INVESTIGIMI/ Arsyeja pse drejtuesit e Kadastrës nuk shfaqen për të dhënë llogari

23 Qershor 2025, 17:54Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drejtoresha e e-kadastrës duke shpërndarë e-dhuratat për e-Vitiriun

TIRANË – Zbulohet arsyeja pse drejtuesit e Kadastrës nuk janë paraqitur në komisionin e posaçëm parlamentar për të dhënë llogari mbi shkeljet në legalizime, dhe mbi zbatimin e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Akuzat se drejtuesja e Kadastrës Loreta Gaxhgauni nuk kishte ndërmend të jepte llogari mbi hektarë të tërë tokash të ikura në drejtim të paditur, mbivendosje trojesh, pronarë fiktivë, investitorë strategjikë e taktikë, roje 70-vjeçarë lokalesh që gdhihen latifondistë etj, janë të padrejta, madje të stisura nga ata që janë kundër integrimit të Shqipërisë në BE, thonë burimet.

***

Fakti është që shumica e shërbimeve në institucionet shqiptare, tashmë kanë kaluar online. Vetë I Gjati ka deklaruar shumë herë se shqiptarët nuk do të bredhin më zyrë më zyrë për t’u përballur me zyrtarë halldupë që hanë kot bukën e qeverisë. Mjafton të aplikojnë në sistemet që fillojnë me e-, dhe u vjen zgjidhja në kompjuter ose në celular. Kjo është arsyeja pse qeveria i akordoi një hale milionë euro edhe Mira Muratit.

Me këtë logjikë të shëndoshë, vetë drejtoresha kadastrore Gaxhgauni bëri të ditur se ligji e pengonte të shfaqej fizikisht dhe personalisht në ndonjë nga këto komisionet idiote parlamentare, sepse tani fjalën e ka teknologjia dhe AI-ja.

“Nuk do bredh unë poshtë e lart në pikë të vapës. Ne tani operojmë me e-kadastrën more zotëri,” deklaroi drejtorevica, e pyetur nga e-Patronazhisti.

“Kështu që, nëse parlamenti ka ndërmend ta na thërrasë, programi i tyre i inteligjencës artificiale le të takohet me programin tonë, dhe ta sheshojmë këtë muhabet. Kontaktet fizike ndalohen me ligj,” tha ajo duke pozuar përballë një tabele kuazi-erotike ku shkruhej, ‘Sektori i zonave të stimuluara’.

***

Realiteti është që parlamenti e ka kuptuar gabimin dhe është përgjigjur shpejt. Dje, kryetarja e Kuvendit Episa Spirodhalla shpalli hapjen e platformës e-legjislacioni, e cila ndër të tjera do zgjidhë edhe këtë mosmarrëveshjen me e-kadastrën.

“Kjo platformë do fuqizojë transparencën dhe llogaridhënien,” deklaroi Spirodhalla e entuziazmuar, duke shtuar nëpër dhëmbë, “pavarësisht se kush kërkon tokat, ka për të marrë shokun Noc, siç thotë Skënderbeu ynë”.

Por magjia e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë më të fundit nuk mbaron këtu.

Duke iu përgjigjur në kohë akuzave për rritje të papërballueshme të kostos së jetesës, rënies drastike të prodhimit vendas dhe rritjes së importeve, dhe shtimit të inflacionit, qeveria shqiptare po ndërton një paketë lehtësuese për mallrat e shportës elektronike.

Kështu, së shpejti do të hapen platformat për shtresat në nevojë: e-byreku, e-dhalla dhe e-fasulja.

Vini Re: Patronazhisti është platformë e-satirike      

Video