E ÇUDITSHME / Një grup pasanikësh shqiptarë u premton viktimave që ka vjedhur se do t’i bëjë të pasur; këta prapë besojnë!

10 Maj 2025, 11:43Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

TIRANË, Shqipëri; në Perëndim të Ballkanit Perëndimor - Ajo që nga studiuesit e sociologjisë dhe psikologjisë së turmave është përkufizuar si një rast i përsëritur i auto-mazokizmit vullnetar mes popullsisë shqiptare, ka mbërritur në finale ditën e premte.

Një grup shqiptarësh tejet të pasur, u ofruan viktimave të tyre po shqiptare, paketën finale të premtimeve, të cilat kur të realizohen, do t’i bëjnë derëzinjtë shumë më të pasur se ç’janë sot.

Episodi misterioz mësohet se është një rast i përsëritur periodikisht çdo dy apo katër vjet prej 35 vitesh.

Pikërisht kohëzgjatja e kësaj sindrome dhe këmbëngulja e viktimave të vjedhura sistematikisht, për të besuar edhe një herë sërish përsëri për të disatën herë prapë, ka ngjallur interesin e antropologëve.

***  

Pasanikët, të prirë prej një të gjati dhe një gjerondokrati, deklaruan se me dorën e tyre do t’i kapnin dallëndyshet një e nga një, do t’u shtrydhnin qumështin dhe do t’ua shpërndanin shqiptarëve.

Më tej premtimet e tyre varionin nga betimi solemn i të gjatit se do ta shtronte xham rrugën për në Europë – që shqiptarët e nginjur me qumësht dallëndysheje të iknin sa më shpejt – tek vënia e dorës në zjarr nga ana e plakut, se do t’u rriste pensionet aq shumë sa të mos kishin ku t’i shpenzonin.

Të tjerë pasanikë, mes tyre një ish president i burgosur si mbështetës i Vojo Kushit dhe Avni Rustemit, bënë thirrje që t’i votonin, në mënyrë që qelinë e tij ta zinte i gjati.

Të gjithë pa përjashtim deklaruan se kishin mbështetjen e Amerikës.

Por kulmi ishte se i gjati, plaku dhe i burgosuri - të tre së bashku të alternuar në pushteti këto 35 vjet – u kërkuan shqiptarëve t’i votonin për të ndrequr të këqijat që kishin bërë kryeministrat e kaluar. Pra ata.

***   

E reja është se në grupin e pasanikëve të stazhionuar tentojnë të hyjnë dhe aspirantë të rinj. Mes tyre edhe një pronar call center-ash, që ndryshe nga maskarenjtë e mësipërm, ka vjedhur pensionistë europianë, se këta tanët s’ka ku t’i zërë qeni.

Është edhe një avukat i suksesshëm, që çështjet i ndante me vjehrrin gjykatës, dhe tani premton se do t’ua rrëmbejë pasurinë të kamurve dhe do ta mbajë për vete.

Ndërkaq rrotull grupit të premtuesve profesionistë sillen të tjerë agallarë dhe bejleresha. Ca i garantojnë shqiptarët – ata që kanë mbetur – se me 140 euro në muaj jetohet shumë mirë.

Të tjerë, të shqetësuar për obezitetin e tyre, u kërkojnë derëzinjve të mos përdorin makinën por të ecin më këmbë deri tek dyqani i bukës, se nuk u bë qameti.

Ndërsa të tjerë akoma, prej vitesh jashtë pushtetit, ngrenë kulla, kanë nga 10 apartamente e vila, dhe qarkullojnë me makina, një pasqyrë e të cilave kushton sa pensioni mesatar i dhjetë viteve.

***  

Qershi mbi tortë janë ahengxhinjtë e pasanikëve. Me makina që kushtojnë sa një apartament 3 plus 1, me fitime koncertesh që s’janë tatuar një herë në jetë, dhe me angazhime anësore që përfshijnë import-eksport pluhurash të bardhë, ata ngrenë në këmbë turmat sa herë dalin në skenë.

Çengijet dhe çengushat i ftuan të vjedhurit edhe këtë herë, që të votojnë numrin 1, numrin 5, numrin 155, nëse duan të shohin një ditë të bardhë. Nga ajo e bardhë që ata vetë e shohin çdo natë.

Gjasat janë që edhe kësaj rradhe, këta Robin Hunj të epokës moderne të qëllojnë në shenjë…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-zgjedhje. Zgjidhja nuk ka shumë rëndësi, madje ajo është e mbivlerësuar  

Video