
TIRANË/SURREL/ÇEPAN – Mediat e cekëta dhe të kapura shqiptare, nuk i dhanë ndonjë rëndësi faktit që Bashkia e re e Tiranës, nën udhëheqjen e Të Gjatit, u ishte futur rinovimit dhe restaurimit të adresave me emra heronjsh.
Parkim gjigand tek Avni Rrustemi, zgjerim tek Vojo Kushi, rinovim total tek Vasil Laçi… Të gjitha këto ngjanin si punë të zakonshme bashkie. Por Patronazhisti nuhati se çepani – na falni, çekani – rrihte tjetërkund. Fjala ishte për dërgimin e disa sinjaleve gati të pakapshme në një drejtim deri vonë të ndaluar nga kushtetuta e PS-së: Lilo Çepani, i cili dy vite rresht nuk iu nda krahasimit të vetes me këto figura.
***
Që pasi SPAK-u filloi ta trashë zullumin, duke goditur më fort qeverinë sa më shumë afrohen koncertet e Majit, dmth zgjedhjet, aq më tepër I Gjati nisi të mendojë se po luante ca si shumë rolin e indiferentit, gjakftohtit dhe objektivit në raport me sjelljen e padenjë të prokurorisë speciale.
Duke folur një ditëzaj me Taullau Baun, ai deklaroi: “Ore, pse duhet të tregohemi më katolikë se Baba Mondi me SPAK-un? Duhet të reagojmë, t’i mbrojmë njerëzit tanë. Dushmani po na i çon djemtë në Itali”.
“E ke fjalën për Dumanin, shef?”, e pyeti Taullau.
“Nuk përmenda emra,” ja ktheu I Gjati, me frikën se edhe Taullau mund t’i kishte ndezur ndonjë përgjues, “unë gjithmonë flas në parim. Po na mbarohen njerëzit. Është bërë qeveria sa një garsonierë, dhe parlamenti sa një dhomë e guzhinë”.
***
Kjo ishte fryma që solli rektorin e Universitetit të Kazmës në grupin parlamentar të PS-së, kur SPAK-u nxori urdhër arresti për 250 drejtues e pedagogë, dhe 470 studentë.
“Ne sapo filluam projektin gjigand për të eksportuar agronomë dhe veterinerë në Austri, kur këta na prenë krahët,” u ankua rektori. “Nuk them, secili duhet të përgjigjet vetë para drejtësisë, po unë nuk di ça t’u them austriakëve mor vlla,” ishte thelbi i diskutimit të tij.
Në vijim, para grupit parlamentar socialist u ankuan ish drejtorë, ish-kryebashkiakë, investitorë taktikë dhe strategjikë, përfaqësues të çunave të Shkodrës, Mamurrsit, Vlorës dhe Qelbasanit.
Por kungulli mbi tortë ishte lajmi se nëse lirohej nga Gjykata e Lartë, para grupit do vinte të depononte vetë Lilo Çepani.
“Lilua është socialist i vjetër,” u shkroi I Gjati në vacap deputetëve, “dhe i kanë ra m’qafë. Boll kam heshtur. Bile unë do ftoj edhe Doktorin të vijë të hapë zemrën para nesh. Ai kardiolog është, nuk besoj ta ketë problem!”
***
Pas këtij lajmi, Patronazhisti ka mësuar se kontesha Mari-Antuaneta Testagrande është parë të vijë vërdallë nëpër dyqanet e peshkut në Laprakë, për të parë se mos varkat kanë sjellë ngjala.
“I dua për ca miq, kemi një darkë,” ka shpjeguar ajo.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro prodhimeve të detit