
TIRANË – Kampionia e qitjes demokrate Adriana Kështjella demonstroi edhe një herë dje qëndrueshmërinë e saj në rezultate, sa herë që gjatë stërvitjes në poligon i vendosin përballë figurat prej kartuçi të ish-mbështetësve të Lulit.
Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se Kështjella mori pesë dhjeta me pesë të shtëna, kur në tabelë u vendos portreti i Jorida Kapakut. Me një gjakftohtësi prej snajpereje dhe dorën që nuk i luante asnjë milimetër, ajo e tereziti për një çast shënjestrën dhe pastaj shkrepi pesë fishekë të njëpasnjëshëm, duke mërmëritur ndër dhëmbë, “Të fala Lulashit!”.
***
Patronazhisti mëson se Kështjella e ka poligonin si shtëpi të dytë, ku shkon sa herë e stresojnë zhvillimet politike në PD. Por gjatë fushatës elektorale Doktori ashtu me takt, ja kishte ndaluar që të bënte qitje mbi portretet e demokratëve ish-lulistë se do keqkuptohej elektorati.
“Pas zgjedhjeve shohim e bëjmë,” e siguroi Doktori, duke e detyruar luftëtaren që shkon në punë me tank, të shtinte mbi figura alternative të së djathtës si Dash Shehi, Enkelejd Alibaba apo edhe Gonen e Call Centerave. Kuptohet që rezultatet nuk ishin të kënaqshme, dhe Kështjella po mendonte madje të mos merrte pjesë në kampionatin mbarëkombëtar të qitjes për Kukumjaçkat Telendare në kategorinë mbi 50 vjeçe.
Megjithatë ja, zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa demokratët filluan të akuzojnë, si zakonisht, njëri-tjetrin se kanë vjedhur votat e kandidatëve kolegë, Kështjella ka marrë leje të stërvitet ashtu siç duhet.
***
Duhet theksuar se qitësja e shquar nuk ushtrohet vetëm me pistoletë. Dëshmitarët kanë pohuar se një nga stilet e preferuara të saj është vendosja e një kartoni të Lulit, sa një bojë njeriu, si tabelë qitjeje, dhe fillimi i një monologu surreal.
“Hë, kujtove se do më shpëtoje hë? Çfarë, si the? Mos të qëlloj se ne kemi shkuar mirë bashkë? Naaa,” dhe ja vesh kartoni me një dackë surratit. Pastaj, me një hark të bërë vetë në shtëpi, i ngul një shigjetë në kofshë dhe i thotë me një buzëqeshje ogurzezë, “uaa të plagosa? Më fal”. Dhe i ngul një tjetër majë flokëve, duke ja shkatërruar kartonit Lul cullufen legjendare. Në vijim i pret me thikë njërin krah, pastaj tjetrin, dhe në fund i derdh mbi vete një shishe uiski dhe i vë flakën, duke qeshur frikshëm me të madhe.
***
Por një nga stërvitjet më dramatike të Adriana Kështjellës – frymëzimi madh i saj është kongresmenia republikane amerikane Marxhori Tejlor Grin, që çdo mëngjes vret zogjtë që cicërojnë te dritarja e shtëpisë me automatik – është qitja me imazhin e Baz Gardhit.
Në fakt, nuk ka faj. Që kur Doktori sulmoi selinë e PD-së, ajo e veshur me uniformë kamuflazhi dhe me një jatagan mes dhëmbëve, u zvarrit midis gazit lotsjellës për të kërkuar Bazin, atëherë Lulist. U betua që do t’ja sillte të lidhur në shtëpi teta Lilit si dhuratë, por e ndaloi Muli.
“Nuk bën,” i tha, “se do thonë bota, ç’janë këta burra të paketuar që merr në shtëpi teta Lili sa herë del Doktori. Boll i ka dalë nami me hyrje-daljet e Albana Vokshit”.
Inati iu shumëfishua kur Bazi, fap u bë me Doktorin, dhe asaj i mbeti adrenalina kapicë, e pashkrehur.
Kështu, sporti i preferuar i Kështjellës është një kukull me përmasa reale e Baz Gardhit, lidhur kokë e këmbë me litar dhe me një palë sutjena në gojë për të mos bërtitur. Burrnesha nxjerr një shotgun, e qëllon shtatë herë rresht, pastaj i hedh një bombë ofensive, dhe në fund çon një dron të vogël dhe e godet me raketë nga sipër.
***
Paskëtaj, një buzëqeshje e paqtë përhapet në portretin e trimëreshës. E lehtësuar, ajo kthen me eks koktejlin me lot socialistësh dhe largohet e lumtur.
Burimet sigurojnë se kur i thanë për herë të parë Doktorit sesi stërvitet Adriana Kështjella, ai qenkësh mallëngjyer. I ishin rikthyer kujtimet e dikurshme dhe paskësh thënë me mjekrën që i dridhej, “Ehhh, të kisha nja pesë si ajo në 97-ën! Do ta kishim siguruar votën e lirë!”….
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e prirur ndaj personazheve të shkarë dhe atyre që s’u punojnë të gjitha kandelet njësoj