
TIRANË – Ka jetë edhe pas deputetllëkut. Nëse ekziston një arsye përse zgjedhjet e 11 majit duhen lëvduar deri në qiell dhe pse raporti i OSBE-ODIHR-it duhet t’i japë notën maksimale Shqipërisë, ajo është se mjaft personazhe të cilët ne, vdekatarët e rëndomtë, kujtonim se kishin lindur si deputetë dhe jo si foshnje në maternitet, në fakt dinë të bëjnë dhe gjëra të tjera.
Talente të fshehura, dhunti që as e dinim se ekzistonin, do fillojnë të dalin në pah së shpejti, falë këtyre zgjedhjeve të bekuara që i bënë një dhuratë të çmuar vendit, duke i lënë të lirë disa figura të shquara, jashtë rutinës së lodhshme të parlamentit, këtij institucioni që ishte shndërruar në tharësin më të madh të truve shqiptare.
***
Si dallëndyshja e parë që lajmëron pranverën – edhe pse dikush do preferonte ta quante çafkë – pararojë e kësaj dukurie mbetet kontesha Mari-Antuaneta Testagrande. Ajo nuk ka pritur të fillonte fushata, as të bëheshin zgjedhjet, por u hodh menjëherë në hobin e saj të ri: Aktoreshë filmi.
Këto muajt e fundit Testagrande e ka bërë shprehi që kur del nga seancat hetimore në SPAK, flet për filmin, duke u premtuar gazetarëve se për SPAK-un do flasë kur të dalë nga filmi.
“Dikush mund të thotë, ‘Leri filmat’, por ky është talenti im i fjetur, që doli në pah tani që kam kohë të lirë,” tha për kontesha për reporterët e kronikës, që nuk dinin çfarë të bënin me këtë lajm kulture, “unë jam aktoreshë por edhe organizatoreshë. Titulli i filmit tim ka diçka me fatin, por jemi në dilemë mes “Paç fatin e Konteshës” dhe “Ueee ça shonci!””.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Lilo Çepani gjithashtu do mbetet në zhanrin kinematografik, por do prodhojë nga burgu një dokumentar me titull “Të gjithë njerëzit e Presidentit”.
Dokumentari do trajtojë temën delikate të tradhtisë, duke ekspozuar ish-të besuarit e Presidentit që e lanë në llucë kur ai kishte më shumë nevojë: Bukëshkalët, kolaboracionistët dhe larot e tyre, njerëzit me dy dhe tre fytyra, skuthat etj, të gjithë do të marrin përgjigjen e duhur në këtë dokumentar.
***
Interesant është rasti i ish deputetit socialist Pëllumb Arbeni, djali i shokut Sherbet Pëllumbi. Udhëheqja e pat njoftuar se nuk mund të bëheshin dy deputetë nga një familje. Duhej zgjedhur mes djalit dhe mbesës së shokut Sherbet, konkretisht ish ministres strategjike Volta Llaçka. Atëherë Pëllumb Arbeni me zemërgjerësi u tërhoq për t’i lënë vend Voltës, sepse pa mandatin parlamentar kjo e shkreta mund të internohej në ishujt Ventotene.
“Unë do t’u rikthehem studimeve të babait mbi marksizmë-leninizmën dhe do botoj një libër me titull Eurokomunizma është Anti-komunizmë,” deklaroi djali i shokut Sherbet.
Ndërkohë, ish-deputetja e Shkodrës S’edona Batalli njoftoi se ka vendosur të specializohet më tej në prodhimin e spoteve të hareshme elektorale, me votues që çohen nga varri për të paralajmëruar shqiptarët se duhet ta japin votën për filan kandidat, pëndryshe vdekshin në vend ishalla.
“Këto spote do kenë funksion të dyfishtë,” tha Batalli për mediat, “sepse do shërbejnë edhe si mini-filma horror për të apasionuarit e zhanrit”.
***
Një mision fisnik ka marrë përsipër ish deputetja socialiste Sarmonela Thela. Tani që do ketë kohë të lirë, ajo do t’i kushtohet ekskluzivisht përmirësimit të sistemit të drejtësisë.
Kështu, përveç burrit, kunatit, vëllait dhe motrës, ajo do të punojë për të integruar në sistem si prokuror, gjyqtar, oficer gjyqësor, kancelar apo çfarëdo posti tjetër, edhe pesë baxhanakë, tre mbesa nga ana e burrit dhe shtatë gjyshër nga krahu i të jëmës.
E pyetur nëse në rastin e saj ka ndonjë konflikt interesi, Sarmonela deklaroi se gjysmë të vërtetat janë më të rrezikshme se gënjeshtrat.
“Unë interes patjetër që kam, bile të madh; por konflikt nuk shoh asgjëkundi, ai është në mendjet tuaja të sëmura,” tha Thela me krenarinë e njeriut të pastër, teksa u kujtua për diçka dhe i tha sekretaricës, “na se harrova, kam edhe një nip që vjel nektarina në Selanik; shënoje aty për shkollën e magjistraturës”.
***
Një rast më vete është ai i kreshnikut Lulash. Siç dihet, ai zbriti nga bjeshkët e Gjakovës, ku flinte gjumë shumë vite më parë si jurist i fjetur i UNMIK-ut, pasi u zgjua trembshëm nga piskama e Doktorit.
Ky i fundit e ftoi të zinte postin e Bukuroshit të Fjetur në parlament, pastaj në ministrinë e Transportit, atë të Jashtme dhe pastaj të Brendshme, dhe në fund e çoi t’ja rraste gjumë në divanin e bashkisë së Tiranës.
I rraskapitur nga këta gjumëra të njëpasnjëshëm, Lulashi vendosi të marrë pushim, ndaj u shtir sikur gjasme do bënte fushatë e gjasme do kandidonte, si e si për të humbur. Lajmi i humbjes e gjallëroi pa masë.
“Shyqyr o Zot, të rrimë njëherë zgjuar si njerëzit se ramë telef,” deklaroi kreshniku Lulash të nesërmen e zgjedhjeve.
Burimet për Patronazhistin raportojnë se në momentin që po flasim, nga shtëpia e Lulashit po vjen një gërhimë kaq e lezetshme, saqë u ndjell gjumë edhe kalimtarëve të rastësishëm.
P.S. Lajmi i fundit vjen nga fronti socialist. Mësohet se ish-deputeti Pandi Majko po trajnohet si aktor zëri, për një rol kryesor në serinë e re të filmit të famshëm të animuar, “Kung Fu Pandi”. Leku letër…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e bindur se parlamenti i ri do na zbulojë edhe shumë talente të fshehta si këta të mësipërmit