
TIRANË – Një hapje spektakolare e sezonit të ri artistik ishte ajo e javës së kaluar për cirkun e rinovuar dhe të ringjallur të Tiranës. Me të ftuar të rëndësishëm nga gjithë Europa, shfaqja e 16 majit – edhe pse ditë shiu – vlejti edhe si hapje e sezonit turistik. Cirku nuk mund të kishte kuptim pa tendën gjigande të ngritur mu prapa Skënderbeut, e cila u montua në kohë rekord.
Protagonisti absolut ishte padyshim krye-maxhordomi i cirkut dhe shefi i Komisionit të Festës, I Gjati, i cili - ndryshe nga herët e tjera, kur nxirrte ca maja lapsash nga xhepi i xhaketës, vishte pizhama lart dhe tuta poshtë, dilte me shallvare (meqë kishte bredhur ca në rini nga ajo lagje) apo jepte spektakël me robdëshambër - ishte veshur serioz.
Përjashtim bënin atletet e bardha që kishte mbathur, por ato ishin të domosdoshme për shkak të numrave impenjativë që do të kryente.
***
Shfaqja nisi me të Gjatin që, hypur shkathtësisht në një monocikël pa shalë, (biçikletë me një rrotë, për injorantët) rrotulloi në ajër 4-5 kuti votimi nga njëra dorë në tjetrën. Pastaj, me dy shkopinj bambuje, ai solli vërdallë me mjeshtëri jo pjata boshe, si gjithë numraxhinjtë e rëndomtë, por pjatat e mbushura me menynë ushqimore për të ftuarit e nderuar, pa derdhur asnjë patate të skuqur.
Nën duartrokitjet e mediave të pranishme, numri i rradhës ishte loja me çadrat, të cilat i hidhte në ajër dhe i kapte prapë, ndërsa dy asistente elegante shoqëronin mysafirët e nderuar. Këta të fundit kalonin në tapetin e kuq të shastisur nga arti që po u shfaqej para syve.
Disa prej miqve asistuan në një numër shpejtësie, ku iluzionisti I Gjatë një çast i shoqëronte me çadër, ndërsa sekondën tjetër zhdukej, për t’u rishfaqur 50 metra më tej, tek mysafiri i radhës.
Siç shpjeguan më pas reporterët, sekreti ishte tek atletet speciale, me të cilat I Gjati rrëshqiste mbi tapetin e lagur me shpejtësinë e dritës.
I vetmi që nuk u impresionua ishte një plak nursëz, që i Gjati e thirri me emocion, ‘Baba Rexhep’.
“Ç’i ke këto opinga, mo evlat,” u vrenjt plaku.
Por I Gjati i pëshpëriti: “Ashtu është një muhabet, dua t’i bëj përshtypje një hanëmeje,” dhe Baba Rexhepi buzëqeshi, i tundi gishtin si për t’i thënë, “ah pizeveng që je tiii”, dhe u largua.
***
Siç të gjithë u bënë dëshmitarë, momenti kulmor erdhi kur nga Benzi i rradhës doli një bjonde Italie, nga ato me lesh të verdhë ama. Ndërkohë I Gjati – që ishte rrotulluar brenda tapetit të kuq dhe ishte bërë si tub, u çrrotullua fuqishëm duke shpalosur tapetin edhe një herë në sheshin Skënderbej dhe duke dalë prej andej si Kinder sorpresa. Në sekondë ai nxorri nga mënga një tufë lule, mori vrull, u lëshua barkaz mbi tapetin e lagur dhe rrëshqiti me tufën në dorë drejt bjondes, e cila ndërkohë e kishte marrë të plotë dozën e lemerisë.
E shkreta jepte sinjale me duar e më këmbë, të tipit “mos se le nam”, “o hajvan ça je t’u bo”, “o Zot, ç’më gjeti mua me ktë gomar” dhe mesazhe të ngjashme.
Por I Gjati nuk dëgjonte nga ai vesh. U çua, i shkeli me këmbë të gjitha çadrat që kishte atypari dhe pastaj u ul në gjunjë para bjondes që po i dilnin sytë jashtë nga zgurdullimi.
Të gjithë prisnin të dëgjonin çfarë do thoshte, por I Gjati tha thjesht: Mirëseerdhët, zonja Kryeministre…
***
Ndërkohë që episodi bëri xhiron e botës dhe shfaqja në natyrë mbaroi, numrat e cirkut vijuan edhe brenda tendës. Liderët e Europës u kënaqën me shakatë e kripura të Duçes, që u shfaqi një dokumentar ku gjithë të ftuarit ishin shndërruar në fëmijë, falë një programi të Inteligjencës Artificiale që çuni i vogël i Të Gjatit e kishte mësuar në shkollën fillore.
Më tej miqtë qeshën me siklet duke parë fshehurazi orën, teksa I Gjati akuzoi gjithë lezet kryeministrin britanik se solli shiun, iu drejtua presidentit francez me ‘Madhëri’, puthi në gushë me zor gjysmën e grave të ftuara dhe u tha të gjithëve pa përjashtim, se drekën e kishin nga ai.
Burime për Patronazhistin bëjnë me dije se atë çast, baba Rexhepi fshehtas ua bëri me shenjë të ftuarve, “lëreni të mbarojë, nuk i zgjat shumë…”.
Në vijim, të pranishmit shanë shpejt e shpejt Rusinë, lëvduan Trumpin dhe ikën.
P.S. (në fakt, PD). Nja dyqind metra më tej, një plak i nevrikosur kishte mbledhur 50-60 vetë që i kishte lajmëruar se për inat të Të Gjatit, do jepte një shfaqje cirku alternativ. Mirëpo sa mbërriti, e njoftuan se biçikletën teke ku duhej të hypte, e kishte marrë rivali. Për kushedi ç’arsye, kishte mbetur vetëm shala. Atëherë kapi megafonin dhe nisi të bërtasë: “Hajdutët, banditët! Lufta jonë, nderi ynë…” dhe iku.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike më euroatlantike se Lul Basha