FUTBOLL / Sulmuesi i lirë Lulzim Basha firmos kontratë 4-vjeçare me ekipin holandez

9 Qershor 2025, 12:20Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmuesi shqiptar duke u prezantuar me skuadren e re

UTRECHT – Sulmuesi me origjinë shqiptare Lulzim Basha sapo ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me ekipin modest holandez të futbollit, Jong Utrecht, që luan në kategorinë e dytë të futbollit të tulipanëve, Erste Divisie, duke premtuar që t’i çojë të rinjtë e Utrechtit në kategorinë e parë.

I liruar nga detyrimet kontraktuale në kampionatin shqiptar, ku ai luajti i huazuar për shumë vite më rradhë për skuadrën e kategorisë superiore, PD, talenti tashmë me ca vite përvojë mbi shpinë u rikthye si lojtar i lirë në qytetin që e formoi intelektualisht.

Do të bëj të pamundurën për ta çuar Jong Utrecht në kategorinë e të mëdhenjve,” deklaroi Basha duke mbajtur në dorë fanellën e re me numër 7x7=42, “kundërshtarët do duhet të kalojnë mbi trupin tim për të na mposhtur”.

Basha, i cili në Tiranë e pat ofruar shumë herë trupin e tij në mënyrë të ngjashme për nevojat e PD-së, duke paralajmëruar rivalët se më parë duhej të kalonin mbi të, duket se është mësuar me ritualin e kalimit në fjalë. Kjo për arsye se me gjithë kërcënimet, konkurrentët nuk e kanë patur problem dhe as pengesë trupin e tij të hajthëm.

Në një konferencë për shtyp, shqiptaro-holandezi shoi edhe kuriozitetin e gazetarëve për përvojën e tij shqiptare.

**     

“Gjatë kontributit tim në PD, na janë bërë shumë padrejtësira nga Federata,” pohoi Basha, “dhe madje njëherë ne vendosëm të bojkotojmë kampionatin. Ua hodhëm bluzat dhe kilotat në surrat atyre të Federatës dhe u thamë, luani vetëm tani, kafshë, rrugeçër!”

Dhe në vijim ai psherëtiu:

“Do ti që ata nuk kishin fare gajle të luanin vetëm? Fituan një kampionat, dy, tre… Ne dikur donim të ktheheshim, po kishim mbetur dhe pa kilota. Siç e merrni me mend, nuk do ishte etike të dilnim në fushë vetëm me tanga… Megjithëse një kolegia ime sulmuese, një Mona, Mona, nuk e kishte hiç problem këtë pjesë. Ajo madje tha, le të kalojnë mbi trupin tonë more, punë e madhe! U zura dhe me presidentin e ekipit, një plak zevzek, dhe ika fare”.

Sulmuesi në këtë pikë e trashi zërin, siç i ndodhte sa herë nervozohej: “Atëherë vendosa të krijoja skuadrën time!”

Dhe talenti rrëfeu sesi ekipin e ri e quajti Koalicioni euro-Atlantik i Rinovuar, e prezantoi me bujë të madhe dhe nisi organizimin e strukturave. Por e ndërpreu gjithë punën kur i thanë se në Federatë klubi do regjistrohej me iniciale, bashkimi i të cilave sillte një ngërç etik, pasi pas K-së dhe A-së, vinte R-ja.

**   

“Doja t’i ndihmoja,” pohoi në vijim Basha, “sepse tek e fundit, edhe unë origjinën e largët andej e kam. Por ata nuk bëhen njerëz, nuk janë sonsiblë. Nuk thonë kot, vetëm në Holandë blihen lulet me para, në Paris i hanë gomerët!”

Burimet për Patronazhistin mësuan se kontrata e re do ta shpërblejë Bashën me 10 tendera në vit. Kontrollet mjekësore shkuan mirë, pavarësisht se mjekët konstatuan një dozë të madhe ngjyruesi nuancë patllixhani në flokë dhe një përqindje të pazakontë gjumi në gjak.

Në fakt, nga fundi i konferencës për shtyp, gazetarët u çuan me kujdes dhe u larguan në majë të gishtave, duke mbajtur këpucët në dorë, sepse sulmuesin sy-shqiponjë e kishte zënë gjumi.

“U këput i shkreti,” pëshpëritën ata me keqardhje, “do ta kenë lodhur shumë ato inicialet e mallkuara të klubit të ri”.

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-futbollistike

Video