11 MAJI/ Nis Beteja, Detaje nga Nëna e të Gjitha Fushatave

18 Mars 2025, 17:25Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Selman Jeniçeri ka nisur fushatën me bigutina në kokë

TIRANË – Ende pa nisur fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, ka kohë që nisur fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Që këto zgjedhje - ashtu si çdo palë zgjedhje që janë kryer në këtë vend këto 35 vitet e fundit - janë kyçe për fatin e atyre që marrin pjesë në to, e tregojnë momentet më kyçore që Patronazhisti ka zgjedhur për të rrëfyer, si më poshtë vijon:

-  Në përputhje të plotë me linjën politike të Donaldit në Amerikt, Doktori ka deklaruar se ditën e parë pas fitores, do ngrejë një gardh metalik në kufirin me Italinë për të frenuar fluksin e pakontrolluar të italianëve pa dokumente drejt Shqipërisë. Ai gjithashtu deklaroi se do aneksojë Moldavinë dhe do kërkojë kthimin nën sovranitetin shqiptar të kanalit të Butrintit, si një pikë strategjike për qarkullimin e qefullit dhe levrekut.

- I Gjati deklaroi se kandidatët për deputetë për listat e mbyllura i zgjodhi mes atyre që e kanë sharë në fejsbuk. Kjo zuri gafil gjithë socialistët, administratën, deputetët dhe pushtetet lokale, të cilët me urdhër të të Gjatit, për katër vjet rresht gjithë ditën e perëndisë jepnin lajke në fejsbukun e kryeministrit. Tani ata nuk janë të qartë se ç’duhet të bëjnë për të ruajtur vendin e punës nëse fitojnë zgjedhjet: Ta shajnë Të Gjatin gjatë fushatës, apo ta lëvdojnë?

- Lul Flokëpatllixhani filloi fushatën në krye të koalicionit Euro-atlantik, pikërisht në momentin më të keq, kur Euro-Atlantizmi po ndahet në Euro dhe Atlantizëm. Për të kapërcyer krizën, ai nisi t’i çojë video-mesazhe provokuese Të Gjatit, duke e sfiduar të kalojë Atlantikun.

- Hyri fuqishëm në skenën elektorale shqiptare edhe Tiku Politiku, i cili në zbatim të parimeve të tij të shenjta kundër politikës së vjetër dhe nepotizmit që po na merr frymën, vendosi të parin në listën e deputetëve, babanë e vet me emër VKM-je, Ferman. Disa të papjekurve që e akuzuan për konflikt interesi, ai iu përgjigj: Interes patjetër, po konfliktin ku e patë? Unë me babin shkojmë shumë mirë!

- Doktori deklaroi se sapo të vijë në pushtet, do t’i vendosë tarifa të larta San Marinos dhe Andorrës. “Ne jemi për vlerat konservatore,” sqaroi Doktori, “dhe po t’i shihni me kujdes, këto vende janë të vogla sa një konservë. T’u biem, qenave!”

- Në vijim konsekuent të projektit të tij legjendar Shëndetësia Falas, I Gjati promovoi dje skemën e tij të re, Shëndetësia me Lekë. U dha gjashtë spitaleve kryesore në vend kartën e autonomisë spitalore, me këshillën kuptimplote, “vrisni veten, nxirrni shpenzimet tuaja se unë s’ju jap më kokrrën e fondit”. 

- Një nga aleatët më strategjikë të Shqipërisë Madhështore të Doktorit, Selman Jeniçeri, u largua nga koalicioni në shenjë proteste, pasi u pikas një ditë shiu me qese plastike në kokë dhe u akuzua nga kolegët si këllëf.

“Në aleancën tonë të shenjtë e kemi një këllëf, ai është Belua,” thanë aleatët, “kështu që herë tjetër ose vër në kokë një letër gazete të palosur si kapello, ose ik fare”.

I zemëruar, Jeniçeri tha faqe mediave se nuk do votonte as të majtët dhe as të djathtët, se këta janë të gjithë njësoj. Harroi që në rast emergjence, mund të votonte edhe partinë e vet.

- Për një pasqyrim sa më të drejtë të fushatës elektorale, Radio-Televizioni Shqiptar u bë me këshill të ri drejtues. Më i fituari doli socialisti Piko Meleshi pe Korçe. Siç thoshte tregtari pro-gjerman Spiro Qendro për Sali Protopapën, Pikua shkollë nuk ka bërë, por seç ka diçka që të kujton burrat e vërtetë. Kështu, Pikua vuri ish-këshilltarin e tij po pe Korçe në krye të Këshillit, që ka lidhje me gazetarinë po aq sa ka një kabëll kompjuteri me një reportazh.

- Episodi më dramatik i shpalljes së listave ishte eliminimi i Jaran Sulës nga listat e mbyllura të Doktori. Jarani (të gjithë në Peqin i thërresin Dashnor) gjatë muajve të fundit nuk la rreckë pa veshur, e togje preshi pa marrë me vete në Parlament, për të treguar varfërinë ku e ka zhytur vendin I Gjati. Madje i vuri flakën dhe xhaketës më të mirë që kishte, mu para kamerave. Por Doktori nuk u bind dhe e la në listën e hapur. Nga inati, Jarani u largua nga demokratët dhe pranoi të kandidojë me koalicionin e Tiku Politikut. Por edhe Tiku ndërroi mendje dhe e la jashtë. Tani Jarani kërkon kompensim për xhaketën.   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike para-zgjedhore

Video