KOMENT/ Sa e lartë mund të jetë një kullë prej veze, dhe kafja e shpifur gjermane

4 Mars 2025, 18:31Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Maket i kulles tek ATSH

Nga Patrona Zhysti

Në këtë javë kaq të ngjeshur me zhvillime të reja dhe të vjetra, kryefjala e mediave botërore ishte lajmi se tek ndërtesa e shëmtuar e ATSH-së do ngrihet një kullë e lartë dhe e bukur. Zhurma ishte jo thjesht për kullën, por për ndërtuesin e saj, as më pak e as më shumë se vetë Mand Duka, presidenti i zgjedhur me shumicë votash i kompanisë së pula-vezëve AIBA dhe pronari i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Shumë media xheloze, përfshirë dhe Vox News, ngritën pikëpyetje sesi mund të ngrihet një kullë me pula. Në këtë pikë Vox-i ngjan me shumë me Fox-in, dmth dhelprën që sheh pulat dhe i shkon goja lëng, se nuk bën dot kulla vetë.

Por e keni gabim, zotërinj. Së pari, kulla nuk do ndërtohet me pula të montuara njëra mbi tjetrën. Kjo qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se Duka e di që gjysmat mund t’ja hanë punëtorët. Punimet do të kenë për material ndërtimi vezët, që siç dihet, janë sa të brishta aq edhe të forta, nëse vendosen në këndin e duhur. Edhe nëse ndërron plani dhe Mandi i çon të gjitha vezët për eksport në Amerikë, ku ka shkuar kokrra 5 dollarë sapo Amerika filloi të bëhet e Madhe Përsëri, kulla mund të ndërtohet me topa futbolli të presuar.

Shumë inatçorë vunë në pah faktin se nga njëra anë AIBA e vezëve merr leje kullash nga qeveria e majtë (këtu mund të qeshni), ndërsa nga ana tjetër vëllai i Mandit, Gon Duka, bëhet aleat politik në kundërshtarët e qeverisë, të djathtin konservator (këtu gajasuni) Doktor Berisha. Domethënë njëra dorë në kadaif, tjetra në bakllava. Por ata harrojnë se punët mund të kishin shkuar shumë më keq. Goni është agronom, prodhon fruta-perime bio dhe shet mallra të shportës si fasule, oriz, makarona e kritharaq. E mendoni sesa e rrezikshme do ishte një godinë e ndërtuar me sallatë jeshile apo më keq akoma, me thasë me oriz? Një shi të bjerë dhe pallati kthehet në pilaf.

Ngjarja tjetër që shokoi botën ishte karshillëku i pastër që I Gjati u bëri gjermanëve. Shkoi burri i botës (në fakt, i Lindës) mu në mes të Berlinit dhe u tha vendasve se e kishin kafen të shpifur te zoti, si lëng gështenjash.

“Hajdeni në Shqipëri të pini kafe si njerëzit, ç’mi kini këto kafera si ujëra të zeza,” u tha aborigjenëve lokalë, “me këtë rast bëni dhe pak plazh se ju është bërë lëkura transparente, si letër kalk”.

I Gjati e ka bërë ves shkuarjen “mu në mes” të një vendi dhe plasjen e diçkaje aty. Ja plasi dikur, herët, Vuçiçit në mes të Beogradit, pastaj ja plasi në mes të Brukselit, kur i doli Melonit nga pas dhe e puthi në gushë, dhe kushedi sa plasje të tjera.

Buja tjetër e javës ishte zhvillimi i zgjedhjeve primare në Partinë Demokratike, ngjarje për të cilën, siç e dini, Rusia vendosi të shpallë non grata ministrin e Jashtëm japonez.

Primaret përcaktuan se cilët kandidatë për deputetë preferon anëtarësia e partisë. Ato gjithashtu përcaktuan se Doktori do t’i caktojë vetë të gjithë kandidatët. Ndërkohë konkluzioni më i fuqishëm i primareve ishte se me atë numër anëtarësh të PD-së që morën pjesë në votime nga veriu në jug, partia mund të nxjerrë maksimumi 7 deputetë. Fiks aq sa janë vendet e deputetëve të sigurtë që Doktori do t’u dhurojë aleatëve. 

Gjithsesi, lajmi më i bujshëm i javës ishte paraqitja në SPAK e presidentit të klubit Partizani, Gaz Demi. I thirrur nga një prokuror tifoz i Partizanit, Gazit iu kërkua llogari se si ka mundësi që skuadra të humbasë tre vende në renditje brenda një muaji. Për këtë, presidenti iu konfiskua një aparat faksi i 1993-it. 

Hë, se mos harrojmë. Veç ngjarjeve të mësipërme, ka mundësi që javës tjetër të plasë lufta e tretë botërore.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike

Video