E BUJSHME / Policia e Vlorës çmonton organizatën kriminale që sillte ujë pa e porositur

1 Gusht 2025, 11:25Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Filmimi i një momenti kriminal të sjelljes së ujit të pakërkuar

VLORË – Drejtoria e Policisë Vlorë njofton se gjatë ditëve të fundit, ka konkluduar një operacion të mirëstudiuar dhe të organizuar me gjakftohtësi dhe profesionalizëm, duke vënë në pranga anëtarët e një organizatë kriminale të përbërë kryesisht nga elementë të moshave të reja, të përfshirë në një skemë masive hidratimi të paliçensuar dhe të zhvilluar në mënyrë ilegale.

Bazuar në provat e siguruara, indicie, dokumente dhe filmime, thotë njoftimi zyrtar, shërbimet operacionale të DVP Vlorë kanë shoqëruar disa shtetas, në shumicën e tyre mistrecë dhe lamashë, të cilët ishin pjesëtarë të një skeme mafioze, synimi final i të cilës ishte t’u krijonte civilëve të pambrojtur një varësi toksike ndaj ujit.

“Organizata kishte punësuar elementë kriminalë të grup-moshave 17-22 vjeç, të përzgjedhur nga familje problematike zakonisht me dy prindër dhe katër gjyshër. Përzgjedhja është bërë e qëllimshme, pasi kjo kategori është e ekspozuar ndaj veseve të kohëve tona si puna e lodhshme për pak lekë, oraret e zgjatura dhe mbajtja në mënyrë sfiduese dhe kërcënuese, e një tabakaje në dorë.

Sipas vëzhgimeve tona intensive, të pandehurit vijnë nga një bekgraund problematik, pasi në shumicë kanë kultivuar një marrëdhënie helmuese me librat e shkollës, dhe kanë një ngulmim shqetësues për të lexuar, mbaruar shkollën me nota të mira dhe synuar për më lart në hierarkinë e krimit,” vijon njoftimi i DVP Vlorë. (Kjo DëVëPë-ja duhet të jetë drejtoria vendore e policisë, shën. i Patronazhistit).

*** 

Skema ishte e tillë, thotë njoftimi: Të rinjtë infiltroheshin si kamarierë nëpër lokalet e qytetit dhe zonave turistike përreth. Ata kishin për detyrë që të shtonin në mënyrë arbitrare në çdo tavolinë, nga një bidon gjysmë litërsh ujë – me ose pa gaz – në sa më shumë porosi që merrnin.

Në fillim civilët e pafajshëm, ose policët jashtë shërbimit, reagonin të çuditur ç’ne uji plus, se ata nuk kishin porositur gjë. Po pastaj rimendoheshin dhe thoshin: Mirë mirë, lëre se do ta pimë.

Kjo skemë e përsëritur me qindra herë, sqaron policia, ka krijuar një varësi shqetësuese nga uji, në gjithë qarkun e Vlorës.

“Uji është si droga,” thotë policia në njoftim, “në fillim e provon për gallatë, ose nën presionin e shoqërisë, pastaj nis ta kërkosh vazhdimisht e vazhdimisht, me sasi gjithnjë e më të mëdha. Ne kemi patur raste kur, për fat të keq, qytetarë të fiksuar pas ujit të pijshëm kanë humbur punën, kanë prishur familjen dhe madje kanë shitur shtëpitë, vetëm për shkak të kësaj varësie të frikshme. Prandaj ngritëm një grup pune dhe vendosëm ta shpartallojmë këtë bandë”.

DëVëPë-ja e Vlorës kësisoj infiltroi një oficer policie, duke e maskuar si civil kafenesh. Operacioni shkoi fiks siç dyshonin krerët e policisë lokale: Një spaçator uji 18 vjeçar solli gjithë kapadaillëk një ujë ekstra, pa e porositur askush, dhe atë moment u shkrep gjithë mekanizmi i arrestimeve spektakolare dhe bëri bujë ditët e fundit.

Në fund, DëVëPë-ja e Vlorës njofton se të gjithë materialet, domethënë bidonat e ujit, i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme. 

Ndërsa lamashët e arrestuar do kenë kohë të reflektojnë në qeli, se ku të çon leximi i pakontrolluar i librave. 

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike hidrofobe 


Video