
TIRANË – Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po shkojnë drejt numërimeve të fundit, por ndërkohë janë përcaktuar jo vetëm fituesit, por – çuditërisht – edhe humbësit. Në sajë edhe të kontributit modest të Patronazhistit, socialistët kanë siguruar 83 mandate parlamentare, çka u mundëson atyre të vijojnë përpjekjet për të mbajtur premtimet që u kanë bërë zgjedhësve të vitin 2013.
“Siç kemi thënë, tani projekti ynë Shqipëria 3020 në BE është më afër realizimit se kurrë,” deklaroi i emocionuar I Gjati, duke sqaruar se viti 2030 që u përmend gjatë fushatës ishte një lapsus i vogël teknik. “Nuk e di si t’ua shpërblej shqiptarëve,” shtoi ai, “por do mendoj diçka”.
Ndërkaq, në këtë atmosferë festive, Patronazhisti po rendit disa nga detajet më pikante të orëve të fundit.
***
Mësohet se, për t’u bërë karshillëk gjithë liderëve djathtistë të botës që uruan Të Gjatin socialist për fitoren, ish-presidenti amerikan, demokrati Xho Bajden, i ka dërguar një mesazh urimi Doktorit për humbjen.
“I dashur Doktor demokrat, urime për vendin e dytë në zgjedhjet parlamentare shqiptare. Mezi pres të takohemi për një dorë tavëll te Shtëpia e Oficerëve… Më fal, infermierja po më thotë që ti s’vjen dot në Amerikë. Doktor, çfarë është kur mpihet këmba e djathtë? Kush ishe ti, edhe njëherë? Kujt jam duke i shkruar tani?…”
***
Burime policore raportojnë se gishti i mesit që Nul Moka tundi me aq elegancë në sallën e parlamentit, ka dalë jashtë kontrollit, duke fituar një vetëdije autonome dhe duke u tundur në mënyrë të pavarur rreth e rrotull Nulit. “Këtë keni për të marrë në zgjedhje, gjeni vrimë ku të futeni”, pat deklaruar një muaj më parë Nuli duke lëvizur para kamerave gjymtyrën mesa duket të preferuar të tij. Por dje ai kërkoi ndihmën e demokratëve për të nënshtruar gishtin e ngjyer me bojën zgjedhore që, sipas dëshmitarëve okularë, po i kundërvihej të zotit në kërkim të vrimës.
Patronazhisti mëson se gishti rebel i Nulit, ishte në fakt edhe arsyeja përse demokrati Baz Gardhi u zhduk nga qarkullimi për disa orë.
***
Triumfi publiçitar i socialistëve në qarkun e Fierit, nxorri para kamerave drejtuesen politike të tyre Bella Ballukja, e cila me krenari deklaroi se megjithëse e tallën dhe e përqeshën, tani edhe Zegjineja do jetë në Parlament.
“Unë nuk do flas më politikisht, këtej e tutje do flasë Zegjineja…,” nisi të flasë Bella, por e ndërpreu fjalën dhe iu drejtua një bashkëpunëtori syulur që diç po i pëshpëriste në veshin e majtë, “Si? SPAK mori të pandehur edhe drejtorin e ri të rrugëve? Edhe drejtorin e KESH-it? E mo mirë, vëmë drejtorë të rinj. Na, meqë je këtu, a do të bëhesh drejtor ti vlla? Ke rrogë të mirë”.
***
Partitë e reja nuk dolën keq këto zgjedhje. Gonia i call centerave, Tiku Politiku, Arlind marksisti – edhe pse mashtruesi çirret se është social-demokrat – do fusin deputetë në parlamentin e ri. Interesante ishte deklarata e Tikut, se nëse partitë e vogla, dmth Mundësia, Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë etj, do bashkonin forcat, do merrnin shumë më tepër deputetë.
Patronazhisti ka të dhëna se ka filluar sakaq puna për një koalicion të ri politik, që do të quhet:
“Mundësia që Shqipëria të Bëhet Bashkë për të qenë Madhështore në 3020-ën!”
Vini Re: E morët vesh moj grani e vajzani? Patronazhisti është rubrikë satirike, ku është Gazi? O Gazoo po hajde mooo…