OPOZITA / Herbariumi Botanik, Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe ai i Gjeologjisë u bashkohen 26 Partive të Doktorit

9 Mars 2025, 19:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

TIRANË – Orteku i forcave opozitare të bashkuara për të rrëzuar narko-regjimin e Të Gjatit, u shtua ditën e djeshme me prurje të reja, mëson Patronazhisti.

Koalicioni i 26 partive të udhëhequra nga Doktori, ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesat publike të Muzeut të Shkencave të Natyrës, Muzeut të Gjeologjisë dhe Kopshtit Botanik për t’iu bashkuar besëlidhjes së fuqishme opozitare me titullin kuptimplotë:

“Ta bëjmë sërish Shqipërinë Madhështore si më 1996-ën dhe gjysmën e 97-ës, kombinuar me 15 Marsin 2008 dhe pak nga 21 Janari 2011”.

Duket se fryma që ka ngjallur bashkëpunimi i ri politik anti-narkos, ka infektuar jo vetëm individë dhe ente politike, por edhe institucione që në pamje të parë nuk të japin asnjë përshtypje se u intereson politika. Aq më tepër që në pjesë dërrmuese, ato përbëhen nga objekte, apo gjallesa e ish-gjallesa të tjera jonjerëzore.

Por duket se jo vetëm këtij populli të munduar, por edhe objekteve të pafajshme nëpër raftet e muzeve, u ka ardhur në majë të hundës nga mbyllja e Tik-Tokut dhe nga sorosianët që akoma shëtisin serbes nëpër Tiranë.

*

“Boll kemi vuajtur nga regjimi komunist, tani po na hypin në qafë edhe bijtë e nipërit e tyre,” deklaroi i revoltuar nga Muzeu i Shkencave të Natyrës, skeleti i një balene mesdhetare të persekutuar, që mbart një histori të trishtë.

Balenën e ekzekutuan komunistët në vitin 1963 pasi e pandehën për nëndetëse sovjetike. Për këtë komunistët bënë dhe një film me titull “Surrat m’surrat”, ku balenën e bënë nëndetëse prej vërteti, ndërsa rolin e marinarit trim që i vuri poshtë sovjetikët e luajti një djalosh që më pas u bë antikomunist, pastaj majtist, pastaj doktorist, por që gjithmonë mbeti Imam Bajëlldi.

“Edhe pse jam katandisur një grusht kocka, unë shpresoj për një Shqipëri ku nuk të vrasin kot, për dhjamë balene. Është rradha jonë! Pobjeda, tavarishi!” deklaroi entuziast skeleti.

*

Thirrje emocionuese ishte dhe ajo e një gjetheje të tharë plepi.

“Përshëndetje miq. Unë jam pjesë modeste e kopshtit botanik, seksioni muzeal. Kur pashë foton e grupit të koalicionit të ri Doktoral, këtë herbarium të shkëlqyer të specieve më të rralla të politikës shqiptare, u ndjeva krenar që edhe unë, objekti nr 131 në herbariumin e kopshtit botanik, me emrin modest Genus Populus Vulgaris, nuk jam vetëm në këtë botë jallane”.

Plepi i tharë, në emër të gjithë gjetheve e çajrave të muzeut kërkoi që gjithë opozita të bashkojë forcat për të sjellë në pushtet energji të freskëta, prurje të reja, intelekte të pandotura nga kleptomania kronike e tranzicionit.

“Unë për vete, po fituam nuk dua asgjë,” siguroi ish-gjethja, “vetëm ndonjë dozë klorofili herë pas here, do Zoti jeshilosem edhe një herë”.

*

Mesazhi më dramatik ishte ai i një cope minerali kromi, që fliste në emër të Muzeut të Gjeologjisë.

“Dëgjoni zotërinj! Unë jam pak i vjetër, shokët e mi janë eksportuar nga Kina në Amerikë, por unë vendosa të qëndroj, se më dhimbset ky vend. Kam parë pleistocenin, periudhën kretake, hatarat e epokës jurasike… Imagjino, kur jam krijuar unë ishte akoma në pushtet Fatos Nano. Por qeveri si kjo e Të Gjatit nuk më kanë zënë sytë. Mbase ngaqë kam qenë 2 mijë metra nën tokë. Prandaj ta zhdukim, ta shporrim, të sjellim në pushtet gjakun e ri, shpresën e së ardhmes, flladin e pranverës, fidanishten e politikës shqiptare dhe kryefilizin e saj, Doktorin!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se politikanët e balsamosur dhe balsami nuk janë e njëjta gjë. Sa për balenën, historia e saj është 100% reale

Video