
TIRANË/KOPENHAGË – Një konflikt i nëndheshëm diplomatik është zhvilluar kohët e fundit mes Danimarkës dhe Shqipërisë, ndërkohë që gjithë vëmendja botërore është fokusuar se me çfarë humori është gdhirë Donald Trampi çdo mëngjes dhe kujt do t’ia masë kokën me spango.
Patronazhisti mëson se një shkëmbim i ashpër mesazhesh dhe telefonatash ka ndodhur mes të Gjatit dhe Metes – jo atij që është në burg, por kryeministres daneze Mete Fredriksen.
Thelbi i përplasjes qëndron në akuzën që danezja i ka bërë Të Gjatit, se është fajtor për shtënien në mendjen e familjes Tramp, të idesë se me ishujt mund të bëhet goxha biznes. Një shkëndijë e vogël iu desh damarit tregtar të Trampëve, për të kuptuar se kjo ishte një fushë me mjaft leverdi.
“Zoti I Gjatë, keni bërë shumë gabim që i ofruat dhëndrit të Donaldit ishullin e Sazanit për të bërë rezorte turistike. Menjëherë pas kësaj, ata na propozuan të na blejnë me para në dorë Groenlandën. E kuptoni çfarë oreksi u keni hapur atyre, që kapërcyen nga një copë shkëmbi në një ishull sa gjithë Europa?”, thoshte mesazhi i Metes.
***
I Gjati nuk donte ta prishte muhabetin me Meten, këtë grua simpatike dhe inteligjente, ndaj ja ktheu me humor: “E dashur, po pse nuk i çoni gjithë danezët në Groenlandë që ta mbani për vete, dhe jepini Donaldit Danimarkën e vogël? Përtej shakasë, ne Sazanin e dhamë për turizëm elitar, kazino, jahte, muzikë, koktejle, perëndime të bukura dielli… Jam i bindur, edhe ti do vish të na vizitosh, do vijë dhe Meloni nga Italia, bile dhe Ivanka. A nuk e bëjmë një katërshe në domino?”
Metja ia ktheu e inatosur: “Pse, kush kujton ti se jam unë, Xhorxhia që ja prish mendjen me një shall? Ik ore, lamash”.
Patronazhisti nuk është i sigurt si i thonë lamashit në danisht, por burimet sigurojnë se pikërisht kjo ishte përgjigja. Madje Danimarka e kërcënoi në kanale informale se do kërkonte largimin e Shqipërisë nga NATO dhe bllokimin e anëtarësimit në BE.
Por I Gjati ja preu shkurt: “Britania iku nga BE-ja, na hiqni edhe ne, dhe hani bukë e djathë pastaj. Sa për NATO-n, po ikëm ne dhe Amerika, juve ju ha ujku moj e shkretë”.
Dhe i propozoi një zgjidhje:
“Dëgjo, dëgjo ktu. Që të mos tingëllojë si dorëzim, ma fal Groenlandën mua, dhe pastaj unë ja jap Kushnerit për kompleks turistik polar. Dalim të gjithë të nderuar!”
***
Sikleti që i shkaktoi Metja kaloi shpejt, dhe burimet thonë se I Gjati vijon të mbetet i mrekulluar nga gjenia sipërmarrëse e Donaldit. Fjala vjen, ideja që Rripi i Gazës të shndërrohet në një rivierë turistike ku palestinezët të punësohen si kamarierë, banakierë dhe elektriçistë atij i është dukur e paparë.
“Pa pa pa, çfarë mjeshtri! Edhe zona zhvillohet, edhe aborigjenët vendas qetësohen dhe marrin rroga, edhe GDP-ja rritet. Ja, ky është artist,” tha me vete I Gjati, dhe atypëraty mori në telefon Kushnerin.
“Hë mo gjigand, Edi jam. Shiko, mblidhe veten paraprakisht nga kjo që do të të them. A nuk i thua vjehrrit t’i fusë një bombardim Rivierës sonë, nga Himara në Ksamil? Hë? Jo mo, çfarë zarari, i heq unë njerëzit andej, pa merak. E bëjmë rrafsh, pastaj e mbushim me rezorte, ta bëjmë lule si Gazën!”
Vini Re: Nëse e keni vënë re, Patronazhisti është rubrikë satirike