
TOKIO/PARIS/DAKAR – Gjithnjë e më shumë, pjesa tjetër e rruzullit tokësor beson se presidenti skandaloz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të ketë patjetër në zotërim ndonjë informacion tejet të sikletshëm për popullin e tij, çka i detyron amerikanët e shkretë ta mbajnë në pushtet, madje ta votojnë për herë të dytë.
“Bahh, s’ka mundësi. Kushedi me ça pisllëqesh i bën shantazh popullatës amerikane, prandaj e lënë të çaprashisë idiotësira lart e poshtë,” thanë me vete të premten e kaluar, miliarda banorë të globit që kishin fatin të mos ishin nën juridiksionin e Presidentit që lyhet çdo mëngjes me lëng karrotash.
Misteri sesi është e mundur që një udhëheqës qartësisht i korruptuar, haptaz i paaftë të drejtojë, deklarativisht i pazoti për të tejkaluar kufirin prej 100 fjalësh të fjalorit të tij dhe publikisht pa nocionet më minimale të taktit dhe edukatës, votohet nga amerikanët, mund të shpjegohet vetëm në këtë mënyrë, tha kusuri i globit, nga Lindja e Lartë aziatike, në Europë dhe në Afrikën Perëndimore.
“Trampi me siguri do t’u ketë amerikanëve ndonjë video ose foto tradhtie bashkëshortore në ndonjë hotel të Moskës dhe i kërcënon se do t’ua nxjerrë. Ose i ka kapur me deklarata të falsifikuara pasurie, mashtrime me pasuritë e patundshme dhe trojet e ndërtimit. Apo ndoshta amerikanët kanë mashtruar në provimet shkollore duke çuar dikë tjetër në vend të tyre, dhe ai e ka zbuluar. E sigurtë është që sekreti do jetë kaq i ndyrë, kaq i ulët, kaq skandaloz, saqë ata derëzinjtë mbyllin gojën dhe e votojnë një kokërr hajvani ekzemplar. Nuk ka si shpjegohet ndryshe,” tha pjesa tjetër e dynjasë, e shastisur me këto që po ngjasin.
Megjithatë, vazhduan hamendësimin miliarda jo-amerikanë, çfarë garancie kanë amerikanët se kur të mbarojë mandatin katër-vjeçar, Trampi nuk do t’ua nxjerrë sekretet amerikanëve dhe t’u thotë: Jua futa?
Por në këtë pikë kusurin e botës e përshkuan të dridhura.
“Po sikur përmes shantazhit, t’i detyrojë votuesit t’ja shtojnë mandatet derisa të vejë 100 vjeç? Ai s’e ka problem, i thotë Elon Maskut t’ia ndërrojë organet, t’ja bëjë elektrike!”
Atë çast, bota e kuptoi që kishte folur shumë dhe e mbylli gojën. Po sikur Trampi të kishte edhe për ta ndonjë pisllëk në arkivë?
“Mos na e vër re, vlla,” tha bota e penduar, “kështu llapim ne kur pimë ndonjë gotë”.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike në konkurrencë të egër me satirën e realitetit ku jemi futur