SONDAZHI TRONDITËS/ 78% e qeverisë beson se ky popull duhet të ikë: Na ka zhgënjyer!

15 Prill 2025, 17:28Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Cengijet qeveritare duke hedhur vallen e njohur popullore 'Kërcen prifti nga belaja'

TIRANË – Një seri sondazhesh të organizuara në fillim të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kanë paraqitur të dhëna tronditëse sa i përket nivelit të pëlqyeshmërisë së votuesve në sytë e qeverisë shqiptare.

Si anketat e kryera nga kompania italiane e sondazheve Propolis, ato të sondazhistit permanent Zalo Foshnja, apo të Euronjuzit të kryera nga eksperti grek Miço Ziu (emri teknik Dhimitris Mavros, që është e njëjta gjë) dëshmojnë një rritje progresive të pakënaqësisë së qeverisë ndaj performancës së shqiptarëve.

Shifrat ndryshojnë shumë pak nga njëri sondazh tek tjetri, dhe rezulton se mesatarisht besimi i qeverisë ndaj votuesve të thjeshtë endet në nivelin e 22%, më i ulëti këto 12 vjet të qeverisjes socialiste.

Kampioni i të anketuarve është marrë mes ministrave, deputetëve, zv.ministrave, drejtorëve të drejtorive, sekretarëve të përgjithshëm, shefave të kabinetit dhe disa institucioneve kyçe, si tatimet, doganat dhe inspektoriate të ndryshme.

Eksperti Zalo Foshnja sqaroi se e ka zgjeruar kampionin për të marrë një mendim edhe nga ish-qeveritarë apo socialistë në pension. “Panorama është shqetësuese,” deklaroi Foshnja për Patronazhistin, “kupola socialiste dhe armata e skalionit të dytë, pra drejtorët anonimë që vijnë me opinga në Tiranë dhe gdhihen me tre-katër shtëpi dhe po kaq familje, janë të bindur se ky popull nuk e ka të gjatë kështu siç e ka nisur”.

*** 

Kështu, mesatarisht 78% e qeveritarëve mendojnë se votuesit e kanë shpërdoruar besimin e tyre, dhe vetëm 34% besojnë se shqiptarëve u duhet dhënë edhe njëherë dora. Plot 55% janë të prerë se ky popull duhet ndërruar, ndërsa vetëm 11% u përgjigjën me “nuk e di”.

Sondazhuesit kanë ofruar disa ilustrime tipike.

Domethënës është prononcimi i socialistit veteran Gramoz Kuçi: “Ki popull dhe këta votusa nuk bëjën; unë thom të ikën, përndrishe prekurorët duhet të veprojën”. I pyetur përse e ka krijuar këtë bindje, ai u përgjigj: “Po nuk punojën mo! E kanë mënden të shohën si vjedh qeveria dhe të ankohen. Sikter tutje!”

Ministrja Bella Ballukja tha: “Fillova ta humbas besimin tek shqiptarët që kur nisëm punimet e lotit 1 të Unazës së Madhe, lotit 2 në rrugën e Qafë Plloçës dhe lotit 3 në rrugën e Theqafjes. Unë deklarova se nuk do lëmë asnjë familje të mes të rrugës, dhe ashtu bëmë. I çuam në cep të rrugës për siguri, kur ata rrëshqitën, ranë në një rrëpirë dhe ma vunë fajin mua! E kupton ti çfarë derrash?”

Ministri Hulusi Manja ishte dhe më i prerë:

“Është shumë e thjeshtë. Në demokraci, populli që nuk ndërrohet, qelbet. Edhe populli më i mirë në botë, pas tre mandatesh duhet ndërruar. Ka të tjerë që e bëjnë atë punë!”

***  

Patronazhisti mëson se I Gjati, i cili funksionon vetëm në bazë sondazhesh, e ka mbajtur shënim frymën e pakënaqësisë së mbizotëron në masën e gjerë qeveritare. Prandaj dhe fushata e saponisur elektorale e Partisë Socialiste ka në bazë të programit të saj, gjetjen e mënyrave për ndërrimin e zgjedhësve.

Plani i mirëmenduar ka një kryefjalë: Pasaportën europiane të shqiptarëve.

“E shikoni këtë pasaportë? Kjo do t’ju çojë ku të dëshironi nëpër Europë. Të ikni, të hapni sytë, të shihni dhe ju një ditë të bardhë,” ishte mesazhi i një videoje brilante të Të Gjatit për shqiptarët, në fillim të fushatës.

Por kjo është vetëm njëra pjesë e planit. Pjesa tjetër zhvillohet mes diasporës shqiptare në Itali, Greqi, Gjermani, Britani e gjetkë. Mesazhi i Të Gjatit për votuesit e jashtëm është:

“E shikoni këtë pasaportë? S’bën një lek. Prandaj merrni pasaportat tuaja europiane dhe hajdeni të investoni në Shqipëri se do ketë vend boll”.

Për t’i bindur diasporasit të vijnë, I Gjati ka mobilizuar gjithë grarinë qeveritare të japë koncert  çengijesh me këngë e valle, ku spikasin këngët “Vish fustanin me toka”, “Një lule doli nga xheneti,” “Një djalë dhe një çupë gjezdisin dynjanë”, dhe “Zare trëndafile, ç’ma bëre me hile”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se vetëm Lul Basha mund ta bëjë këtë vend     

Video