ZGJEDHJET/ Lënë vendin 100 shqiptarët e fundit që nuk janë në lista deputetësh, administratë apo në burg

13 Mars 2025, 17:15Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ikjet e fundit

TIRANË – Ankthi i akumuluar nga gjithë popullata shqiptare javët dhe ditët e fundit si avulli i fasuleve në një tenxhere me presion, shpërtheu dhe u çlirua ditën e djeshme, pasi partitë kryesore politike shpallën listat e tyre me kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 11 majit.

Publikimi live i listave ia kaloi për shikueshmëri edhe ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, me televizionet që shfrytëzuan rastin dhe futën reklama mu në mes të leximit të emrave të listës socialiste të Fierit nga Bella Ballukja. Me të drejtë në fakt, pasi kjo e fundit harroi se duhej të lexonte vetëm emrat, dhe filloi të fliste për tunelin e Murrizit.

Shikueshmëria e lartë e ka një shpjegim; sepse futbolli është punë qejfi, maksimumi ndonjë pare xhepi për ata që luajnë lloto, ndërsa lista e kandidatëve është çështje jetike për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.

***

Të parët që prisnin daljen e listave me rrahjet e zemrës 200, ishin vetë kandidatët: A do ishin në listën e sigurtë, apo në listën e hapur? Të dytët ishin familjarët, kushërinjtë dhe farefisi i kandidatëve. Në varësi të pozicionit dhe shanseve për të fituar, ata presin ngritje në detyrë nëse janë në administratën socialiste, apo licenca e vende pune në pushtetin e nesërm nëse janë demokratë dhe shporrin komunistat sorosianë nga pushteti.

Të tretët vijnë votuesit e të gjitha palëve, që në rast fitoreje shpresojnë një rrogë në ujësjellës, çerdhen e lagjes, policinë pyjore apo atë kufitare.  

Të gjitha këto pasione e strese sikur u shfrynë ditën e djeshme, dhe publikimi i emrave e mbushi publikun me adrenalinën që prodhon heqja e një meraku.

Tani e tutje, deri më 11 maj të gjithë presin diçka, gjithsekush ka një synim dhe jeta ka më shumë ngjyra.

***

Të vetmit që pas momentit kulmor të listave, nuk e gjejnë veten askund dhe e shohin realitetin bardhezi, janë rreth 100 shqiptarë të zhgënjyer që nuk hyjnë në asnjë ekuacion.

Sipas burimeve të Patronazhistit, ata nuk janë pjesë e asnjë kategorie nga të mësipërmet, dhe shyqyr zotit, as nuk janë në burg, ndaj kanë vendosur të largohen nga vendi.

“Të gjithë ata që njoh janë sistemuar, ose shpresojnë të sistemohen. Mua s’më mban asgjë në këtë vend. Nuk i duan të aftët,” tha demokrati i zhgënjyer Jaran Sula, “do largohem nga Shqipëria, do bëhem diasporë”.

Një tjetër individ i paplotësuar ishte qytetarja Volta Llaçka. Ajo deklaroi se pret një përgjigje finale nga shteti nëse do ta pranojnë si një votuese strategjike në Dhërmi, por nuk ka shumë shpresë.

“Ka shumë mundësi të iki në Amerikë,” tha Llaçka, “se kam aplikuar për ministre Mbrojtjeje”.

I papërfaqësuar ndihet edhe fieraku profesionist Ketro Poçi. Ai pohoi se nuk kishte pritshmëri të mëdha kësaj here, mjaftonte një vend si zv.ministër ose si zv.deputet. Por as këtë nuk ja premtuan.

“Nesër në drekë do iki në Itali. Megjithëse nga ky vend është për të ikur natën,” psherëtiu profesionisti.

***

Si përfundim, të dhënat e INSTAT-it saktësojnë se aktualisht në listat e votuesve në Shqipëri janë rezidentë vetëm ministrat, kandidatët për deputetë, drejtorët dhe stafet e administratës – dhe ata që shpresojnë t’i zëvendësojnë nesër – si dhe ata që janë në burg, bashkë me ata që i kanë çuar në burg, domethënë punonjësit e Degës së Brendshme.

Ata 100 të fundit që mbetën të pasistemuar ose të pashpresë, janë duke prerë biletat.

P.S. Nga njoftimet e fundit, mësohet se Jaran Sula e ka anulluar largimin, pasi Tiku Politiku i premtoi një vend kandidati në partinë e tij, ngjitur me emrin e babait të Tikut, i cili u bë kandidat pasi e kërcënoi Tikun se do largohej jashtë shtetit.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike. Çdo asosiacion (specialisti gjuhësor Kazan Huri na ka siguruar se kjo është fjalë shqipe, vjen nga salca) me personazhe realë është i qëllimshëm 

Video