PËR T’U LAVDËRUAR/ Ministrat japin shembullin personal sesi duhet ndihmuar biznesi vendas

30 Prill 2025, 20:53Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Një nga zejtarët përfitues nga iniciativa e qeverisë

TIRANË – Për të kryer shërbimet e domosdoshme për funksionimin e aparatit qeveritar, ata mund të kishin zgjedhur edhe kompani të huaja, që tek e fundit mund të kenë më shumë ekspertizë dhe përvojë në fushat përkatëse.

Por ministrat e qeverisë shqiptare duket se kanë vendosur, ndoshta në heshtje, që për shpenzimet në dukje dytësore, shërbimet t’i marrin ekskluzivisht nga kompani lokale të vogla e të mesme, për t’i dhënë sa më shumë frymëmarrje biznesit vendas.   

Një investigim i Patronazhistit me ndihmën e gazetarit të pavarur ekonomik Fatush Kaçolja zbulon se rasti i Ministres Infrastrukturore Energjetike, e cila vendosi ta lajë makinën tek lavazhi "Jashtë - e - brenda" të gjyshes së Ministrit të Brendshëm, nuk është as incident dhe as një moment i veçuar.

Në plot raste të tjera, ministra, zv.ministra, drejtorë e shefa kabinetesh, i kanë kanalizuar këto lloj fondesh drejt shtresave në nevojë, duke bërë që fondet të mbeten brenda vendit.

***

Kështu, eksperti Kaçolja sinjalizon se:

-Ministrja e Turizmit dhe Ambientalizmit Mjedisor i çon të gjitha teshat dhe fustanet, te pastrimi kimik i motrës së Ministres së Bujqësisë, me një tender simbolik prej 20 mijë eurosh në muaj. 

-Ministri i Drejtësisë Zigzage i mballos këpucët tek këpucaria e vëllait të Ministres së Shëndetësisë, për 12 mijë euro në muaj.

-Ministrja e Shtetit për Adolishentat dhe Kalamajtë, të gjitha fletoret dhe lapsat që i duhen për të mbaruar vitin e tretë të fakultetit i blen te kanceleria e tezes së Ministres së Shëndetësisë për 8 mijë euro në muaj.

-Ministri i Ekonomisë, Kulturës, Inovacionit dhe Stacionit, rruhet e qethet tek berberhania e baxhanakut të Ministrit të Drejtësisë, për 15 mijë euro në muaj.

-Ministri për Pushtin Vendor, edhe pse mban mjekër permanente, ka vendosur që shkumën e rrojes ta blejë tek marketi i nipit të Ministrit të Jashtëm për 5 mijë euro në muaj.

-Ministrja e Shtetit për Marrjen përsipër të Sipërmarrjes i arnon getat në rrobaqepsinë e njerkut të kushëririt të Ministrit të Financave për 25 mijë euro në pesmediç.

-Ministrja e Arsimit Analfabetik ka firmosur kontratë për ulje në peshë, me qendrën e njohur estetike “Bulmet Jugu” të baxhanakut të Ministrit të Mbrojtjes, për 18 mijë euro në muaj.

-Ministri i Mbrojtjes dhe Kundërsulmit vë mjekër fallso për t’u dukur më i madh, tek parrukeria e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me jashtë Shtetit, për 9 mijë euro në muaj. 

*** 

Ndërkohë të dhënat e investigimit konfirmojnë se i gjithë kabineti qeveritar zhvillon here pas here kurse për të përmirësuar qëndrimin si nuse syulur, e padalë dhe e drojtur, pranë studios së hallës së Kryetares së Parlamentit.

Dhe e fundit, totali i ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, kryebashkiakëve etj, kanë zënë rradhë sipas një kalendari të caktuar, për të ngrënë nga një gol në klubin sportiv të drejtuar nga vëllai i kryeministrit.

P.S. I vetmi i papërfshirë në këtë iniciativë shembullore, është Presidenti i Republikës, i cili përsheshin që ha, e gatuan vetë duke lënë në baltë biznesin vendas.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike inkurajuese ndaj nismave të nënave 70 vjeçare që hapin lavazh makinash   

Video