
TIRANË/KSAMIL/VRINË – Ashtu siç shpresohej prej vitesh, më në fund i ka ardhur rradha edhe jugut të jugut për të rilindur sërish, edhe njëherë, prapë përsëri. Për ta kuptuar se kjo që po ndodh është mrekulli, mjafton t’i kujtojmë lexuesit se vetë lindja është siklet goxha i madh, e jo më pastaj rilindja, që parashikon një procedurë mjaft të komplikuar. Kësisoj merreni me mend sëkëlldinë e rilindjeve të dyta e të treta.
Por qeveria është e vendosur që ta bëjë rivierën e jugut të jugut, të qytetëruar si turqit e soçëm.
Kështu, mësohet se siti arkeologjik i Butrintit do të pësojë një transformim epokal. Madje, termi i saktë, thonë burimet për Patronazhistin, nuk është transformim, por transferim, pasi ai grumbull gërmadhash e vjetërsirash, ashtu siç është, do të zhvendoset diku më tutje, rrëzë malit të Milesë, për t’i lënë vend asaj që ministrja e Turistave dhe Glikosë me Arra, Lela Këmbora, me aq qejf i thotë ‘rijetëzim’.
Fakti është, që ka qenë e turpshme për shtetin shqiptar, që një pikë strategjike si Butrinti të zihet nga ca rrënoja që të kujtojnë një vend të botë së tretë dhe të katërt, dhe që rrezik janë ngritur dhe pa leje. Por këtej e tutje, kodra që ngrihet mbi kanalin e Butrintit do të zbukurohet nga një kompleks turistik me vileta, ku do të qarkullohet vetëm me mjete elektrike si makina golfi, ashensorë, shkallë lëvizëse, etj, ndërsa përmes një VKM-je të veçantë, qefulli dhe levreku do të kërcejnë nga liqeni drejt e në tiganët e pushuesve.
***
Duke iu përgjigjur dënglave të ca kritikëve se siti arkeologjik nuk duhet lëvizur, se ai është pasuri kulturore, se është shumë i vjetër e mund të dëmtohet etj, etj, ministrja Këmbora i siguroi të gjithë:
“Nuk ekziston asnjë rrezik. Butrintin e ri do ta bëjmë edhe më të vjetër nga çka qenë!”
Ish-përkthyesja e turpshme që dikur e bënte për të qarë I Gjati në mes të sallës së parlamentit, është zhdërvjelluar dhe është bërë, siç i thonë francezët, “hazërxhevap”.
Ëndrra e saj për të rijetëzuar karakatinën e Butrintit zë fill disa vite më parë, kur ajo deshi të ngrejë një qofteri-sallameri-sufllaqe me skelet alumini në parkun arkeologjik, që të mbushnin mullën vizitorët e uritur. Po merrnin vesh derrat?
Në vend ta falenderonin që po i jepte pak qytetërim një zone ku nuk ka asnjë pëllëmbë tokë dhe ku mbijnë vetëm gjemba, disa njerëz me lakra në kokë e akuzuan se po tjetërsonte sitin arkeologjik për fitime personale.
Këmbora e la atë betejë, por më pas hyri në lojë I Gjati, i cili nuk i toleron dot mungesën e gustos dhe katundarët e verbuar nga mungesa e etiketës.
Ai i kërkoi arkitektit japonez Harakiri Kamikaze të projektonte një hyrje krejtësisht kontemporane të parkut, me struktura të lehta druri, kioska që shërbejnë sushi dhe geisha që bëjnë masazhe, njësoj siç ndodhte në Butrint në kohërat e lashta. Atëherë askush nuk e kuptoi se projekti japonez ishte hyrja jo për gërmadhat e vjetra, por për planin e ri turistik.
***
Por Butrinti i rilindur do ishte i mangët pa pjesën tjetër. Përballë tij është Vrina, një fshat që prodhon mandarina. Sa bukur, Vrina-mandarina… Ata mund të prodhonin edhe portokalle, por e lanë këtë ide ngaqë portokalli nuk rimon me emrin e fshatit.
Në shpinë të Vrinës është bregdeti që sheh sy më sy Korfuzin. Në gjithë zonën, I Gjati ka kërkuar verifikimin e të gjitha trojeve dhe pronave shtetërore – dhe ndonjë private tek-tuk, sidomos kur pronarët janë pleq me një këmbë në varr dhe fëmijët i kanë emigrantë në Australi – sepse tha, “do t’i rijetëzojmë”.
Plani përfundimtar është që, komplekset që do ngrihen përballë Korfuzit, kombinuar me mrekullinë e arkitektit Arigato Sajonara në Butrintin e ri, ta zbrazin totalisht ishullin grek nga turistët, t’i ngordhin për bukë banorët vendas, dhe ta detyrojnë shtetin grek t’i thotë Të Gjatit: “E di ç’ke vlla? Merre ti këtë shkretëtirë se nuk e duam fare! Vetëm na sill ndonjë arkë me mandarina herë pas here”.
***
Që turizmi shqiptar po hyn në një fazë cilësore me marrjen e mandatit të 14-të të Të Gjatit, (edhe në librat e histerisë kështu do thuhet: Në kohën e Të Gjatit të 14-të…) e tregon më së miri edhe projekti i Manastirit.
Siç e thotë dhe toponimi, ekzistenca e një manastiri të vjetër në hyrje në Ksamilit, i dha emrin kësaj zone. Por Manastiri – që është pjesë e zonës së mbrojtur të trashëgimisë kulturore, bashkë me Butrintin (nejse, t’i lëmë shakatë) - ka dhe një gji detar të mrekullueshëm poshtë tij, ku pak kohë më parë Ministrja Këmbora tha se kishte dhënë një leje të vogël për një njësi turistike të vogël.
Këmbora nuk ngurroi të përdorte gjithë arsenalin e saj linguistik në parlament, kur mori hartën në dorë, uli syzet në gjysmë të hundës si akademike dhe e tregoi me një laps një dorë:
“Ja mi goc, kjo pika e vogël, minuskole këtu, do jetë për turizëm cilësor, ndërsa gjithë pjesa tjetër do ruhet më së miri. E shef? Ja, e vooockël fare”, dhe holloi dhe zërin për të ilustruar vogëlsinë e pikës.
Sot, po merret vesh se pika e vogël ka gëllitur gjithë zonën, me gji detar dhe me Manastir, ndërsa murgjit e shkretë, me gjasë do t’i shërbejnë çaj Lela Këmborës dhe do t’i bien këmbanës kur kjo të shkojë me pushime aty.
Megjithatë, ministrja Këmbora këmbëngul se gjithçka po ekzagjerohet. Në një deklaratë të fundit, ajo tha:
“Siç ka thënë dhe kryeministri ynë i 14-të, gjuha shqipe ka disa kurthe të mrekullueshme. Bile në mbledhjen e fundit ai na shtroi hareshëm një gjëegjëzë nga Butrinti i vjetër: Mirë se një zoge të vogël ne i themi zoçkë; po një pike të vogël si i themi….? Të gjithë e gjetëm me të parën.”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-kryeministrave me numra mbretërish nga prapa