot në vitin 2025, të vuajë ende nga të tilla probleme si ekspozimi ndaj votës së votuesve,” tha Ballukja, “ndaj i bëj thirrje PD-së të bashkojmë votat në Kuvend, për të bërë një ligj që e mbron demokracinë tonë të brishtë nga rreziku i votës”.     

***

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Çilirjan Dollibashi pranoi për mediat se mundësia që vota e shqiptarëve të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve është jo e vogël, edhe pse KQZ gjithnjë është përpjekur ta kufizojë këtë ndikim.

“Duhet ta kuptoni që ne kaq i kemi mundësitë. Duhen fonde, duhet staf i kualifikuar. Dhe mbi të gjitha, duhet vullnet politik,” deklaroi Dollibashi, duke shtuar edhe një opinion të tijin personal, mbi votën e diasporës.

“Këtë që do them, nuk e kam si zyrtar i shtetit, por si Çilirjan: E ç’na u desh të ftonim diasporën për të marrë pjesë në zgjedhjet tona? Pse, kur bëjnë zgjedhje ata, na ftojnë gjë ne?”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-dhe-post zgjedhore 

Video