SHOWBIZ/ Influenceri 80-vjeçar nuk i lë vend imagjinatës!

21 Shkurt 2025, 23:14Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
80-vjeçari duke i vënë flakën rrjetit

TIRANË – Dita e djeshme ka qenë më e zeza në klikime për titujt e portaleve që fillojnë me “ylli tërbon rrjetin” dhe mbarojnë me “bukuroshja nuk i lë vend imagjinatës”.

U lodhën më kot këngëtaret më pa zë të momentit, të ekspozojnë gjymtyrët e poshtëm nga Maldivet; u telendisën modelet pa agjenci të postojnë foto gollomesh nga tarracat e Dubait; të gjitha klikimet i mblodhi një plak 80-vjeçar që vendosi të bëjë të pabërën.

Ai nuk është se nxorri nga sënduku plisin që mbante në kokë i vogël, kur kulloste dhitë në malësi teksa i ruante mos i hanin librat; as doli me rroba banjoje në plazh; as theu ndonjë rekord ujor duke pluskuar 65 minuta rresht.

Jo, 80-vjeçari i mbiquajtur Doktori, duke shkallmuar të gjitha rregullat e kësaj shoqërie konservatore dhe të mykur, vuri në kokë një kapele kaubojsash - që disa miq nga Amerika e blenë 15 dollarë dhe ja dërguan – dhe doli fotografi, të cilat i hodhi në eter dhe dogji rrjetin.

*** 

Doktori po përgatitet të vijë në pushtet dhe kuptohet, pa kapele nuk të merr njeri seriozisht. Ai e mban mend si tani, se që të bëhej anëtar i Partisë së Punës në 8 nëntor 1969 - në ditëlindjen e partisë - iu desh të vinte për ca ditë një kasketë që të ngjante si proletar, dhe të vinte vërdallë nëpër spital me drapër e çekan në dorë.

Por kësaj rradhe Doktori duhet të identifikohet me Donaldin, dhe kjo kërkon përpjekje të mëdha. Sepse për dreq, ishte Donaldi në presidencën e parë ai që filloi procedurat e shpalljes non-grata, paçka se shpalljen e bëri administrata Bajden.

Prandaj Doktori mblodhi një këshill të ngushtë, mes të cilëve edhe Belo Këllëfin, dhe u dha detyrë të listonin të gjitha detajet dhe elementet e imazhit publik në të cilat duhet të imitonte Donaldin.

“Duhet me influencue tek votuesi, se jemi të përzgjedhurit e Ameriks së re, Ameriks së demokraciiis, Ameriks së liriiis. Shkurt, duhet me u ba influencera,” kërkoi Doktori.

***

Sigurisht, kapelja e kaubojit ishte vetëm një nga elementët e fushatës. Tani Doktori po bën një kurs intensiv për të mësuar lëvizje rroku që do t’i demonstrojë në mitingjet e Partisë Demokratike. Një tjetër sugjerim është që ai hajë hamburgera në publik, për t’u dukur si Donaldi.

Me inteligjencën karakteristike, Nul Moka ka sugjeruar që Doktori të bëjë një takim me ambasadorin rus në Tiranë, madje ta angazhojë edhe në fushatë, për t’u njësuar gjeopolitikisht me Donaldin. Në të njëjtën linjë, po mendohet ngritja e një gardhi të lartë metalik rreth e rrotull SHQUP-it, për të mos hyrë brenda emigrantët klandestinë të Lulit që nuk u treguan të zgjojtur të ikin kur kishin mundësi.

*** 

Por dy sugjerime të fundit, që do ta bënin të bëhej tëpkë një Donald i Viçidolit, e kanë vënë në mendime Doktorin.

Belo Këllëfi i pëshpëriti veçmas të tjerëve, se pavarësisht se në publikun amerikan u quajt skandal, një nga sekretet e suksesit politik të konservatorit ekstremist Donald ishte se u fuste duart nga poshtë grave kudo ku i haste: Në lagje, në punë, në aksion me shkollën, në mbledhjet e Frontit etj.

“Kam bërë një sondazh të vogël dhe besoj se gratë e partisë janë dakord,” i tha Belo në mirëbesim, “madje mezi presin. Mendohu Doktor”. Doktori u shastis.

Pak më vonë, i erdhi në zyrë Nuli. Eci drejt dritares, lëvizi perden, u kthye, mbushi një gotë ujë, ndezi televizorin, e fiku prapë…

“Hë mor Nul, fol,” i tha Doktori dhe hodhi kapelen e kaubojit mbi tavolinë, “Ça do na ndigjojn vesht hala”.

“Po ja Doktor,” foli Nuli me ngecje, “e di që është e vështirë. Por ne si kolektiv kemi gjetur një modele sllovene, fiks si Donaldi. Po ta marrësh për grua sa për fushatë, i kemi të fituara zgjedhjet!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që i lë vend imagjinatës dhe nuk i vë flakën rrjetit

Video