GATI PROJEKTI / Parku Kombëtar i Thethit së shpejti me Lungomare

10 Korrik 2025, 23:12Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjatë punimeve për Lungomaren e Thethit

TIRANË/ VLONË/ SHESH – Për shumë kohë, I Gjati e kishte mbajtur marazin përbrenda. Më saktë, që nga hera e fundit, kur vajti në Theth dhe ftoi banorët indigjenë të investonin në turizëm dhe bujtina, se qeveria do t’ua falte gjobat.

Aty e kuptoi që Thethi kishte mbetur i vetmi vend turistik pa një shëtitore. Kishte ndërtuar bulevarde të gurta nga Tamara në Tepelenë, nga Erseka në Kukës, të gjitha një dorë, një projekt, një skemë, por Thethi kishte shpëtuar.

Që atëherë e mori inat.

“Çfarë emri,” thosh me vete, “duket sikur toponimin e parë e kishte patur Shesh, por ndonjë thuthuq e shqiptoi Theth dhe ashtu i ngeli”. Dhe nuk ja vari më fshatit alpin për disa vite. Ishte koha kur gjithë merakun e kishte tek Lungomareja e Vlorës. Mirëpo banorët mbanin mend me pikë e presje ftesën e tij për të investuar në vendlindje, dhe gjetën theth për të bërë përtheth. Bile edhe sheshin e madh në qendër të Thethit e kishin mbushur me kabina.

*** 

Në fakt, Lungomarja u shënua si një histori suksesi. E ka qarë shejtani, thoshin vlonjatët dhe i binin bulevardit tutje tëhu, duke mos dashur të shkonin fare në shtëpi. Sepse sapo hynin në lagje, pallatet e lodhura, plehrat, mungesa e ndriçimit, e kapakëve të pusetave, e ujit, e gjelbërimit, i kthenin edhe një herë në realitet. 

E vërteta është se edhe në telefonin dhe në zyrën e të Gjatit, si kryeministër dhe si deputet i zonës, ankesat ishin bërë kapicë prej kohësh: “O vlla, hajde vër dorë se qyteti është për ibret, nuk do hamë Lungomaren a i vrarë”.

Por për dreq, i vrari ishte i zënë. Nga gjithë globi e thërrisnin për të zgjidhur kriza, ndërsa lufta në Ukrainë i vuri kapakun. E vetmja gjë që e shkundi, ishte abstenimi masiv i vlonjatëve në votimet e 11 Majit.

U trondit. Në fillim deshi ta shkrinte gjithë bashkinë, por pastaj u kujtua që kryetari i bashkisë Dermal Dredhaniku ishte familjar i shokut Gramoz. Prandaj shkarkoi me dorëheqje vullnetare gjithë drejtorët e bashkisë. “Vlora është si hale zotërinj. Nuk keni bërë asnjë punë, ikni vetë që mos t’ju heqë SPAK-u,” i këshilloi miqësisht.

“Po unë pse zoti kryeministër?”, guxoi të reagonte drejtori i Teatrit ‘Petro Marko’, “ne kemi bërë një sërë shfaqjesh, kemi vënë në skenë kaq vepra. Unë s’kam gisht tek mungesa e ujit, as tek zjarri i plehrave…”.  

“Ke gisht, sepse ke ndenjur indiferent. Pse nuk ke bërë skeçe thumbonjëse ndaj të metave të bashkisë? Ik vetë, ose të çova drejtor të Teatrit të Thethit!”, ja ktheu I Gjati.

*** 

Pikërisht ky truk i memorjes i risolli në vëmendje Thethin. E ndjeu që e kishte lënë pas dore perlën e Veriut. Por që të mos dukej se kishte gjë personale, vendosi që ngritjen gjeografike drejt veriut ta bënte gradualisht.

Kështu ndodhi që I Gjati, duke u ngjitur më të lartë, ndalonte në çdo bashki dhe shkarkonte drejtorët: Fier, Lushnje, Durrës… Ama kur sosi në Theth, nuk u mor me çikërrima, por çoi direkt buldozerët dhe ekskavatorët.

“I keni pa leje, do t’i prishim të gjitha kabinat se po pengoni hapësirën e përbashkët të komunitetit. Nuk kanë ku të kalojnë njerëzit,” deklaroi I Gjati.

“Cilët njerëz, zoti kryeministër? Vetëm ne jemi këtu,” u përpoqën ta zbusnin thethasiotët (apo thethanikët?). Por I Gjati nuk dëgjonte nga ai vesh.

*** 

Nga burime pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, - që I Gjati e quan me përkëdheli, çeta ime territoriale – Patronazhisti mëson se është bërë gati projekti për ndërtimin e një Lungomareje në Theth. Arkitektët janë mbledhur për të aplikuar në Alpe të vetmen punë të suksesshme të të Gjatit.

Mësohet se nja dy arkitektë që thanë gjatë një mbledhjeje, se në Theth mund të ndërtohet vetëm një Lungo, sepse nuk ka Mare, janë dëbuar me ceremoni nga projekti për mungesë vizioni.

Ndërkohë, për të humbur gjurmët, I Gjati po vijon me procedurat e shkarkimit të drejtorëve në çdo bashki që i del përpara: Roskovec, Delvinë, Devoll, Fushë-arrëz…

Lajmi i fundit thotë që edhe në bashkitë fqinje të Janinës, Korfuzit, Ohrit, Ulqinit dhe Brindizit, ka mbërritur kërkesa e Të Gjatit që drejtorët parazitarë të largohen urgjentisht…

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-beton/ por pro-sezon/ Por tek e fundit, koka bën/ koka pëson/ kur të Gjatin e beson/ dhe kursimet investon


Video