FUSHATA/ Ja cili proces intelektual e shtyu Nulin të përdorte gishtin e mesit dhe ngjarje të tjera…

24 Mars 2025, 17:48Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nul Moka duke kryer gjestin e thelle filozofik, rezultat i erudicionit te shfrenuar

TIRANË e RRETHINA – Donte ta niste me Hegelin, por ngurronte. Fjala që do mbante në seancën e fundit të Parlamentit duhet të ishte gozhduese, por edhe e kuptueshme, dhe audienca mediokre zor se ja kishte haberin filozofisë idealiste gjermane në shekullit të 19-të.

Nga ana tjetër, filozofia kritike dhe iluminizmi i Emanuel Kantit vërtet mund të rezononte te disa deputetë demokratë që në rininë e tyre ishin marrë me vjedhje makinash në Dyseldorf, por gjithsesi efekti do ishte i kufizuar.

Nul Moka bëri një pauzë, pastaj kaloi tek gjigantët e filozofisë së lashtë greke. Vërtet, nga Republika e Platonit, tek Dialogjet e Sokratit, mund të gjente plot argumente për t’i përdorur në fjalimin e tij anti-diktatorial dhe denoncues. Kështu do t’i bënte qejfin edhe aleatit të partisë, minoritarit Vandul Gjeli. Por druhej se do akuzonin për lokalizëm dhe shfrytëzim të podiumit për interesa të ngushta. Hoqi dorë.

Psherëtiu dhe tha me vete, “kështu është kur lexon një hale libra dhe s’ke ku t’i përdorësh”. Sikur ta kishte ndjellë. I shkohej në hale. Mori një libër me vete, dhe pas dhjetë minutash doli prej andej, bashkë me librin me ca faqe mangut.

Shkrythi gishtat e lodhur, ngaqë kishte dy orë që mbante lapsin kopjativ në dorë, pa hedhur asnjë gërmë në letër. Dhe atëherë kur s’e priste, i shkrepi një ide.

“Gishtat,” tha me vete, “hajde Nul, hajde. Je dhe mjek. Po si s’të shkoi në mend më parë mo katran?”

Dhe atypëraty e vendosi. Në fjalën e vet në parlament, nuk do thoshte pothuaj asnjë… fjalë. Ai, tek e fundit, shquhej për lakonizëm dhe përdorim simbolikash të thella dhe të elaboruara. Do ngrinte gishtin e mesit disa herë, do ta tundte në formë gjysmë-eliptike duke ua treguar ministrave, pastaj, sallës, pastaj kamerave, pastaj vetes, dhe do shqiptonte frazën lapidare: Këtë keni për të marrë më 11 maj!

Kështu ndodhi që deputeti demokrat Nul Moka, me detyrë njëfarë Vrana Konti i udhëheqësit të shquar, kreu gjestin legjendar në sallën e Kuvendit, në javën e dytë të pranverës së parë të vitit hixhra 1446. 

* * *

Por Nuli nuk është i vetëm në këtë fushatë elektorale plot risi të reja që – në kundërshtim me risitë e vjetra – po shkallmojnë rregullat e ngurta të fushatave të dikurshme dhe po gjallërojnë garën e zgjedhjeve parlamentare.

Ajo që ka ndezur edhe më fantazinë e vdekatarëve të rëndomtë, është dueli i videove mes Të Gjatit dhe Lulit, që po zhvillohet në mjedise nga më të larmishmet.

Në fillim përplasja nisi me seriozitet. Luli, i sapoçuar nga gjumi i bukurisë, nisi të filmojë veten me ca mbështetës dhe provokonte Të Gjatin, duke e pyetur në dialektin tirons se ku i kishte shokët: “Ej Rame, t’kan ra n’burg shokët, eee?”.

Mirëpo e mbante celularin aq afër saqë mbështetësit nuk dukeshin gjëkundi; madje as Luli vetë; dalloheshin vetëm një palë dhëmbë që flisnin dhe bajamet në sfond. Në videot e tjera mbështetësit u distancuan. Nuk dihet nëse ishte në shenjë proteste se nuk shfaqeshin fare, apo se ua shpifte tironsja e sforcuar e Lulit.

I Gjati i përgjigjej me video individuale; tek pullë në zyrë, ose në makinë, me zërin e thellë bariton që e ftonte kundërshtarin për aventura të reja shumëkuptimshme. Kishte pikëpyetje pse ai zgjodhi Lulin për rival elektoral, kur derëziu nuk ka as parti. Bile për atë gjënë që ka themeluar, ka përdorur Niptin e një shoku. Por si duket e joshte sfida.

Dhe nuk e kishte keq. Sepse Luli filloi të xhironte video nga kuzhina e shtëpisë, dhoma e gjumit, e madje edhe me pizhama. Nuk e përdorte gishtin e mesit si Nuli – sepse nuk ka lexuar aq shumë libra – por ama provokimi mbetej i rëndë. Tani mediat ndërkombëtare janë kurioze sesi do përgjigjet I Gjati. Se e dinë që ai dikur ka bërë hatara.

* * *

Një ide origjinale pati edhe djali i shokut Fahri. Për të ilustruar tryezën e varfër ku i ka katandisur i Gjati shqiptarët, ai filmoi në bardhezi tavolinën që ha zakonisht I jati në restorant: Kastraveca e domate bio të qëruara, djathë nape, pilaf, tasqebap, një tavë dheri dhe një shishe raki.

Pastaj shfaqi tavolinën plot të mira matriale që do kenë zgjedhësit pas 11 majit: Të njëjtat asortimente, po kësaj here me ngjyra!

Patronazhisti mëson se kur pa videon promocionale, shoku Fahri tha me vete: “Më mirë të kisha bërë një kërcu, do isha ngrohur gjithë dimrin”. Por u frenua dhe evlatit i tha vetëm: “Mirë ka dalë, të keqen babi, shyqyr që nuk më filmove dhe mua”.

Në garë hyri edhe ish zëvendës-Luli, deputeti Enkelejd Alibaba, i cili shkoi edhe më thellë. Ai bëri videoklip me të bijat në makinë mu përpara zyrave të SPAK-ut. Mesazhi për politikanët e korruptuar ishte, “edhe po shpëtuat nga prokuroria e posaçme, nuk shpëtoni nga unë!”

Dhe për ta treguar se e ka seriozisht, Alibaba futi në listën e sigurtë të partisë së vet vajzat, të jëmën, dhe katër baxhanakë.

Por mesazhi më i fortë është ai që po përgatitet të dalë së shpejti. Patronazhisti ka të dhëna se politikanët Selman Jeniçeri dhe Jaran Sula sapo kanë përfunduar xhirimin e një klipi denoncues ndaj Doktorit, të dy në një vaskë duke kënduar himnin “S’paske pas nji pikë mëshire”.   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e cila këtë herë nuk ka bërë satirë, por vetëm një përmbledhje të ftohtë të ngjarjeve të javës.

Video