
TIRANË – Ishte një mbrëmje e qetë e dy ditëve më parë kur një burrë me pardesy të bardhë, në dukje i vetmuar por që shoqërohej në distancë nga disa roje të padukshme, zbriti nga një apartament në katin e tetë te rrugica e Shpresës dhe u nis në heshtje, me hap të vendosur dhe me supin e djathtë pak të anuar, drejt një ndërtese njëqind hapa më poshtë.
Ndërtesa e synuar ishte hijerëndë; dukej se kishte të bënte me diçka qeveritare, por çuditërisht burri me supin skiç nuk u impresionua.
Iu afrua rojes si danoç, i tha me zë autoritar, “Po më pret shefi lart, ti ik tani se mbaroi turni”, dhe nuk priti përgjigje. Pas tij u ngjitën shoqëruesit misteriozë, çuna të rinj që që mbinë nga hiçi.
Pasi rrethuan perimetrin e ndërtesës, çunat po inspektonin dhomat dhe mjediset e ndërtesës.
“Njito dy dhoma i kam xanë une,” tha njëri prej tyre, dhe kaq u desh. Gjithë godina u nda shpejt e shpejt, ndërsa një kat më vete iu la pardesysë, që hyri në zyrën e mbushur me vizatime dhe flutura në mur, mori frymë thellë dhe tha më zë të ulët, “tash s’ke çka m’ban, vagabond!”
***
Lajmi se i kishin zënë Kryeministrinë, e zuri krejt gafil Të Gjatin, që po zgjidhte një e nga një krizat globale në Konferencën e Mynihut. I thanë se autori ishte një burrë pardesyoidal, me flokë paksa bisht-pëllumbi.
“Mooos,” tha me vete, “Doktori i viteve 90-të”.
I shkuan të ngjethura në trup, kur mendoi se mund t’i duhej të fillonte prapë nga artikujt shpotitës publicistikë tek Koha e Nikollës, të rrihej nga SHIK-u, të shiste piktura të mira dhe të lira në Paris, të hante një herë në ditë makarona pa vaj poshtë urave të Senës dhe ta thërriste Tos Nano për ta bërë Ministër Kulture.
“Jo mor jo, punë që s’bëhet kjo”, i bërtiti vetes dhe përplasi grushtin mbi tavolinë, duke shtuar, “Fuck, fuck, fuck…”.
***
Ndërkohë, në ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë dikush kishte shkruar me sprej, “Asht e Xanun! Zoti i toks, Noc Rroku”, ndërsa Nul Moka kishte sjellë një tank nga të Gardës së Republikës në hyrje. Ngaqë nuk dinte si ta ndizte, kishte mbledhur çunat dhe e kishin shtyrë me afoljo deri te kryeministria.
Nga ana tjetër, Edi Palosja kishte zënë RTSH-në dhe kishte ndërprerë edicionin e lajmeve për të deklaruar live, “tani puthteti ëthtë i yni!”
Si me magji, lulishtet rreth e rrotull kryeministrisë ishin mbushur me kioska që shisnin gjithçka: Nga cigaret e hapura, te farat e pjekura dhe hamburgerat e mbushur me gogozhare dhe majonezë pakistaneze. Në të dyja anët e Lanës mbinë turlilloj një-e-dykatëshesh me bilardo, paidhaqe, bingo dhe noterë që hanin paidhaqe dhe luanin bingo. Kur fitonin, shkonin të bënin një dorë bilardo.
***
Në selinë e Partisë Socialiste ishte mbledhur komiteti i krizës. Gjendja ishte e nderë dhe duhej bërë diçka. T’i kërkohej ndihmë Amerikës, dukej e kotë. Që kur Donald Trampi dëgjoi se Doktori ishte shprehur kundër prindit një dhe prindit dy, dhe kishte deklaruar se do mbronte deri në fund vlerat konservatore amerikane - pikërisht ato vlera që Presidenti amerikan i kishte kaq për zemër kur u fuste duart të gjitha femrave që i dilnin para – ndërhyrja e SHBA-së nuk duhej llogaritur.
Komiteti socialist përbëhej nga Braçja i vogël dhe Mandi Pajko. Gjithë të tjerët ishin zhdukur. Edhe Bella Ballukja, që të merrte gjak në sqetull, kishte marrë raport se ishte pak pa qejf. Braçja i dërgoi një faks Të Gjatit, ku i bënte thirrje të kthehej urgjent dhe i kërkoi udhëzime.
Mandi Majko sugjeroi të nxirrnin Lilon nga burgu dhe ta vinin në krye të komitetit. “Ai është çakmak, ka dhënë prova se është luftëtar. Kështu bëmë dhe me shokun Nano në 97-ën: E nxuarrmë nga hapsana dhe e bëmë vezir të madh,” i tha Pajko Braçes.
Braçe ra dakord. “Kam kujtime të mira me Lilon. Kam qenë dhe dëshmitar në dasëm,” tha ai, dhe të dy shkuan të blejnë një kartë me impulse për të marrë telefon Të Gjatin.
***
“Joooo, jo prapë me Lilon,” bërtiti I Gjati duke lemerisur sallën. Kryeministri maqedonas ndërpreu fjalën e tij dhe kërkoi urgjent pak ujë. “I Gjato, a je mirë?”, e pyeti i merakosur, “qenke zverdhur, je bërë ujë në djersë”.
I Gjatua pa vërdallë si i shushatur. Paskësh qenë një ëndërr e keqe, një gjendje jermi, pothuaj si të fikët. Llogjet e konferencës e kishin lodhur dhe kishte dremitur mu në mes të një paneli ku diskutohej e ardhmja e Europës.
“Shyqyr,” tha me vete, ndërsa i erdhi çehrja dhe i kërkoi falje sallës, “më ndjeni, po unë si I Gjatë që jam, ndonjëherë…”. Por një gazetar nga salla e ndërpreu:
“Po boll o burrë i dheut, e morëm vesh që je i gjatë, na e thua në çdo konferencë! Ndonjë gjë për Doktorin që të ka zënë kryeministrinë, ke të na thuash?”
Të Gjatit i ranë prapë të fikët…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike me tendenca të herëpashershme retrospektive