
TIRANË/VLORË/LEZHË e gjetkë – Rinumërimi i kutive të votimit të zgjedhjeve të 11 majit ka sjellë disa efekte anësore surprizuese, mëson Patronazhisti. Deri tani rezulton se votat e keqnumëruara janë aq të pakta, saqë kandidatët socialistë nga njëri krah, dhe demokratë nga krahu tjetër janë përfshirë në një valë empatie dhe kërkim faljeje reciproke duke rivendosur harmoninë sociale në partitë përkatëse.
“Më fal që të thashë grifshë,” i tha Belina Kijameti shoqes së vet Volta Llaçka, tek e cila dyshonte se i kishte vjedhur votat, duke e përqafuar.
“E tepruam ca, na kapi kjo epidemia e fushatës”, pranoi i skuqur në fytyrë doktori epidemiolog Ali Ilirmehmeti duke i dhënë dorën koleges Jorgjie Tabakaja.
Ndërkaq në kutitë e hapura janë gjetur edhe objekte me vlerë si unaza fejese e martese, që ranë brenda nga zelli në momentin e votimit, byrzylyqe dhe copa byreqesh me spinaq nga numërimi i parë.
Por kontributi më i madh i këtij procesi është fakti që Shqipëria ka ngjitur disa vende në testin arsimor PISA, pasi ka treguar se është më mirë nga sa mendohej në aritmetikë.
***
Mori dhenë lajmi që aktori i njohur turk Burak, që luan Osmanin – themeluesin e perandorisë osmane – po bë pushime në Vlorën e Ismail Qemalit, që pavarësoi Shqipërinë nga perandoria. Vlonjatët trima u vunë në rradhë për t’i marrë autograf, ndërsa kryetari i bashkisë Dermal Dredhaniku e ftoi bukuroshin në zyrë, me portretin e Ismail beut në sfond.
Kur Buraku i shtyrë nga kurioziteti, e pyeti se ç’ishin ato zjarre me erë të keqe që digjeshin në gjithë qytetin, Dermali, që vjen nga një karrierë diplomatike, u përgjigj hazërxhevap: “Epo, bëjmë dhe ne filma. Kam dhënë leje unë të ndizen, se po xhirojmë një serial mbi luftën e Vlorës”.
***
Bregdeti i Lezhës po zë titujt e parë të lajmeve për flukset turistike, që i joshin turistët të rrinë nga 6 orë në trafik për të kapur një çikë det. Kryetari i bashkisë Zhan-Pjer Ndreu deklaroi për ata gazetarë që arritën të dalin nga trafiku, se trafikut nuk ke ç’i bën.
“Bllokimi në trafik dhe mushkonjat e Shëngjinit, janë çmimi i suksesit,” tha Zhan-Pjeri, “por fajin e kanë dhe turistët. Se vjen dikush nga Tirana për plazh, fjala bie, dhe kërkon të kthehet prapë në Tiranë nga e njëjta rrugë. Bjeri mor zotëri nga Shkodra, Tropoja, zbrit në Pukë, kthehu në Dibër dhe ja ku erdhe në Tiranë!”
***
I Gjati shkoi në Amerikë për dasmën e Aleksit. E kishte ftuar Sorosi i vogël, nuk ja prishte dot. Por sa e takoi, gjëja e parë që i tha, ishte: “Kohë të keqe gjete për dasëm, o Safa Ymeri!”
Çifti Klinton, Kamala Harris dhe gjithë establishmenti demokrat u shkrinë së qeshuri.
Patronazhisti, i çuditur se nga i dinin demokratët amerikanë batutat e “Maleve me blerim mbuluar,” u interesuar dhe mësoi se Aleksi i kishte porositur më herët të pranishmit: “Qeshni me çdo gjë që thotë, se ndryshe ngelet keq dhe fillon t’u ulet në gjunjë dhe t’u dhurojë shalle grave të botës!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-plehra